ROMANE ME VLERA POETIKE QË S’KANË MORT

0
Prend Buzhala - Mbi romanet e Anton Nikë Berishës

Prend Buzhala Pjesë nga studimi i ri monografik i Prend Buzhalës me titull “Mbi romanet e Anton Nikë Berishës”. Shtëpia botuese “Razofa”, Prishtinë 2025

  1. Veprimtari e vijueshme

Anton Nikë Berisha hyn ndër figurat epiqendrore të letërsisë shqipe. Duke krijuar në heshtje, qe disa dekada, ai i ka ikur statusit të kultit; duke krijuar gjatë dekadave të fundit edhe jashtë Atdheut, aty ku hapësirën qiellore të botës arbërore nuk e therin simbolet e tjetërsimit: për ta ruajtur qenësinë e artit letrar, po edhe qenësinë e shpirtit të shpirtit. Të shpirtit të shqiptarit.

Shkrimi për një figurë të tillë epiqendrore, në këtë rast për Anton N. Berishën, aq sa është pjesë e kulturës gjithë shqiptare, për aq është edhe pjesë e lëvizjeve moderne arbërore/ shqiptare të identitetit shpirtëror, kulturor e nacional. Teksti i tij letrar nuk merr fund. Libri nuk pran. Posi gjakimi për jetën: është dita që nuk donte të mbaronte. Vijnë njëri pas tjetrit libra studimorë letrarë, letërsi për fëmijë, romane, monografi, vëllime me materiale të letërsisë gojore, antologji poetike, vëllime me poezi të zgjedhura të poetëve shqiptarë… arrijnë në rreth 50 tituj. E, Anton N. Berisha, qe disa dekada, ka një interesim të vazhdueshëm e të thelluar, si për botën shqiptare, ashtu edhe për botën arbëreshe: nga fushat e folkloristikës dhe të historisë së letërsisë, nga ato të kritikës letrare e të trashëgimisë shpirtërore e materiale.

Udhëtojnë drejt nesh e brenda nesh mesazhi i së përkryerës. Vlerat që nuk kanë mort. Bukuria e të shkruarit. Një Kosmogoni e tërë letrare. Është kohë tejdinamike e shndërrimeve dhe e shpërndërrimeve, libri sot përhapet edhe në trajtën digjitale, është një epokë në kapërcyell të ndryshimeve a të mohimeve aty për aty e që nuk marrin fund; sh/tradicionalizimesh theqafëse, zh/vlerësimesh postmoderne brigje-brigje kundruall letërsisë moderne…

Mirëpo, Libri i Anton N. Berishës, nuk pran se nuk pran. Nuk pushon së shkruari Libri ynë Klasik për arsye se teksti linear, me ndërtekstin, mbitekstin a metatekstin, nuk arrin ta prishë këtë konfigurim. Libri është aty: “Në fundin tim është fillimi im”.

  1. Fjala diskursive

Shkrimi letrar diskursiv i Anton Nikë Berishës përbën një model të veçantë krijues e mendor, përbën këndshikime të pasura të interpretimit të veprës letrare, përbën kompetencën e shkrimit, përbën metoda e mjete metodologjike të nduarnduarta në përcjelljen e zhvillimit e të lërimit të letërsisë sonë, që shquajnë, në radhë të parë, argumentin teorik, po edhe shqiptimin shkoqitës interpretues e shtresor të veprës letrare.

Në rreth njëzet vëllimet monografike, kritiko-letrare, studimore a teorike-letrare (“Përkime poetike” 1978, “Mundësi interpretimi” 1979, “Çështje të letërsisë gojore” 1982, “Teksti poetik” 1985, “Mbi letërsinë gojore” 1987, “Shumësia kuptimore” 1990, “Vepra letrare e Martin Camajt” 1994, “Ernest Koliqi poet e prozator” 1995, “Veçanti ligjërimesh poetike” 1996, “Tre saggi sull’ opere di Giuseppe Schirò” 1997, “Mbi tri vepra poetike të Zef Skiroit” 1997, “Qasje poetikës së letërsisë gojore” 1998, “Mbi letërsinë e arbëreshëve të Italisë” (Pjesa e parë) 2000, “Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë” 2001, “Poezia për fëmijë e Mark Krasniqit” 2001, “Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë/ Vëzhgime mbi artin poetik të Fishtës” 2003, “Su due opere di Girolamo De Rada”.

