MJAFT DOKTORUAM, LE TE MESOJME PAK

0
29

Kim Mehmeti

Kim Mehmeti

Njeriu i paarsimuar sheh qartë dhe njeh vetëm vetveten dhe gjërat rreth tij. Gjysmë i arsimuari nuk sheh vetëm atë që shikon, por edhe hijet që i duken se ecin pranë tij. Ndërsa i arsimuari i mirëfilltë nuk e lodh shikimin me gjërat që ka pranë vetes, por do të shikojë largësitë, jeton me bindjen se gjithmonë do mbetet vetëm një nxënës që duhet të mësojë.

Por, mes këtyre tri kategorive, ekziston edhe një grup tjetër i të arsimuarve, një lloj i ri i tyre që e pollën dy dekadat e demokracisë, e numri i të cilëve u rrit në përmasa të turpshme mes shqiptarëve të Maqedonisë: shkencëtarët me tituj doktorësh e magjistrash e që këta tituj i morën duke mbrojtur temat shkencore në vendkalimin kufitar të Qafë-Thanës. Aty ku “mentorët” nga përtej kufirit ua sillnin diplomat e kandidatët e tyre ua dorëzonin punimet shkencore, të shkruar në bardhësitë e dhjetëra monedhave europiane me ngjyrë të kuqe.

Dhe kështu, shqiptarët e Maqedonisë sot kanë aq shkencëtarë sa do mjaftonin për t‘u kompletuar me kuadër arsimor e shkencor të gjitha institucionet shkencore e universitare të Ballkanit Perëndimor. Pra, të gjithë universitetet e kësaj pjese të Ballkanit që u ngjajnë vetëshërbimeve ku mund të blesh atë diplomë që ta lejon xhepi. E me çka u krijua bindja se arsimimi nuk ka të bëjë me atë që ke në kokë dhe në bërthamën njerëzore, por me atë që ke në xhep dhe me thellësinë e tij.
Kuptohet, shqiptarët e Maqedonisë me të drejtë nguten të shërojnë plagën më të madhe që ua lanë dekadat e socializmit: mosmundësinë të arsimohen. Pastaj shqiptarët e Maqedonisë me të drejtë nxitojnë të ngjiten në shkallën e arsimimit të bashkëkombësve të tyre në Shqipëri e Kosovë dhe duan të mos mbeten pjesa më e paarsimuar e popullit tonë.

Por, nga ngutja, disa nga ata, mbase harruan se plaga më e rëndë në trupin e shqiptarëve të Maqedonisë e marrë gjatë dekadave të socializmit nga mospasja mundësi të arsimohen në gjuhën amtare, nuk shërohet ashtu siç vepron i urituri – duke mos e zgjedhur ushqimin dhe me gatim të ngutshëm.
Shqiptarët e Maqedonisë sot kanë në çdo lagje nga dy-tre doktorë shkencash dhe nga dhjetëra magjistra, kështu që mbase ka ardhur koha që të fillojnë të mësojnë, ka ardhur koha që disa nga këta “shkencëtarë” t‘u kthehen librave të shkollës së mesme sa të mos duket aq qartë se janë prodhim i “katedrave” të shitblerjes së diplomave në Qafë të Thanës, Bllacë e Deve-Bair. Shqiptarët e këtushëm duhet ta kuptojnë se një inflacion i tillë i diplomave, për ata mund të ketë po të njëjtat pasoja si edhe mosarsimimi.

Posaçërisht kur këta shkencëtarë bëhen ligjërues nëpër universitetet e këtushme, apo drejtues të institucioneve të pakta kulturore e shkencore. Sepse, kur të arsimon analfabeti, dëmi është po aq shkatërrues sa edhe kur ta ndalojnë arsimimin. Andaj, nëse deri dje ishte e domosdoshme një shfryrje e atyre që kanë pasur ambicie, por nuk u është dhënë mundësia ato t‘i realizojnë me kohë, sot ka ardhur dita që ambiciet për tituj shkencorë të jenë në proporcion me atë që ke në kokë.

