Përgjigja ime: Ku gabon shteti në Paktin me Greqinë

0
27

Myslmym Pasha, 20.10.2009

SFOND SA PËR FILLIM.
Më së fundi, përfaqësuesit e shtetit folën! Kjo duhet marrë si një shenjë e mirë. Se tanimë argumentet, duhet të ballafaqohen. Se tanimë nuk mund te ecet me hermetizëm. Se tanimë palë të tjera ekspertësh duhet të përfshihen në debat. Ajo që është e rëndësishme, marrëveshja tashmë po diskutohet dhe duhet të diskutohet më tej me publikun në hollësi.

Dhe më e rëndësishmja, ratifikimi mesa duket është shtyrë….
Përpara se të fillojmë të trajtojmë në veçanti njëri pas tjetrit argumentet e parashtruara nga shteti në mbrojtje të marrëveshjes aktuale mendojmë se është e nevojshme të mbahen parasysh për çdo argument këto pyetje:

1. Cili është interesi i palës shqiptare në trajtimin e argumentit specifik?

2. Çfarë lejon dhe ndalon Ligji Ndërkombëtar (Konventa) në gjetjen e konsesusit për marrëveshje?

3. Dhe ajo që është e më rëndësishmja – Cilat kanë qënë pretendimet (CLAIMS) e palës shqiptare në negociata? A ka patur pretendime pala shqiptare apo jo?

4. Cilin parim ka ndjekur pala shqiptare: parimin a baraslargësisë apo parimin e barazisë? Sepse ka pasur një debat të gjerë në çështjet e përcaktimit të kufijve detarë midis shteteve, por UNCLOS me Konventën e vitit 1982, qartazi ka kaluar prej termit: thjesht “equidistance” (barazlargësia) në “Equitable principles – Relevant circumstances” pra në: “parimin e barazisë – kushteve specifike”.

A është marrë parasysh kjo, në negociata?

Më poshtë ne do të trajtojmë argumente të përdorur nga shteti, duke dhënë versionin që sipas mendimit tonë duhet të kishte mbrojtur shteti shqiptar me qëllim mbrojtjen e interesave kombëtare.

Nuk do të merremi, ashtu siç merren përfaqësues të shtetit, me skica dhe grafika, spekulative, duke mos iu drejtuar parimeve bazë, të UNCLOS, prej së cilave Shqipëria më shumë se sa sipërfaqe ka humbur dinjitetin e saj.
Më poshtë një pjesë e argumenteve që kanë të bëjnë me disa parime bazë të sendërtimit të UNCLOS.

A DUHET TË DEBATOJME MBI NJE SKICË?

Dua të them shumë miqësisht, se të gjithë argumentet grafikë që janë sjellë, tregojnë shkoqur, se kemi një kuptim të skajshëm, midis të dy anëve (në fakt ne jemi një anë… se jemi tanët… e nuk jemi përballë palës fqinjë…) dhe ato në vend të sqarojnë nuk bëjnë gjë tjetër veçse e shtojnë hermetizmin.

Ju keni marrë për bazë një “skemë” me të cilën në media, për efekte të përceptimit pamor dhe kuptimësi prej të gjithëve, është përfytyruar, një “futje” në Otranto, ku veç vijave janë dhënë disa shigjeta si punë ” synimi” apo “prirjeje” gjithnjë në favor të idesë illustrative. Kaq.

Këtij i thonë spekulim i dukshëm. Studimi ka shumë skema të tjera që ju nuk i keni marrë për bazë. Në to, vërehen, pozicionimi sado skematik i pikës “150” ku mund të krijohet ideja që shqyrtohet. Ndërkaq, prej jush pritet që të sillni hartën e fundit, mbasi koordinanat janë tamam “si një kriptogramë”

Pse nuk e sillni?

A mund të veprohet në këtë mënyrë, duke mos sjellë hartën e shtetit që ju thoni “se e kemi, por nuk ia japim gjithkujt” (sipas një përgjigjeje në intervistë)?

Skicën e keni “konsideruar sikur ajo të jetë, një hartë” dhe aty kërkoni saktësi në paraqitjen grafike që, mirëfilli nuk e ka këtë qëllim.

Pse vallë do të duhet ajo hartë, në të ardhmen, kur pikërisht tani, do të ishte kaq e nevojshme për ta parë jo vetëm, ligjvënësit dhe studiuesit, por edhe çdo shqiptar?
Dhe Ju merreni me një skicë, e cila siç mund ta shihni në shpjegime është “for ilustration, only”, për të bindur shikuesit apo dëgjuesit se si e kemi sajuar ne, “një trekëndësh imagjinar…” etj, etj.

Është shumë e rëndë, apo jo? Ashtu dhe për Sarandën që “ju nuk e gjeni dot…” keni marrë, fotografinë tonë nga nga gazeta “Standard” për të na e përplasur rëndshëm, “se gjiri i Sarandës, nuk është ai që kemi paraqitur…”. Kjo është shumë e mjerueshme, sigurisht.