I canti di Milosao. Scanderbeg sfortunato. Palermo 2004, “Thelbësorja e besimit dhe e lutjeve të Nënës Tereze” 2005, “Çështje teorike të letërsisë”, “Njëmendësia e fjalëve” 2006, “Nëna Tereze: jeta është vetë jeta e Zotit në ne” 2007, “Testamenti shpirtëror i Nënës Tereze” 2008, “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë” 2008, “Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij” 2008 etj.); ai kalon nga trajtimi eseistik i çështjeve, i temave dhe i problemeve, në vështrimin, në kritikën e mirëfilltë letrare, deri te format më të thelluara e më të ndërlikuara të krijimtarisë mendore, sikurse janë studimet monografike për Martin Camajn, Ernest Koliqin, Zef Skiroin, Fishtën, M. Krasniqin. Interesimet e tij janë të gjera: që nga fushat e folkloristikës dhe të historisë së letërsisë, nga ato të kritikës letrare e të historisë së trashëgimisë shpirtërore e materiale e deri te teoritë letrare dhe estetika.

Brenda gjithë kësaj që u tha më lart, mbizotëruese e fjalës diskursive do të jenë qenësia, parimi estetik i shumësisë kuptimore, veçantia e mëvetësia e veprës e jo kulti i biografemës. Shqiptimi i gjykimeve vlerësuese do të mbështetet gjithnjë në rrjetën nocionore e thellësore të tekstit letrar.

  1. Në vend të kultit të biografemës, qenësia e mëvetësia e veprës

Veprat e botuar kritike e studimore pas vitit 1990 nuk do të jenë vetëm tregues letrarë të krijimit të letërsisë shqipe sot, po edhe tregues për të djeshmen gjysmëshekullore përplot pengesa e mohime; do të jenë tregues të alternativës letrare të disidencës e të zhvillimeve letrare jashtë kontekstit “zyrtar” shoqëror të krijimit të letërsisë, pa mistifikuar apo zmadhuar asgjë në këtë drejtim. Mbizotëruese e interpretimit dhe e ligjërimit kritik të veprave të Anton N. Berishës do të jenë qenësia, veçantia dhe veçantia e veprës e jo të dhënat biografike e konteksti shoqëror politik, ani se shumëçka do të kishte mundësi të thoshte në këtë drejtim; mbizotëruese e interpretimit dhe e ligjërimit kritik, po ashtu, do të jetë parimi estetik i shumësisë kuptimore, që e shënjon edhe në titullin e një vepre, e jo thjeshtëzimet e saj. Në këtë aspekt, kjo kritikë do t`u japë përgjigje kërkesave të shumta që shtron problematika e ndërlikuar e veprës letrare dhe e tekstit letrar përgjithësisht.

Teksti kritik i Berishës, pasi e merr në trajtim interpretues e zhvillues veprën e caktuar letrare, tregon se cili është identiteti e fytyra e asaj vepre; kërkesë, kjo, shpesh e pa arritshme për shumë studiues e kritikë letrarë, për t`i ikur improvizimit interpretues, që nuk do të thoshte asgjë. Së këndejmi teksti kritik i këtij studiuesi të përkushtuar arrin të përthurë edhe aksiologjinë e vet letrare. Duke i theksuar disa nga veçoritë që e përballojnë objektivitetin e tekstit kritik të Anton Berishës, kjo s`do të thotë se ai nuk e ka ndërtuar edhe identitetin e tij personal kritik; çfarëdo shkalle të lartë të objektivitetit që do të mundë të kishte shkrimi; ai megjithatë është krijim personal.

  1. Fjala Artistike

Atë që ky krijues s’ka arritur ta paraqesë përmes fjalës diskursive, do ta artikulojë dhe do ta nuancojë përmes motrës së saj ligjërimore, fjalës artistike. Universin e tij letrar të fjalës artistike e përbëjnë, fillimisht, librat e poezive për fëmijë “Kthimi i Skënderbeut në Krujë” (1970), “Pilivesa e flakëruar” poemë-përrallë (1980) dhe romanet për fëmijë “Motra kërkon vëllezërit” (1984) dhe “E Bukura e Dheut” (1989), për të vazhduar ta pushtojë hapësirën tonë letrare me romanet për të rritur: “Bimorja” (1993), “Gjin Bardhela i arbresh – Etja e gurëzuar” (2002), “Nëna e Dritës” – roman për Gonxhe Bojaxhiun – Nënën Tereze (2004) dhe “Ferri i lodhur” (2007).

