Dhurata Hamzai
Per Gjeke Marinaj po përgatis një speciale në Report TV
Transmentohet se shpejti. (se ngela duke kritikuar veten gjate procesit te punes, hahhaha)
E takova kur erdhi nga SHBA ne Tiranë per promovimin e librit të tij “Lutje ne ditën e tete të javës” dhe sjelljen ne shqip të poezive te poetit amerikan Frederik Turner. (Fotoja 1)
I publikova intervisten ne gazetën TemA me nje rrefim te pazakontë per arratisjen e tij ne vitet ’90, vetem per shkak te nje poezie (ne fakt ishte parathenese e lirise) qe e kishte botuar ne gazeten Drita.
Me pas kur i lexova poezite, pergatita nje shkrim për librin, ku kam pasur nje siguri absolute qe poezia e tij kishte nisur rrugen e shkelqimit.
Tashme te gjithe e dine se kush eshte Gjekë Marinaj, por atehere jo…
Titulli i shkrimit per poezite e Gjekë Marinaj, edhe sot me duket si profeci e rrugetimit të tij poetik.
* * *
POEZIA SI FLETE BIBLE E GJEKE MARINAJ
– Për vëllimin e ri poetik “Lutje në ditën e tetë të javës” të poetit Gjekë Marinaj
— nga Dhurata Hamzai, TemA, 22.05.2008
Kur në revistën “The Brookhaven Courier” shkruhej se Gjekë Marinaj është shembull natyral i poetit tokësor, njëkohësisht, duke lexuar poezitë më të fundit të tij, po mendoja se nuk kisha hasur ende një natyrë poeti kaq në harmoni me shpirtin, trupin, lëndën dhe qiellin dhe nuk më largohej ndjesia e habisë se si, edhe i bërë kështu, ky njeri nuk jeton dot pa ritmin e poezisë. Habitesh edhe më tepër kur e di se poeti Gjekë Marinaj beson që poezia:
“Digjet pa lënë hi
Në sytë e poetëve
E njelmëta e lotit të njeriut dhe Zotit”
Lutje në ditën e tetë të javësShih (“Poezia”, fq 71, nga libri “Lutje në ditën e tetë të javës”).
Jo vetëm poezia, por gjithçka që i përkushton vargjet Gjekë Marinaj, është e prekshme, sa gjasë humane dhe tokësore. Kjo përkon me aktin e kthjellimit poetik të poetit që ka mbërritur në prag guximi, ku ndjen se tashmë poezia e tij është e mbarsur me stilin vetvetiu, është kockëzuar me identitetin e autorit, lulëzon falë ushqimit me talentin.
Një poet i pasigurt do të kishte frikë të zhyste imagjinatën e tij në një materie perceptualisht më pak poetike, pa u mbështetur mirë në pjellorinë e fantastikes.
Pra, edhe pse me materie kaq konkrete mbarsur, kaq e prekshme, e ngarkuar, e lëndët, inpoetike në dukje, poezia e Marinaj vjen tek lexuesi sërish prej një dukurie jo aq lëndore sa i përket atij inspirimit të parë, prekjes së parë të imazhit, por më tepër ajo ndihet në formën e trandjeve të disa frekuencave valore. Ajo sillet vërtetë si një valëzim rrënqethës kur rrekesh të bashkohesh në këndimin dhe aktrimin e saj. Po ta perifrazojmë një varg të këtij vëllimi poetik, poeti na thotë se frekuenca e ndjenjave të tij mirëpret transmentimin e zërit tonë.
Duke u zhytur lexuesi në frekuencat e kësaj poezie trazohet si në një seancë këndim-rrëfimi afër shenjtërimit. Tingujt muzikor kanë hyrë dukshmën në poezinë e Marinaj, duke zhvendosur fjalët me kuptimin e tyre të beftë zanor, pastaj zbulesat poetike, pasi tingulli ka lakuar melodinë e poezisë, sillen si fjalë në formën e rrathëve koncentrikë edhe shënohen me një vërtetësi të ndjerë bukur nga poeti. Të ndiesh bukur, është një tjetër e sjellë humane që s’i ndodh kujtdo. Nëse rrëshqet vështrimimin mbi vargjet:
“Fryma e malësores holluar në tinguj.
zgjoi ngadalë bjeshkët e përgjumura”
dëgjon konkretisht gjallimin e këtyre tingujve poetikë:
“Pishë më pishë e ah më ah
rrënjët e njoma nëpër lëndina
Ndjenë ardhjen e qumështit të parë.