Shteti i bën sqarimet duke përdorur materialet hartografike dhe gjeodezike, të marrëveshjes. Ndërkaq, sot e tërë ditën mbi ca skema, vendosen vija e llogari, çka nuk është normale. Ky duhet të jetë serioziteti i shtetit? Apo është pjesë e atij hermetizmi që e thamë atypari? Të gjitha i kam shumë miqësisht.

2. GJIRI I SARANDËS

Sipas shtetarëve gjiri i Sarandës, ashtu siç është paraqitur, nuk plotëson kushtet për t’u trajtuar si GJI në marrëveshje, për të ndërtuar vijëdrejtat bazore.
Argumentet e paraqitur janë:

1. Nuk plotëson kushtet nga pikëpamja gjeografike

1. Nuk është i pranueshëm përcaktimi i gjirit të Sarandës nga kepi i Qefalit deri te Kepi i Demës (Ksamil). Kjo pjesë e bregdetit përbëhet nga një tërësi gjiresh më të vegjël (gjiri i Sarandës, gjiri i Limionit, gjiri i Kasolles, dhe gjiri i Baxhos).

2. Nuk plotëson kushtet nga pikëpamja gjeometrike
1. Gjiri i Sarandës është siç është paraqitur nga oponenca, nuk plotëson kushtin e një gjiri sipas nenit 10 të Konventës.

3. Nuk plotëson kushtet nga pikëmpamja historike
1. Nuk ka asnjë ligj, asnjë vendim te Kuvendit, asnjë ak ligjor (VKM) apo qoftë edhe një vendim të Bashkisë së qytetit të Sarandës që të përcaktojë një status të gjirit si “Historik”

2. Nuk ka argumente historike apo arkeologjike

Oponenca – Çdo shqiptar që mund të dëgjojë apo lexojë argumente të tillë, do të habitet se siç e thoni “ju nuk e gjeni se ku është gjiri dhe emri i tij!!”

Ju nuk e gjeni dot se ku është emri i gjirit të Sarandës, as në hartë, as në Regjistrin Lundrimor, as në gjeografinë fizike. Të gjithë shqiptarët duhet të ngelen të befasuar, ndaj këtij argumenti që sillni gjersa thoni “gjirin e Sarandës nuk e gjeni kërkundi.”

Është i futur atje, në fund por edhe “ai aq i vogël nuk i plotëson kushtet e Ligjit të Detit.”
Për këtë ju jepni argumente nuk është as gji i mbyllur dhe as gji historik.

Ju përdorni Udhëzuesin e Lundrimit (!!!) dhe nuk na citoni gjeografinë fizike të Shqipërisë.

Si vallë, nuk mund ta shihni shkoqur, se si merr drejtimin juglindor në një kënd prej 450, prirja e detit, duke na treguar dukshëm gjirin, që ka drejtimin për te qyteti dhe porti. Aty është edhe emri që ju mungon: Saranda.

Prej aty, ka një prerje aq të theksuar në drejtim të jugut, saqë në një vijë të drejtë krijon edhe bazën e vogël të trapezit. Pastaj fillon përsëri hapja në drejtin të jugperëndimit deri në kepin e Mërtesës (Vrojtimit). Veç kësaj, mos vallë iu duken 5.3 km thellësi, një largësi e vogël!?

Ndërkohë, fakti se janë disa gjire të vegjël në përbërje të gjirit më të madh të Sarandës nuk do të thotë asgjë. Edhe gjiri i Kërkyrës përbëhet nga shumë gjire të vegjël, por trajtimi është si gji i madh. Natyrisht, gjiri i Kërkyrës plotëson kushtin gjeometrik, por GJIRI YNË I SARANDËS plotëson kushtin HISTORIK.

Dhe prej andej duhet të hiqen vijdrejtat bazore. Kjo është shumë e thjeshtë. Këtu bëhet fjalë për interesa të mëdha kombëtare dhe nuk mund të përjashtojmë pikërisht ato argumenta që na japin të drejtën tonë për pretendime. Por, le të kalojmë tek argumantet tuaj pse Saranda nuk duhet të quhet “Gji historik”

Që në krye të herës, kemi thënë se shteti shqiptar ka vajtur në bisedime i papërgatitur. Vërtet gjiri i Sarandës nuk plotëson kushtin GJEOMETRIK të Konventës, por shteti ynë duhet të kishte ngritur pretendimin për GJI HISTORIK. Shteti ynë nuk mund të justifikohet me faktin se “…

NUK KA ASNJË LIGJ QE TE PERCAKTOJË KËTE STATUS.

Shteti e bën ligjin. Nuk ja bëjnë të tjerët. Duhej përgatitur baza ligjore dhe të shkonte e përgatitur me PRETENDIMIN (CLAIM) se gjiri i Sarandës është gji historik.

