BIMËSIA KRIJUESE E NJË URAGANI

0
Kushtetuta e Republikës së Çamërisë

Të hapësh tokën me duart tua / të mbushësh atë me aromë farash / të ngresh fytyrën drejt qiellit tënd / të thithësh ajër nga ajri yt / kjo është paqja flisnin gjyshërit e mi !…
(Humberto Ak´abel)

Shkrimtari kombëtar, Prof. Bedri Tahiri u lind në vitin 1956 në Galicë të Drenicës, në vatër të këngës dhe të pushkës, të besës e të burrërisë, u lind në vatër të të gjitha kryengritjeve shqiptare për mbrojtjen e atdheut. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në Gjimnazin e Skënderajt, ndërsa u diplomua në Universitetin e Prishtinës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Plot 42 vjet punoi profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Gjimnazin “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë.

Bedri Tahiri, publicist, poet, romansier, eseist dhe veteran i UÇK-së është autor i 56 veprave letrare-historike e publicistike. Shkrimtarët e mirëfilltë janë misionar të pathyeshëm në çështjet e atdheut. Respekt për prodhimtarinë e tij letrare, si dhe për mesazhin dhe misionin e veprave të tij. Gjatë tërë kohës së luftës së Kosovës, shkrimtari Bedri Tahiri qëndroi i palëkundur në shkrepat e Arbërisë së Vogël, përkrah luftëtarëve të lirisë, duke mbajtur shënime e ditar lufte, dhe gëzon statusin e Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për suksese dhe të arritura në punën me nxënës, në krijimtari letrare dhe në hulumtime shkencore, ka marrë shumë Dekorata, Mirënjohje, Falënderime e Plaketa. Më 27 Nëntor 2007, Kompleksi Përkujtimor “ADEM JASHARI” i dha një Falënderim për kontributin e dhënë, mbi 27. 000 euro, nga librat e shitur. Ndërkaq, më 26 gusht 2012, Poetika mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi 2012”, organizuar nё Malin e Dajtit, gjegjësisht në Tiranë, për arritjet e tij në krijimtarinë letrare Bedriut iu dha çmimi ”Hasan Prishtina”.

Në të gjitha veprat e tij shkrimtari Bedri Tahiri vë në letër gjakun e tij letrar, përvojën e jetës së jetuar, mesazhin dhe misionin për artin, kulturën dhe shkencën shqiptare. Shkrimtari kombëtar Bedri Tahiri, u takon dy shekujve letrarë. I dëshmuar nga dashuria për vendin dhe atdheun, ai pandalshëm rend ta zë kohën e tij të kaluar, të tashme dhe të ardhshme.

Unë me shkrimtarin Bedri Tahiri kuptohemi lehtë. Temat tona: Kosova, Epiri i Ilirisë- Çamëria, dhe bisedat për stërgjyshërit- pellazgët, janë gjërat që na miqësojnë. Zëri i shkronjave dhe shkrimeve të shkrimtarit Bedri Tahiri nuk resht së shtëni as për Çamërinë, as për Iliridën, as për Krahinën e Mollës së Kuqe. Misioni i shkrimtarit, Bedri Tahiri, në secilën shkronjë dhe në secilin varg, është në funksion të atdhedashurisë dhe të lirisë. Unë nuk dua të fsheh dashurinë shpirtërore për vendin tim. Jam pjesë e vuajtjeve dhe dhimbjeve të popullit tim,- sikur na vegohet një zë nga brendia e veprave të tij.

Liria në veprat e Bedri Tahirit nuk di të vjetërsohet. Shkrimtari Bedri Tahiri nuk ka kartë të kursimeve. Ai jeton si bimësia, si drita, si flaka e prushit. Bedriu rend si reja e bardhë dhe si bubullimat në atdheun e tij. Më thjeshtë, ai jeton si e vërteta e kohës sonë. Prandaj, të gjithë kemi lindur për të jetuar e mbijetuar, por, poezia në vendin tim, në gjak dhe shpirt e ka të shkruar lirinë.