Luleshtrydhet u kthehen para kohe në urtyta”
(Shih “Këngëtarja e bjeshkëve”).
Tingullit të rrëfimit poetik të Gjekë Marinaj i shtohet si zë muzikor edhe dukuria e metrikës së vargjeve harmonike, nota muzikore të së cilës i përbashkohen një kompozimi të veçantë tingullor edhe më të plotë. Edhe pse stilemat poetike kanë ndërruar modë sot, poeti Gjekë Marinaj nuk ka drojë se duke gdhendur vargje në forma të prera klasike do të humbas së paku shije për modën ose modernitetin e sotëm poetik.
Marinaj madje e pasuron lulesën metaforike të vargjeve me muzikalitet përbri të jashtëzakonshmes deri në nuanca sharmante. Vargjet qëndrojnë të mahnitshëm edhe kur janë përplot me muzikalitet, ato sikur komunikojnë me formatin tjetër të vjershërimit për të mos e lodhur shijen e veshit të lexuesit prej shpërthimit të muzikorit si një instrument në varg, sepse poeti Marinaj gjen metafora të jashtëzakonshme për të sjellë atë që do-të gjithën poezi. Kjo ndodh shi tek poezia “Ku kam qenë mbrëmë” dhe poeti që thotë:
“Ku lumi ndal të lidh fjongon
Ku valëzimi i ujit ëmbël rimon
Ku penat vijnë të mendohen
Ku hëna gjatë natës përgjon”
Deri ku mundet të shkojë frekuenca metaforike e kësaj poezie, kur fryma të mbahet edhe ritmikisht nga mahnitja prej lumit që “ndal të lidh fjongon”.
Në metamorfozën poetike
Poezia e Gjekë Marinaj siç thashë më lart të përpin në zhytje dhe kjo nuk qëndron larg asaj që përjeton poeti në vetvete, për vete dhe të tjerët. Në të gjithë vëllimin poetik poeti mban një distancë të bukur nga egoja e tij, ndërsa rreket në kërkim të dritës shpirtërore që sapo na e thotë me vargje e forma, e tema artistike, Ai, pra, rend të pohoj në vargje atë që jo më larg e ka parë e ditur në jetë. Në një intervistë dhënë për të përditshmen “TemA” në Shqipëri, ku pohon se “shpirtërisht jam vendlindja“, Marinaj është shprehur se “si poet e gjej veten të zhytur përherë e më shumë në dritën e estetikës, të studimit të përhershëm të artit të bukurisë në jetë”.
Duket se Gjekë Marinaj përballet me një ndriçim të atillë që do të na e thotë në poezinë “Lutjet e së dielës” derisa sa të dalim tek metafora e çuditshme “Lutje në ditën e tetë të javës” përdorur në një njërën nga poezitë që ka pagëzuar edhe vëllimin poetik me emrin e saj. Le të shkruajmë të plotë këtë poezi që do të zëvendësojë njëkohshëm pohimin e poetit për veten në publik:
“Këtë të dielë u luta për Republikën.
Kanibalët të shpërthejnë kthetra
e të bëhen kafshë.
Kafshët të zbuten e të bëhen humane.
Humanët të lëshojnë krahë
e të bëhen engjëj.
Engjëjt të zbresin nga Parajsa
e të bëhen poetë.
Poetët të shkrihen në vargje
e të bëhen poezi.
Poezia të pësojë një tjetër metamorfozë
e të bëhet
Prova e së vërtetës objektive të Platonit”
Prore këtyre vargjeve, logjikisht na del në funksion të zbulimit që të kuptojmë edhe se çfarë është dita e tetë e javës. Në metamorfozën poetike të Gjekë Marinaj, shpallur si një lutje sublime në formatin e saj përshkrues mund të kuptojmë edhe shkakun e këtij dëshirimi poetik për këtë lloj metamorfoze të ëndërruar me aq shumë sinqeritet. E kështu gjejmë kuptimin, por edhe kështu saktë si lexues ndiejmë edhe nevojën e “ditës së tetë të javës “. Abastraktimi i ditëve e ka një arsye; çbërja e gjasave jetësore dhe lutja për fenomenin e përmbysjes ka të bëjë me konsumimimin e universit moral, shqisor e ndiesor të njeriut, por Marinaj nuk shpërfaq figuracione surreale për lexuesin në këtë shfytyrim, por kundër “rrymës” në mënyrë të habitshme ndërron rrjedhën e metamorfozës, që rëndom në arte e letërsi shfaqet me rënien, qoftë kjo edhe një rënie metaforike.