Kemi bindje të plotë se argumentet historikë dhe arkeologjikë ka me shumicë për ta trajtuar atë si të tillë. Natyrisht, që pala greke do të kishte pasur kundërshtitë e saj për ketë gjë, por pala shqiptare duhet të kishte shkuar e përgatitur.

Të gjitha argumentet e dhëna nga shteti në fakt, janë argumente që do të mund të përdoreshin nga pala greke. Por, shteti shqiptar do të thoshte – “Ja ku është baza ligjore, ja ku është ligji që e përcakton gjirin e Sarandës me status gji historik, ja ku jane edhe argumentet”. Është shumë e rëndë që shteti mundohet të justifikohet me argumente që duhet të ishin argumentet e palës tjetër.

Faktorët që vlerësojnë dhe japin peshën e duhur të titullit historik në përcaktim të kufijve detarë janë:

• Ushtrim i autoriteit shtetëror për një periudhë të gjatë në përkim me titullin detar.
• Emri dhe njohja në vijimësi e këtij autoriteti.
• Reagimi, ndikimi, si mosnjohje nga ana e shtetit tjetër.
• Ato mund të jenë të drejta historike, në pasurinë dhe trashëgiminë kulturore, në peshkim, në kalim, ekonomike, gjeostraegjike.

• Një titullim historik do të thotë, se asnjë shtet tjetër nuk mund të ketë forcë për të ushtruar të drejta ndaj kësaj gjeohapësire detare që i referohet këtij titullimi.
• Titujt historikë, shmangin qënësinë e ndonjë titulli tjetër.

• Duke pasur konceptin e gjireve historikë dhe rrënjën e tyre, koncepti i titulllit historik mund të aplikohet në ujrat, jo vetëm të gjireve, por edhe të ngushticave detare, të arkipelagëve dhe përgjithësisht, te të gjithë ato ujra që mund të përfshihen nën zotërimin detar të shtetit.

Si është e mundur t’u dalësh e t’u japësh shqiptarëve një argument të tillë?
Cili është interesi i palës shqiptare në këtë rast?

Po a jeni të gatshëm t’u thoni shqiptarëve se edhe gjiret si ai i Tetranisit dhe Butrinit të cilët i plotësojnë kushtin gjeometrik, nuk i kanë me ligj koordinanat gjeografike, kur në asnjë vend të botës nuk ndodh një gjë e tillë.

Pa dashje, siç mendoj unë, ju në një farë mënyre kërkoni që të zhvishni jo vetëm në sy të shqiptarëve, por dhe të fqinjit tonë, Greqisë gjeohistorinë e gjirit të Sarandës, që siç dihet është shumë e njohur prej palës tjetër, në kulturën dhe historinë tonë shumë të gjatë dhe të mbushur me plot mbijetesë dhe drama.
Kumtesa juaj nuk i bind shqiptarët.

Vetëm trajtesa për gjirin e Sarandës, dhe “braktisja” që sipas mënyrës suaj i bëni në këtë marrëveshje do të ishte e mjaftueshme që shqetësimi ynë i përbashkët, t’ua sillte në vend shqiptarëve dinjitetin e tyre kombëtar.
Së fundi, i qëndroj plotësisht argumenteve të mi, duke thënë se “është cenuar mëvetësia jonë shtetërore, në përcaktiminn e kufijve detarë në gjirin e Sarandës.”

3. GREQIA NUK ËSHTË SHTET ARKIPELAG

Sipas përfaqësuesve të shtetit, në formë shumë të thatë deklarohet se: “Greqia nuk është shtet arkipelag”. Dhe me këtë deklarim mbyllet i gjithë debati për çështjen e ishujve skajorë të arkipelagut të Ishujve Jonianë.
Oponenca – Së pari, në asnjë moment nuk është thënë që Greqia është nje shtet arkipelag.

Por konventa, në nenin 47 trajton në paragrafin (b) edhe nocionin “Arkipelag”. Ky nen duhej të merrej parasysh në negociata, pasi mospërfillja e tij shkakton humbje për Shqipërinë. Dhe duhej të silleshin në vemendje të negociatorëve precendentë të ngjashëm, ku efekti i ishujve, në bashkësinë e tyre siç është rasti i Arkipelagut të ujdhesave Joniane, për shkak të specifikës, nuk është marrë parasysh.

Një nga “frakturat” që gjejmë tek UNCLOS, lidhet me atë, se përveç shpjegimeve që jep, për shtete të cilat janë tërësisht arkipelagorë ka mungesë shpjegimi, kur shteti është pjesërisht i tillë. Greqia, në pjesën kontinentale kryesore të saj (main land) është, gadishull = siujdhesë. Përqark saj, lindje, jug, perëndim, ajo ka një shumësi ujëdhesash, të cilat janë të grupuara në dy arkipelagë:

a. Arkipelagu i Ujëdhesavë Joniane
b. Arkipelagu i Ujëdhesave Egjenane.