Super-vajza e matematikës: 100 pikë nga 100 të mundshme

4
70

Bora Starja

Bardha Nergjoni

Ajo tashmë ka një koleksion çertifikatash, medaljesh e vlerësimesh në matematikë dhe në konkurse të tjera. Dhe është vetëm 15 vjeç! Bora Starja së fundmi ka fituar Olimpiadën Mbarëkombëtare të Trojeve për matematikë. Me 100 pikët e mundshme! “Talent dhe punë. Punë sistematike! Nëse këto kombinohen, rezultatet janë maksimale” – thonë mësuesit për të. Vetë Bora të bën për vete ndërsa tregon për pasionin e veçantë, olimpiadat. “Deri në klasën e pestë nuk kam pasur ndonjë diferencim për lëndët që bëja në shkollë. Por pasi mora pjesë në olimpiadën e parë në klasën e katërt dëshira për të konkuruar e për të marrë pjesë në olimpiada e ktheu matematikën në pasionin tim”.

Olimpiadat, sfida të përvitshme

Konkurset dhe olimpiadat për Borën u bënë sfida të përvitshme. Në klasën e pestë merr çmim të parë në konkursin “Ti Shqipëri më jep nder” me rastin 95 vjetorit të pavarësisë. Në të njëjtin vit fiton olimpiadën e rrethit dhe olimpiadën kombëtare të matematikës. Ka pesë vjet rresht që kryeson renditjen në olimpiadën e matematikës për rrethi. Në klasë VII fillon të marrë pjesë në olimpiadën mbarëkombëtare të matematikës ku marrin pjesë nxënës nga të gjitha trojet shqiptare përtej kufijve ku përfshihen Mali i Zi, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe pjesa shqiptare e Serbisë. Në konkurimin e parë në këtë olimpiadë Bora merr çmim të dytë. Çmimi i parë dhe medalja e artë do të vijnë shpejt në klasën e tetë për të vazhduar në klasën e nëntë ku arrin të 100 pikët e mundëshme, rezultat që arrihet rrallë në këtë konkurrim, – sipas organizatorëve.

Emocioni i olimpiadës së Vlorës

Konkursi i Olimpiadës Mbarëkombëtare të Matematikës këtë vit është zhvilluar në Vlorë duke qenë edhe 100 vjetori i pavarësisë. Gjatë ceremonisë u ngrit edhe flamuri nga tre përfaqësues nga trevat shqiptare. “Për mua ishte një emocion i veçantë. Organizimi dhe nxjerrja e rezultateve brenda ditës e bëjnë një olimpiadë për t’u marrë shembull. Çdo nxënës kishte kodin e vet dhe testi përbehej nga 20 ushtrime me alternativa nga një pikë dhe 4 ushtrime me shtjellim me 20 pikë për çdo ushtrim” – tregon Bora. Në shpalljen e rezultateve ajo arriti 100 pikë të mundshme. Është maksimumi. “U ndjeva shumë mirë për këtë rezultat, – thotë 15 vjeçarja elbasanase.

Pasioni për matematikën, familjar

Prindërit janë një mbështetje e fortë për Borën duke e nxitur në pasionin e saj për matematikën dhe duke e mbështetur në vijimësi në pjesmarrjet në olimpiada. Diana Starja, nëna e Borës është e bindur se vajza është në rrugë të mbarë sepse matematika është baza e të gjitha profileve të shkencave ekzakte. Në fakt, pasioni për matematikën nuk është i rastësishëm. Nëna e Borës është mësuese matematike dhe ka realizuar një sërë tektesh për shkollat. “Jam e bindur që nëse Bora është mirë në matematikë mund të synojë çdo lloj dege që është lidhur me shkencat kompjuterike, mjekësinë, etj”.

Ushtrime, ushtrime, ushtrime…

Ndërsa flet mbi olimpiadat Bora tregon se duhet të punojë shumë me tekste me ushtrime matematikore pas detyrave shkollore. Synimi i Borës? “Sa më shumë ushtrime, sa më shumë ushtrime, – përsërit. Olimpiada ka gjëra plus, nuk ia del dot pa punë sistematike”. Vajza ka studiuar deri ën klasën e IX në shkollën “Imelda Lambertini”. Bora konkuroi edhe në konkursin shkencor të kolegjeve turke Turgut Ozal që u zhvillua në Durrës 22 prill. Kjo ishte një olimpiade për të gjitha lëndët shkencore. Rezultatet e arritura në këtë konkurs bënë që 15 vjeçarja të fitojë bursë të plotë për tre vjet me të drejtë regjistrimi në secilin nga kolegjet turke. “Nuk do të heq dorë nga olimpiadat dhe synoj të vazhdoj studimet në mjekësi gjenetike” – shprehet vajza. Në shtator Bora nis kolegjin turk dhe një fazë të re në jetën e saj. Ne të Shekullit i urojmë suksese.

Emri: Bora
Mbiemri: Starja
Mosha 15 vjeç
Vendlindja: Elbasan
Vendbanimi: Elbasan
Shkollimi: Klasa e 9-të shkolla “Imelda Lambertini”

4 KOMENTE

  1. bravo bora me te vertete e meriton … dua te te them dicka, edhe une kam pasion matematiken dhe e dua shume por une studioj ne nje shkolle ne thumane ne te cilen asnje mesues nuk te jep drejtim …sa do te doja te pakten te kisha mundesine te tregoja veten time duke studiuar ne nje shkolle ku do te kisha mesues te vertete…. dhe te premtoj dhe jam shume e sigurt qe do arrija shume ….

  2. Te kuptoj çdo te thote te kesh talent, te punosh dhe mos te kesh asnje shanc te tregosh punen tende…

  3. Jemi krenare per mbesen tone Bora, per suksesin e arritur.
    Me te vertete eshte per tu admiruar fale punes sistematike dhe meriton per studime te metjshme ne bote.
    Mbiemri jone Starja eshte i rspektuar, dhe shpresoj te mbahet i tille ne generatat ardhshme.
    Te pergezoj me zemer Bora.

Comments are closed.