Gjekë Marinaj si poet këndell ngritjen, shpresën, por në një variant të besueshëm e organik, ai e shqetëson të gjithë dukurinë e shdërrimeve me një shtyrje të frekuencave shpirtërore deri në lartësim (duhet t’i mbetemi besnik fjalës frekuencë deri në fund, sepse siç e thotë edhe vetë poeti, poezia e tij nuk mund të interpretohet pa frekuencat si dukuri). Pra, kemi rënë tashmë nën frekunecat e poezisë së tij. Edhe në një grupim të caktuar stilemash poetike me temë humane, filozofike e më gjerë, poeti ka me vete besimin dhe energjinë e ekzekutimit të asaj që beson, sikur një shenjt. Duhet thënë se të gjitha përcaktimet që bëjmë për poetin nuk janë stisje të rastit. Vetë gjurmët e të shkruarës në poezi mbartin mesazhe të kësaj natyre, që shquajnë poetin, vargun, metaforën në një një kod të ngjeshur poetik, megjithatë të shprehur qartë e të perceptuar qartë.
Poezia digjet, pa lënë hi në sytë e poetëve…
Poeti ka të drejtë kur thotë se ai na dhuron frekunecat dhe ne marrin zërin prej poezisë së tij. Poezia e tij ka ndikimin e njëjtë me një prekje magjike çudibërëse. Fjala dhe frekunecat valore, turbulluese, drithëruese sido që ta shkatojnë prekjen janë lënda e parë e poezisë që të nxit aftësinë për t’u perceptuar qartë. Shih tek poezia ku kam qenë mbrëmë, poeti dëshmon se këto tinguj, kjo muzikë këto frekuenca janë të pranishme, ato duket sikur lundrojnë në imagjinatë me shpejtësi dhe na nxissin në lëvizje, na zgjojnë një ndjesi të mirë dikur të mrolur. Në lundrim pas zhytjes së ëndshme gjendemi atje ndaj vargjeve të poetit:
“Ku brigjet janë mëse metafora.
Ku uji flet në rrokje me saktësi.
Ku yjet zbrazin shkëlqimin.
Ku dallgët takohen në fshehtësi.”
Besimi në qenësinë e jetës, frymës e shpirtit ka një ligjësi që pasuron njeriun brenda poetit dhe pastaj poetin brenda njeriut. Kështu si më sipër foli ai poeti, ndërsa i thotë Gjekë Marinaj njeriut:
“Ku zoti mban syrin e gjelbër
Ku lumi rrjedh dhe vezullon
Ku poezia qiellin fort godet
Ku poeti fjalë të reja flakëron.”
Poezia sipas Marinaj është më e brishtë se jeta, universi, Zoti vet.
“Digjet pa lënë hi
Në sytë e poetëve
E njelmëta e lotit të Njeriut dhe Zotit
Më shumë se një grusht flakë për Feniksin”
Përveçse e drojtur për arsye se i nevojitet brishtësia në konsistencën e saj si krijesë e ngjizur e gjallnuese, poezia e Marinaj nuk është inferiore në rrafshin universal. Ajo mandej, është dukuri lëndore që shkakton kaq shumë dukuri frymore. Poeti thotë tek “Poezia”, fq 71 se :
“Çdo fjalë
lëshon tinguj marramendës
nga kontakti i filozofisë
me ndjenjën.”
Marrëdhëniet intime me poezinë
Sapo u njohëm me rrethinat poetike të Gjekë Marinaj, marrëdhëniet e tij intime me poezinë dhe prurjet e reja në vargje, por nuk do të mjaftonte kjo nëse do të linim pa përmendur një varg metaforash, hiperbolash e stilemash poetike të rralla, befasuese, të cilat e bëjnë edhe më të veçantë poezinë e Marinaj. Për shembull : vajza që ka dashur dikur poeti- “diellin e dehte me fytyrën e bardhë “, puthja e parë – “fijen që më lidhte me botën e digjte” nga mungesa-“ëndrrat të përlotura në fytyrë u zbehnë “, pranvera-“i zhvishet si një metaforë e shpikur prej diellit”, poeti Gjekë-“si një breg i zhgënjyer nga magjitë e bukura të detit”, ndërsa në ëndërr nëna i shfaqet mes dhimbjes paradoksale- “Ajo është tepër e re që të vdes/E tepër e lodhur që të rroj”. Ende ke rast të dallosh figurat letrare kur:
“Duart e nënës janë mozaik hallesh
Duart e saj prej shenjti
Porte ku vaporët e vuajtjeve
Ndalojnë për të kaluara natën”
E gjithë struktura tematike e këtij vëllimi përmblidhet në një mozaik hallesh, gëzimesh e lumturish të përbotshme, por poezia e Marinaj, në thelb, nuk të lë kurrrë kohë të merresh gjatë me objektin tematik. Në asnjë rast tema poetike për këtë poet nuk është qëllim në vetvete. Poezia e tij vjen e mbartur, madje pa kohë, pa moshë. Jo rrallë temat janë marrë nga Shqipëria ku kaloi rininë e hershme poeti, ndërsa kënga (vargu) këndohet atje në Amerikë, ku ai jeton prej 17 vjetësh dhe është vlerësuar nga poetët e mëdhenjë amerikanë.