Nëse letërsia për fëmijë e Anton N. Berishës ndërthur poetikën e legjendave, të përrallave e të gojëdhënave të letërsisë gojore, të stilit narrativ të përrallës si dhe të fantastikës letrare që i shkon botës kureshtare të fëmijëve, në prozën për të rritur ai ka përzgjedhur katër kika romanore të qenies e të qenësisë sonë, të identitetit e të traditës së mbijetimit shpirtëror: rezistencën shqiptare dhe kapitullin tragjik të shekullit XVII – zhvarrimin e arqipeshkvit, teologut, filozofit, eseistit, dijetarit e atdhetarit Pjetër Bogdanit, si predikues i shqiptarizmit, humanizmit e dijes e si hero kryengritës në mesin e popullit (”Bimorja”); elementet e trashëgimisë shpirtërore, të jetës e të mendësisë arbëreshe – shqiptare, (“Gjin Bardhela i arbresh – Etja e gurëzuar”); të realizimit denjësisht e artistikisht të shëmbëlltyrës së Nënës Tereze, ku thellësitë e narracionit realizohen me pjekuri artistike nëpërmes gërshetimit të faction-it me fikction-in, duke e paraqitur ndërliqshëm portretin shpirtëror e jetësor të Nënës së Dritës, në disa plane, si humaniste, si personazh që e do Atdheun e saj, që e do familjen e, mbi të gjitha, njerëzimin, një portret shumëzërësh që shtrihet në hartën e leximit botëror, me frymën e thelbit shqiptar (“Nëna e Dritës” – roman për Gonxhe Bojaxhiun – Nënën Tereze); si dhe të rezistencës dhe të pësimeve shpirtërore gjatë luftës së fundit Kosovë në romanin “Ferri i lodhur”.

  1. Shumësia e për/qasjeve

Gjakimi i Anton Nikë Berishës për trashëgiminë tonë shpirtërore e për të bukurën s’ka të ndalur. I tunduar nga kërkesa të shumta shpirtërore “për t’u ballafaquar me vetveten”, sikundër thotë vetë ai në një rast, këto nevoja të brendshme e kërkesa përdegëzohen në shumë anë, por që kanë një entitet, në “të njëjtin trung dhe të njëjtat rrënjë[1]”.

Janë rreth dhjetë vëllime nga letërsia gojore (këngë, anekdota, përralla), që i ka botuar, ose së bashku me Anton Çettën apo me ndonjë autor tjetër ose vetë; janë, po ashtu, disa antologji të letërsisë sonë (përrallës, tregimit, poezisë së përshpirtshme, këngëve kreshnike) që i ka hartuar me kompetencën e shijes së veçantë artistike; janë vëllimet me poezi të zgjedhura të Mirko Gashit, Visar Zhitit, Di Maxhos, Vorea Ujkos, Perrones, E. Skutarit, Azem Shkrelit, Ramadan Mehmetit, Jeton Kelmendit e të vëllimeve me punime të Anton Harapit, A. Çettës, Bernardin Palajt, Marin Sirdanit etj.; numra tematikë të revistës “Jeta e re”, që e shfaqin në një dritë tjetër shumësie e për/qasjesh pasurinë e tij shpirtërore, thellësitë e dijes së gjithanshme, shijen, shumësinë e rigjetjes së vetvetes nëpër trajta të ndryshme të komunikimit.

Janë ndërkomunikimet e kumtet e tij të shumta letrare që e pasurojnë habitshëm horizontin e pritjes e të receptimit tonë letrar: anatema politike e letrare ndaj vlerave tona të ndaluara e të përndjekura, bëhet pluhur e hi përpara universit dituror e ndërkomunikues të Berishës. Është renesanca e zbulimit të vlerave estetike.

[1] “Shtjellimi gjuhësor poetik e bën shpirtin e veprës letrare”, intervistë te gazeta “Bota sot”, 19 dhjetor 2004, f. 19. Intervistën e zhvilloi Enver S. Morina.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.