Qëllohet me kaçavidë në fyt brenda burgut kreu i komunës Rrethina

0
29

Kleves Muja

Vetëm tre ditë pas arrestimit është plagosur kryetari i Komunës Rrethina të Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e burgut të Shën-Kollit. Sipas të dhënave paraprake, Kleves Muja, 38 vjeç, është plagosur me kaçavidë në fyt në burgun e Shën-Kollit në Lezhë nga i burgosuri Xheladin Kruja.

Muja është transportuar me urgjence në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore ndërsa vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë ai sapo ka dalë nga salla e operacionit dhe mjekët shprehen se ka një plagë pas koke dhe është në rrezik për jetën. Kirurgët nuk japin garanci për jetën e Mujës, sepse ka dëmtime edhe në tru.

Autori i ngjarjes Xheladin Kruja nga Shkodra e ka qëlluar Mujën me kaçavide gjatë kohës kur bashkë me të dënuarit e tjerë ishin në orarin e ajrosjes në burgun e Shën-Kollit. Dyshohet se mes Mujës dhe Krujës të ketë patur konflikte të vjetra. Do të jenë hetimet e mëtejshme që do të zbardhin shkaqet e plagosjes së rëndë në burgun e Shen-Kollit.

Autori vuan dënimin me 12 vjet burg për vrasje. Ndërkohë arrestimi i Kleves Mujës është kryer pasi autoritetet italiane të drejtësisë në Bari kanë lëshuar ndaj tij urdhër arrestin ndërkombëtar për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Muja, mori masën me 40 ditë burg me qëllim nisjen e procedurave për ekstradimin në Itali. /L.Kokaj/

* * *

Vlerësim të ligjshëm të arrestit të një dite më parë dhe caktim si masë sigurie burgim me afat 40 ditë për kryetarin e komunës Rrethina në Shkodër, ka vendosur gjykata e shkallës së parë në Shkodër.

Para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari, Arbër Çela, përfaqësuesi i akuzës, prokurori Ermir Lelçi ka lexuar akuzën “Trafik Ndërkombëtar Narkotikëve”, mbështetur në disa prova.

Pasi ka lexuar këto prova, prokurori Ermir Lelçi ka kërkuar vlerësimin si të ligjshëm të arrestimit të shtetasit Kleves Muja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë së shtetit të Italisë, mbi bazën e urdhër arrestit të caktuar me vendim nr 1101 RGNR-DDA-Nr 4898/06 RG GIP datë 29.10.2009 të Gjykatës së Barit Itali, për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të narkotikeve me datë 31.05.2011 nga Gjykata e Firences në Itali për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar narkotikëve parashikuara nga neni 81 dhe 110 i Kodit Penal Italian, ku maksimumi i dënimit është 20 vjet burgim, referuar nenit 283/a/2, 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Si masë sigurie, prokurori ka kërkuar që ndaj Mujës, të caktohet masa e sigurisë “arrest me burg” me afat 40 ditë. Vendimi do i njoftohet Ministrisë së Drejtësisë, në kohën më të shkurtër të mundur me qellim respektimin e afateve proceduriale mbi ekstradimin.

Avokati mbrojtës, Ardian Visha, ka kërkuar të rishikojë informacionin, provat që disponon organi i prokurorisë. Ai ka theksuar se lidhur me arrestin e Mujës ka paligjshmëri.

Sipas tij neni 495 ka të bëjë me një rast të ngutshëm kalimi tranzit të një shtetasi të kërkuar nga një vend anëtar. Shtetasi Kleves Muja është shtetas shqiptar jo vetëm i mirë lokalizuar nga autoritetet në Shkodër por dhe i përzgjedhur. Arresti i tij as nuk është dhe as nuk do jetë i ngushtëm dhe rasti i tij do ishte ai i rregulluar me një dispozitë me lart.

Lidhur me masën e kërkuar,Visha ka deklaruar se konventat e zbatueshme në këtë rast nuk urdhërojnë arrestin në burg dhe nuk disiplinon si masë sigurie arrestin në burg por sipas neni 493, 494 përshkruajnë nevojën e një mase shtrënguese.

Avokati Visha ka kërkuar zbutjen e masës së kërkuar nga prokurori, caktimin e një mase më të butë, arrest shtëpie, nisur dhe nga personaliteti i klientit të tij, i zgjedhur nga votuesit për të drejtuar komunën më të madhe në Shkodër ndërsa ka deklaruar se refuzohet ekstradimi në Itali sepse urdhër arresti është i 2009-ë. Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë dhe Kleves Mujës iu caktua si masë sigurie arrest me burg për 40 ditë. /Anila Dushi/

Shkodër, kërkohej në Itali për trafik droge, arrestohet kreu i komunës Rrethina

Është shoqëruar nga policia e Shkodrës,kryetari i komunës Rrethina në Shkodër, Kleves Muja. Burime nga policia e Shkodrës bëjnë të ditur se shoqërimi i kryekomunarit është bërë për Policinë e Shtetit në Tiranë e cila ka marrë një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga Italia për këtë shtetas.

Policia e Shkodrës e ka shoqëruar Mujën teksa ky po zbriste nga makina në lagjen “Rus” në Shkodër ndërsa sipas saj ndaj Mujës nuk ka ndonjë akuzë në Shkodër.

Kleves Muja u zgjosh kryetar i komunës Rrethina në Shkodër në zgjedhjet e 8 majit 2011 ku ai përfaqësonte PS dhe koalicionin e saj ndërsa fitoi përballë kandidatit të PD i cili kishte drejtuar këtë komunë në mandatin e mëparshëm. Komuna Rrethina është komuna më e madhe në qarkun e Shkodrës. /A.Dushi/