
SIDNEJ, AUSTRALI – 4 DHJETOR: Richard Dawkins, themelues i Fondacionit Richard Dawkins – Don Arnold/Getty Images
Kurt Zindulka, 27 shtator 2025 – BreitBart.com – Përktheu Arben Çokaj
Biologu evolucionar britanik Richard Dawkins ka deklaruar se “gratë transgjinore janë burra” dhe se ideologjia transgjinore është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë, për të minuar të vërtetën shkencore.
Duke folur për Daily Telegraph të Londrës për lançimin e librit të tij të publikuar së fundmi, Lufta kundër Shkencës, ateisti kryesor dhe bashkëpunëtori emeritus i New College, Oxford, Richard Dawkins kritikoi infiltrimin e postmodernizmit dhe transgjinorizmit në akademi.
“Si politika ashtu edhe ndjenjat personale nuk ndikojnë në të vërtetat shkencore dhe kjo duhet të kuptohet qartë. E ndjej shumë fuqishëm këtë si përpjekje për përmbysjen e së vërtetës shkencore”, tha ai për gazetën britanike.
“Mendoj se një pjesë e asaj që ka ndodhur është lëvizja e akademisë drejt postmodernizmit, e cila është e dëmshme dhe ndoshta shpjegon modën aktuale për gënjeshtrën e pakuptimtë, se seksi është një spektër.”
“Ekziston kjo arrogancë postmoderne e cila në mënyrë arrogante dhe të rreme e hedh poshtë shkencën si një konstruksion shoqëror. Tendenca njerëzore këtu është te ideja se ndjenjat personale mund të ndryshojnë realitetin.”
“Unë i heq vijën sloganit luftarak ‘gratë trans janë gra’ sepse është shkencërisht i rremë… Kur merret fjalë për fjalë, mund të shkelë të drejtat e njerëzve të tjerë, veçanërisht të grave”, tha ai.
Dawkins vazhdoi: “Logjikisht përfshin të drejtën për të hyrë në ngjarjet sportive të grave, dhomat e zhveshjes së grave, burgjet e grave e kështu me radhë.”
“Aq i fuqishëm është bërë ky kundër-faktualizëm postmodern, sa gazetat i referohen ‘penisit të saj’ si një çështje rutine e pavërejtur.”
Dawkins paralajmëroi gjithashtu për një efekt të frikshëm të ideologjisë së zgjuar brenda industrisë botuese, duke raportuar se botuesit i kanë thënë se anëtarët më të rinj të stafit përpiqen shpesh të diktojnë se cilat ide promovohen ose ndalohen.
Brenda kësaj kulture censure, Dawkins tha se lobi transgjinor në veçanti ka shfaqur “egërsi të habitshme” dhe shpesh është “shumë dogmatik dhe ushtrues“.
“JK Rowling mund të kujdeset për veten, por shikon mënyrën se si e nxorën Kathleen Stock nga Universiteti i Sussex, dhe gjithmonë janë gratë ato që vuajnë“, vuri në dukje ai.
Megjithatë, biologu evolucionar tha se për fat të mirë, “moda më në fund është në rënie, të paktën në Britani“.
Në të vërtetë, në prill, Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar lëshoi një vendim historik, duke gjetur se “koncepti i seksit është binar, një person është ose grua ose burrë“.
Komisioni për Barazi dhe të Drejta të Njeriut (EHRC) tha më vonë se vendimi nënkuptonte që hapësirat publike, siç janë spitalet, restorantet dhe dyqanet, nuk duhet të lejojnë meshkujt biologjikë në hapësirat vetëm për femra, pavarësisht nëse ata kanë një të ashtuquajtur certifikatë tranzicioni gjinor.
Vendimi nga Gjykata Supreme erdhi pas një raporti të rëndësishëm nga pediatria kryesore britanike Dr. Hilary Cass, i cili zbuloi se ‘kujdesi që pohon gjininë‘ për fëmijët, siç është përdorimi i barnave që bllokojnë pubertetin, ishte ndërtuar mbi “themele të lëkundshme“.