Se arsimimi i gjeneratave të reja të shqiptarëve të Maqedonisë sot është lënë edhe në duart e atyre që kanë doktoruar, por ende nuk kanë filluar të mësojnë, është diçka që e dinë të gjithë shqiptarët e këtushëm. Këtë e dinë edhe partitë e këtushme shqiptare, të cilat këtë brumë “shkencor” e përdorin për të vënë nën kontroll institucionet e këtushme arsimore në gjuhën shqipe. Atë që nuk e dinë as shqiptarët e këtushëm dhe as partitë e tyre, e që duhet thënë hapur, është e vërteta se me këtë brumë mund të ngjeshësh vetëm të diplomuar të paditur. Një arsimim pa standarde vlerësuese, solli edhe deri tek ajo, për shembull, që në Universitetin Shtetëror të Tetovës të ndërrohen ligjëruesit sezonalisht dhe varësisht nga partia shqiptare në pushtet. Apo në këtë universitet të kesh “komisarë partiakë” që mbajnë “rendë” në punësimin e profesorëve, duke u dhënë përparësi atyre si vetvetja, atyre që marrin pagë mujore, por kurrë nuk dalin përpara studentëve, të vetëdijshëm se do përballen me studentët që dinë më shumë se profesorët e tyre.

Më në fund, sikur shqiptarët e Maqedonisë të kishin aq doktorë shkencash, aq magjistra dhe aq të diplomuar nëpër universitetet e kryeqendrave fqinje sa është numri i tyre, atëherë atyre nuk do u ndodhte kjo që është duke u ndodhur: që Gruevski t‘i kullosë si bagëti pa bari. Pra, sikur shqiptarët të kishin aq shkencëtarë sa janë në numër, ata prej moti do ta merrnin në duar të veta edhe universitetin “Shën Cirili e Metodi” në Shkup, e jo më ato dy të Tetovës që janë bë thuajse pronë e partive politike shqiptare. Pra, sikur numri i atyre që mbajnë tituj të lartë shkencorë të ishte proporcional me diturinë e tyre, shqiptarët e këtushëm qëmoti do dilnin nga gënjeshtra politike, se barazia qytetare arrihet vetëm me pesë ministra në qeveri, do e kuptonin se problemi i tyre nuk është ai çka shkruajnë akademikët shovenë maqedonas, por pse ende mbetën popull “joinstitucional”.

Dhe ata shkencëtarë dhe elita të arsimuara do dilnin e do u thoshin partive politike: mjaft më me këtë luftë ndërpartiake për të ardhur në pushtet që t‘ia lehtësoni Gruevskit sundimin mbi ne! Do dilnin pra me ndonjë platformë të qartë politike, ku do sqaronin se mbase ka ardhur koha të riaktualizohet ideja e dikurshme e Ali Ahmetit që shqiptarët e këtushëm të kenë një këshill koordinues që do jetë korrigjues i destruktivitetit partiak dhe do u prijë proceseve që do e çojnë përpara shoqërinë shqiptare në Maqedoni.

Nuk ka dyshim se shqiptarët e Maqedonisë mirë bëjnë që i përkushtohen shkollimit, që bëjnë çmos të kompensojnë të humburën. Por, që ndërkohë, duhet ta kuptojnë se e humbura nuk kompensohet nëse nuk ke arsimim të shëndoshë. Shqiptarët e Maqedonisë kanë nevojë për fakultete në çdo lagje të tyre, që të shërojnë varrën nga e kaluara socialiste, por jo institucione arsimore ku partitë i punësojnë të paaftit e tyre, jo institucione ku kryesuesit e partive i kontrollojnë universitetet nëpërmjet “komisarëve partiakë”. Sepse nëse vazhdon ky proces, shqiptarët e Maqedonisë do bëhen populli i vetëm që do ketë më shumë doktorë shkencash e magjistra se sa të arsimuar me shkollim të mesëm. Çka do shkojë në favor të autorit të këtij teksti.