Shkrimtari Bedri Tahiri, është vëlla i këngës sime, i këngës për Çamërinë tonë të paharruar, i Valles së Osman Takës, i Përjetësisë së Atyre që me gjak mbëltuan Lirinë! Për të dëshmuar këtë, mjafton t’i kujtojmë vargjet nga poezia Malli i Çamërisë, të cilat bartin një porosi jetike, për sot e për nesër:

Tokë e lashtë e Pellazgjisë
Gjuhë e lashtë e Perëndisë
Rrojnë me besë dhe burrëri
Çamëria do bëhet Shqipëri!

Zoti Atdhe, më thotë Bedriu: Unë do duhej të njihesha më mirë me djemtë e ullirit dhe vajzat e portokallit të Çamërisë, do duhej të njihesha më mirë me natyrën pellazgë-ilire të Çamërisë së atdheut, me aktivitetet e Republikës së Çamërisë dhe me Projektin Kombëtar për Çamërinë. I nderuar Atdhe, unë fatit nuk i besoj, por, jam midis fjalës së erës së trazuar, aty ku gatuhet e sotmja dhe e ardhmja e popullit tim. Ky shpirt i bardhë i Çamërisë, vetë e bën vajin e ullirit në govata druri. Në Çamëri e veçantë është kafja me manxuranë në familjet çame, si dhe bisedat për Pavarësinë e Çamërisë dhe për heronjtë pellazg-ilir të Epirit. Vargu i poetit Bedri Tahiri, i skalitur me një akribi fanatiku, shtrihet e shkrihet në gjithë hapësirën e Trojeve Etnike Shqiptare, për të reflektuar përkushtim shpirtëror e atdhedashuri. Kështu, në një poezi, ai shkruan:

Besë-Burrëri dhe Trimëri
Që nga jugu e në veri
Nga Çamëria e në Arbëri…
Atdheut i themi Shqipëri.

Talenti i këtij uragani, shpërfaqet, po aq fuqishëm, edhe në prozat poetike, të përfshira në libër. Heroi i prozës “Çamëria- gjaku ynë”, plaku çam, përmes një rrëfimi sintetizues artistik, me një krenari të dhimbjes krenare e me një mall të pashuar për trojet stërgjyshore, na njeh me vendet e bukura të Çamërisë e me emra që nderojnë historinë kombëtare:

“…Rruga nuk qe e shkurtër, duhej kapërcyer radhë e radhë vendbanime të lashta shqiptare: katunde e qytete, fusha e male, kodra e lugje, plot 23 mijë e 500 kilometra katrorë, tokë e det të Çamërisë shqiptare. Çdo pëllëmbë toke e Çamërisë është larë me gjakun e lirisë…Secili vend më i bukur se tjetri. Secili histori në vete…Filati, Janina, Parga, Gumenica, Konica, Ledhëza, Arta, Parathemia, Preveza, Margëlliqi, Rrapeza, Spllanca, Kastria, Tabani, Lëkurësi, Stanova, Trikopallu, me një fjalë, Molosia, Thesprotia, Kaonia…

-Ore lum vëllai, ju paça për jetë të jetëve, këto vende të begata, linden njerëz të ditur e trima që të merrnin gjak në vetull, si: Pirron, Akilin, Odiseun, Aleksandrin e Madh, Papa Shën Eleuterin, Hoxhë Hasan Tahsinin, Dora d’Istrian, Muhamet Çamin, Musa Demin, Marko Boçarin, Mitrush Kutelin, Faik Konicën, Osman Takën, Bilall Xhaferrin, Qamil Buxhelin…”.

Bedri, të faleminderit për këto vargje margaritarë e për këto proza- perla poetike, me vlera gjithëkombëtare e me porosi për gjithë brezat shqiptar. Libri i shkrimtarit Bedri Tahirit “Çamëria -gjaku ynë” është njëë libër i mirëfilltë kombëtar, për sot dhe për gjithë motet e Atdheut tonë.
Bedri Tahiri, paç fatin e më të nderuarit, o vëllai im, i vargut e i idealit!

Prishtinë, tetor 2025

Atdhe GECI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.