Media sipas Berishës

0
29

Mero Baze

Nga Mero Baze

Nëse ka një pasqyrë ku çdo njeri mund të shikojë se çfarë nënkupton me media profesionale dhe liri shtypi kryeministri Berisha, duhet të ketë durimin të shikojë një ditë Radiotelevizionin Publik në Shqipëri. Aty përmblidhen në mënyrë të koncentruar shijet e kryeministri Berisha për lirinë e medies, shijet e kryeministrit Berisha për nivelin profesional të gazetarëve, shijet e kryeministrit Berisha për sjelljen e pronarëve ndaj gazetarëve dhe mbi të gjitha shijet e kryeministrit Berisha për hapësirën që duhet t’i japë debatit publik në vend në një media.

Në mënyrë të koncentruar pas siglës RTVSh, të gjithë mund të kuptojnë, pa qenë nevoja të bëjnë studime të tjera, ç’është liria e medies në Shqipëri sipas Sali Berishës dhe çfarë të ardhmeje ka media në Shqipëri sipas Sali Berishës.

Ky institucion vazhdon të jetë një shans i humbur për të ndërtuar një media, në të cilën të respektohen, jo vetëm qytetarët shqiptarë, të cilët paguajnë taksa për të, por të jetë dhe modeli i respektit të dinjitetit të gazetarit dhe pse jo një model profesionalizmi. Ky institucion vazhdon të jetë modeli si përdhunohet gazetaria nga njerëz mediokër, me profesion magazinier, elektricist apo roje godinash që përfundojnë drejtorë dhe shefa të gazetarëve. Ky institucion vazhdon të jetë modeli se si gazetaria korruptohet dhe përdhunohet, duke u kthyer në një shërbëtore pa dinjitet dhe ku objektivi ditor i atyre që vetëquhen gazetarë apo shefave të tyre është si të bien në sy si shërbëtorë sa më të zellshëm.

Ky bilanc i hidhur i transmetuesit publik është pasqyruar qartë dhe në Progres-raportin e Komisionit Evropian që u bë dje publik. Raporti akuzon RTVSh se nuk ka garantuar plotësisht me rregulla të qarta kohën e transmetimit të barabartë për të gjitha partitë politike. Po ashtu raporti theksonte se, “reforma e transmetuesit publik është bllokuar dhe se kontrolli i vazhdueshëm i qeverisë ka ndikuar negativisht në pavarësinë e institucionit.”

Pra, përveç opinionit negativ shqiptar mbi këtë pasuri kombëtare, ekziston tashmë dhe një dokument ndërkombëtar, që qeveria shqiptare thotë se do ta kthejë në axhendë të punës së saj, i cili e konsideron këtë stacion një celulë propagandistike qeveritare.

Duke qenë se, sa herë Berisha përfshihet në polemika publike me gazetarët kritikë ndaj tij, shpik arsye të paqena për dhunimin e lirisë së medies në Shqipëri, tashmë e tutje ne duhet ta detyrojmë atë me të gjitha mjetet që të ballafaqohet me modelin mediatik zyrtar të prodhuar prej tij, RTVSh, si dhe modelet mediatike private, TV Klan dhe gazeta “55”.

Problemi në këtë rast nuk është se duhet të etiketojmë median private, por për median private të lidhur me Berishën taksapaguesit shqiptarë paguajnë më shumë sesa për RTVSh. Nëse bën një inventar të tenderëve publikë që ka përfituar pronari i gazetës “55” dhe i TV Klan, shifrat i afrohen 100 milionë eurove, ndërkohë që Televizioni publik është disa herë më i varfër. Pra problemi i Berishës me modelin e tij mediatik është më i madh se RTVSh dhe më i rrezikshëm për të ardhmen e medies në vend.

Nëse dhjetë vjet më parë dyshja Meta-Rama prodhuan modelin e gazetave private në funksion të qeverisë, pra prodhuan këtë regjim mediatik, tanimë ky regjim është në shërbim të pushtetit duke përdorur njësoj si media publike paratë e qytetarëve shqiptarë. Ky regjim mediatik është fanatik, gati taleban në raport me fshehjen e historive që shqetësojnë qeverinë dhe agresiv ndaj kujtdo që i cenon asaj interesat.

Për këtë arsye protestat ndaj modelit të RTVSh publik shikohen me skepticizëm, pasi shumë njerëz shikojnë se qeveria ka prodhuar të ngjashmit e tyre me pronarë privatë. Shumë njerëz, përfshi zotin Lubonja dhe mua, kanë hequr dorë nga përpjekjet e

tyre personale apo profesionale për të ndryshuar diçka në atë gërmadhë ku fshihen minjtë e pushtetit, të cilët brejnë çdo ditë profesionin e gazetarit dhe vlerat njerëzore në këtë vend. Dhe ne kemi dhënë kontributin tonë për t’i hapur rrugën rrudhjes së hapësirës së medies publike në Shqipëri, duke e lënë në dorë të matrapazëve ordinerë dhe njerëzve pa skrupull të pushtetit. Dhe kur i ke hapur rrugën një budallai në krye të RTVSh, natyrisht s’të duket më krim të legjitimosh fenomenin Frangaj apo Balliu në median shqiptare, edhe pse këta të dytët u marrin shqiptarëve më shumë pará se RTVSh për t’i shërbyer Sali Berishës.

Ndaj duhet ndryshuar qasja ndaj RTVSh dhe gjithë modelit mediatik që po prodhon Berisha. Ndaj tyre duhet nisur lufta në çdo front, madje dhe atë personal. Protestat ndaj RTVSh duhen inkurajuar, jo në emër të ringjalljes së RTVSh, por të krijimit të një modeli mediatik me standarde profesionale, i cili të bëhet strehë e botës gazetareske dhe vlerave të shoqërisë. RTVSh nuk prish vetëm disa miliona euro në vit, pasi dhjetëra herë më shumë prishin Frangaj dhe Balliu, por RTVSh prish kontratën e shoqërisë me pushtetin në një shoqëri demokratike. Një shoqëri e lirë e ka të natyrshme t’i kërkojë qeverisë së vet një transmetues publik, ku të ndjehen të përfaqësuar të gjithë dhe jo një televizion si ky i yni, ku e ke vështirë të besosh dhe parashikimin e motit, vetëm për shkak të dyshimit se nesër qeverisë mund t’i duhet një lajm që do jetë ditë e mirë.