Ballkani në sytë e Evropës

0
30

Nga Enver Robelli

Ose: A kishte pasur të drejtë kancelari gjerman Otto von Bismarck, kur thoshte se „vjedhësit e qengjave“ nuk duhet të kenë shtet?

Është një ritual që përsëritet çdo vit. Një mësues me shkop në dorë, i njohur në opinion me emrin Olli Rehn, shfaqet para armatës së mediave në Bruksel dhe tregon çfarë nota kanë marrë vendet e Ballkanit në dymbëdhjetë muajt e fundit. Shkurt e shqip situata duket kështu: Nëse nuk ndodhë diçka e papritur, Kroacia më 1 janar 2011 do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Bosnjë-Hercegovinës ende i duhet një mbret ndërkombëtar, i cili moderon mes gjelave grindavecë të fabrikës politike.

Gjasat që ky vend t’i bashkohet BE-së janë të vogla: Në vitet e ardhshme politikanët boshnjakë, serbë dhe kroatë të Bosnjës duhet të dalin nga gropat etnike dhe të merren vesh për reforma, të cilat e bëjnë këtë vend sadopak funksional. Kështu siç është Bosnja nuk mund të bëhet pjesë e BE-së: Me një qeveri të dobët qendrore, me dy republika pothuaj të pavarura, me dhjetë kantone është e pamundshme që vendi të ecë përpara. Të gjitha këto institucione janë përgjegjëse për vetëm 4,5 milionë banorë. Kjo i bie sikur Gjermania me 82 milionë banorë të kishte 4240 ministri! Shanse për të hyrë në BE do të ketë edhe Maqedonia, jo pse ky vend dallon shumë nga shtetet fqinje, por për shkak se në Bruksel është pjekur mendimi se nëse zbehet perspektiva evropiane, atëherë Republika e Vardarit shpejt mund të fundoset.

Nga Mali i Zi dhe Serbia do të kërkohen më shumë reforma. Në rastin e Serbisë BE me gjasë do të vazhdojë të mbyllë njërin sy, sepse ky vend shikohet si lokomotivë e Ballkanit dhe si faktor stabiliteti. Në fakt Beogradi është faktori kryesor i destabilizimit në Ballkan. Si në Bosnjë ashtu dhe në Kosovë Serbia nuk është duke ndihmuar në stabilizimin e gjendjes, por është duke sabotuar bashkësinë ndërkombëtare. Për shembull: Serbia synon të integrohet në BE dhe njëkohësisht saboton politikën e BE-së në Kosovë, duke financuar institucione ilegale. Në Bosnjë Beogradi nuk ushtron presion kundër kryeministrit të serbëve të Bosnjës Milorad Dodik, i cili me retorikën e tij negacioniste është duke hedhur kripë në plagët ende të hapura të këtij vendi.

Varrmihësi i buzëqeshur

Në raportin e fundit të BE-së mbi progresin e vendeve të Ballkanit Kosova ka marrë notat më të këqija nga të gjitha vendet e rajonit. Janë nota jokaluese, të cilat e detyrojnë Kosovën të vendnumërojë. Reagimi i politikanëve të pushtetit ishte i habitshëm. Duke e lavdëruar raportin synohej largimi i vëmendjes së opinionit nga kritika e ashpër që Brukseli i bënte institucioneve të Kosovës. Dikush mund ta quajë raportin madhështor, por e vërteta është se raporti e përshkruan Kosovën si shtet të dështuar, një lloj Sierra Leone ne bisht të Evropës. Ata që mendojnë se Brukseli pafundësisht do të jetë i gatshëm të financojë me para të gatshme këtë mënyrë të qeverisjes, gabojnë rëndë.

Megjithëkëtë, politikanët e Kosovës vazhdojnë të prodhojnë mjegull. Hajredin Kuçi, i cili njëkohësisht ushtron rolin e

zëvendëskryeministrit, drejtorit, kryeredaktorit, redaktorit të lajmeve në RTK dhe varrmihësit gazmor të demokracisë, këto ditë deklaroi për disa gazeta perëndimore se Kosova pas pesë (5!) vjetësh do të jetë pjesë e BE-së. Këtë optimizëm e ndan edhe presidenti Fatmir Sejdiu.

Prej nga vjen ky optimizëm? Thjesht ky optimizëm nuk ka asnjë bazë, është vetëm një shprehje dëshire. Shefi i EULEX-it në Kosovë Yves de Kermabon vetëm mund të tallet me planet pesëvjeçare të pushtetarëve të Kosovës. Ai thotë: Derisa çdo rrugë në Kosovë është “rrugë e kontrabandës”, BE mbetet një cak i largët. Përfaqësues të BE-së në Prishtinë thonë se “pesë vitet” e Hajredin Kuçit janë iluzion. Korrupsioni është i pranishëm në të gjitha shtresat e shoqërisë, ka thënë këto ditë një përfaqësues i lartë i EULEX-it për një gazetë gjermane. “Politikanët e rinj nuk kanë ide se si ta gjallërojnë ekonomikisht vendin e tyre. Kontrabanda me benzinë po rritet. Policia s’mund të kryejë punën e saj, sepse zyrtarët janë të lidhur me rrjetet e ndërlikuara familjare. Kur e do puna, ata ushtrojnë presion kundër hetuesve”, ka deklaruar ky ekspert.