Polisferat
Të flasësh mbi poezinë e Marinaj të duhet të lundosh shpesh nëpër poli-sferat e të gjithë materies së tij poetike. Sapo prek njërin vëllim, me siguri ngel gjatë aty, zë bashkohesh me zërin e vargut dhe nuk rresht së zbuluari gjithandej, mënyrën si poeti këngëzon poezinë, mënyrën si poeti të elektrizon me ndjesitë, mënyrën si poeti të shqetëson me shqetësimin e tij, të bën të dashurosh për dashurinë e tij, mënyrën se si poeti të përul deri në përbetim në besimin e tij. Mënyra si do e dashuron ky poet për shumë të tjerë ndoshta është një shpresë e së ardhmes… ! Në këtë vëllim lexuesi do të dridhet nga rezonancat e një energjie ndijesore, inteligjente, erotike dhe hyjnore.
Titulli i mësipërm imi, Poezia e Gjekë Marinaj si fletë bible, ndikohet nga shtresëzime të vargut e të poli-sferave parardhëse të krijimtarisë së tij, përveç zbulesave të aktit poetik që lë më pas një gjurmë besimi të përkorë tek lexuesi. Akti poetik është i përkryer falë kërkimeve në strukturën e figurën poetike, po aq sa në dashuri. Shi, janë këto që krijojnë edhe marrëdhënien më intime të poezisë me poetin, sekretin e vetëm që mezi shquhet nga lexuesi, ndërsa shtresëzimet e mëpastajme shtyhen në një rreth tjetër marrëdhëniesh, pas intimes si shkak, tek mendimet publike të poetit për jetën, njeriun dhe Zotin, të cilat të shtyjnë deri në skajin e një filozofie rishtare që në rastin konkret për të mbetur kjo përvojë-përvuatje trashëgimi…-kryqëzohet sot jo më Krishti, por Poezia, Poeti. Këtu ndan dhe afron tepër-poezia e Marinaj, sikur thashë, “si fletë Bible “.
Sugjerim me zë të ulët
Në një shtrëngatë paradoksesh mes lëvizjes së imagjinatës dhe gjakut, poezia e Marinaj ofron një dashuri të madhe njerëzore, nëpër vargjet e tij takon njerëzit e dashur ; nëna, babai, gruaja, nëna e shokut, miqtë dhe gjithësecili qaset si një zbulim i poetit-që veç ai e njeh humanin të krijuar veçanërisht diku në mister në frymime të shenjta. Dashuria e madhe e poetit për njerëzit spikat qashtër në çastin kur zbulon se askush prej personazhit të një poezie nuk i ngjan tjetrit.
Zemra e poetit e ndjeshme i sheh aq hollë këto qenie të dashura sa veç Krijuesi i tyre mund t’i shoh ashtu. Krijuesi i përbrendësuar në shpirt humani, me fill të kapur në tokën ku jeton njeriu e poeti është ndoshta vërtetë Zoti vetë. Pasi kemi kuptuar më mirë vargjet interesante tek poezia “Sugjerim me zë të ulët ” shtyhemi në meditim gjatë leximit të vëllimit poetik “Lutje në ditën e tetë të javës” shkruar nga Gjekë Marinaj:
“Një 60-ecavjeçar e pyeti
Nëse Zoti është një fakt i madh
Apo thjesht një ide e madhe
Duket se madje edhe për ty, në njërën
apo në tjetrën formë Zoti jeton, – i tha.
Edhe nëse nuk je i sigurt se ka Zot
Është mirë të besoh – vetëm në rast se ka”
Çfarë duhet thënë për poezinë e Gjekë Marinaj, nuk mbaron këtu…!
Botuar në gazetën TEMA (22-05-2008)