Të shikojmë si duket puna me prodhimin bruto vendor: vetëm 10 për qind gjenerohet drejtpërdrejtë në Kosovë, 30 për qind nga prania ndërkombëtare dhe 30 për qind nga kosovarët e diasporës. „Derisa nuk kemi struktura të shtetit juridik, një drejtësi funksionale dhe një doganë funksionale, firmat ndërkombëtare nuk do të jetë të gatshme për investime të mëdha në Kosovë“, thotë një hetues i EULEX-it. A do të jetë e gatshme BE që përkundër stagnimit në Kosovë për çdo vit të paguajë 265 milionë euro për misionin e saj? Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, për fatin e tij të keq, ngaherë është bindur se mund ta kallajis realitetin përmes mediave të kontrolluara dhe përmes gazetarëve të korruptuar, të cilët prej vitesh, kur shkruajnë apo raportojnë, zakonisht preferojnë të qëndrojnë në gjunjë. Në fakt kundërefektet e gazetarisë së kanakarëve të oborrit po shihen që tani, në fillim të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. Të paktë janë ata që i marrin seriozisht premtimet e qeveritarëve, madje një rrezik i madh Thaçit i vjen pikërisht nga fidanët e tij gazetareskë, të cilët kur e lavdërojnë kryeministrin i bëjnë dëm edhe më të madh dhe e detyrojnë miletin të qesh kundër vullnetit. Disa kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët janë të pranueshëm për kryetarë të komunave të Kosovës, janë mbuluar nga hija e kandidatëve të tjerë të po kësaj partie, të cilët gjatë këtyre viteve kanë rënë në sy të opinionit vetëm si “drumski razbojnici”, pra si kusarë që kërkojnë bela.

“Bërllok etnik”?

Politikanë të tillë, të cilët nuk ekzistojnë vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera të Ballkanit, vetëm sa forcojnë skepticizmin e evropianoperëndimorëve kundër zgjerimit të BE-së. Paragjykimet ndaj Ballkanit janë të ngulitura thellë në kujtesën e njerëzve mes Berlinit dhe Parisit, Londrës dhe Vjenës. Poeti gjerman Goethe në “Faustin” e tij shkruante me përbuzje: “Kur atje larg në Turqi / Popujt godasin njëri-tjetrin”. Karl Marxi e kishte quajtur Ballkanin “bërllok etnik”, ndërsa kancelari gjerman Otto von Bismarck – duke folur për këtë rajon – kishte kundërshtuar krijimin e shteteve të vogla etnike për “vjedhës të qengjave”. Në sytë e shumë perëndimorëve elitat politike në Ballkan ende përbëhen ose dominohen nga “vjedhësit e qengjave”. Për fat të keq këtë paragjykim shpesh e mbështesin edhe disa politikanë të Ballkanit me sjelljet e tyre, me papërgjegjësi, mosdije, arrogancë, me

keqpërdorim të mjeteve publike.

Pyetja që zakonisht shtrojnë investitorët perëndimorë sa herë që ndërrohet ndonjë qeveri në Ballkan është kjo: A ka ndryshuar çmimi i tenderëve? A duhet paguar 10 apo 20 për qind për pushtetarët? Kështu, në sytë e perëndimorëve, Ballkani vazhdon të mbetet si gjithmonë: fuçi baruti, vatër trazirash, copëza shtetesh jofunksionale, trevë e heroizmave qesharakë dhe gjakmarrjes, prapambeturisë dhe varfërisë intelektuale. Gjatë udhëtimit nëpër Mal të Zi gazetari gjerman Egon Erwin Kisch në vitin 1913 kishte shkruar: “Ballkani shikohet me përbuzje prej një Ballkani edhe më të tmerrshëm, i cili quhet Evropë”.

Kjo mund të jetë pjesërisht e saktë edhe sot, por për dallim prej periudhës para një shekulli, sot Bashkimi Evropian në Ballkan është i pranishëm si udhërrëfyes drejt

një të ardhme më të mirë. Ky angazhim kushton miliarda euro. Prandaj, BE ka të drejtë të kërkojë rezultate. Deri në raportin e ardhshëm të progresit Kosova ka dy rrugë: ose të vazhdojë këtë stagnim në tunel ose të përmirësojë rrënjësisht performancën politike. Si porosi trishtuese këtu po e citojmë disidentin kroat Bruno Bushiq, i cili ishte vrarë në vitin 1978 në Paris nga shërbimi sekret jugosllav. Bushiq shkruante: “Kur të çlirohemi nga robëria serbe dhe të krijojmë shtetin, do ta shihni se si do të vjedhin këta tanët. Secili gjatë shekujve na ka vjedhur dhe

plaçkitur, por më e tmerrshme do të jetë kur të na vjedhin këta tanët dhe kur t’ia shesin pasurinë rrotave të s’ëmës nga gjithë bota dhe makro-vjedhësve. Do të vërsulen kundër nesh sikur shpendë grabitqarë. Atëherë pyetja më e madhe dhe më e pazgjidhshme do të jetë – si të shpëtojmë nga njerëzit tanë?”

* Marrë nga Koha Ditore