MITET QË MËSOJNË!

0
48

Berlin, dimër 2015

(Mbi një kauzë të djegur dhe “ndërgjegjen e dhjamosur”)

1.
“Kur Krezi të kalojë lumin Halis, do të shkatërrohet një mbretëri”. Kjo kje përgjigja që i dhanë priftërinjtë e Delfit kërkesës për profeci, nga sovrani i Lidisë se si do të ftillohej e përfundonte beteja me persët flokëgjatë. Dhe ai u gëzua shumë e mori krahë. Por do të deshpërohej thellë më pas. Nuk ishte e armikut, por mbretëria e tij që do të shkatërrohej!

Shenjat e kryepriftëreshës që shkumonte si e goditur hënëmarrokshëm tek jepte mesazhin fatthënës, interpretët i përçonin dinakërisht në mënyrë sugjestive: që ashtu të dilte prorë fjala e saj… Ç’ishte rëndësore, prandaj, e parathënmja do të realizohej plotësisht dhe orakulli do vijonte të mbështillej me hirin e mistershëm…

Do t’më kujtohej kjo dromcë antike, kur gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi këtij dimri shtjellën e saj mjegullore të gjahut politik. Isaja e Hashimi, përmes ndërmjetëses së tyre të bindur, i dërguan asaj lutjen për zbardhjen e së drejtës së ndërdyshuar mbi Entitetin serbian të veriut, të negociuar e firmosur me entusiazëm ngadhnjyes në Bruksel. Dhe Kushtetuesja, posi koncili dinak priftëror, u tha dykuptimshëm: me tu bërë e ditur kjo profeci-vendim, një kauzë do të nisë e digjet.

Por, vallë, cila? Ata, të tronditur e bashkuar si kurrë rreth bëmës së përbashkët, presin ankthshëm të digjet e armiqëve (se, pos tyre, nuk kanë armik tjetër!). Veçse, me gjasë, aritmetika kalkuluese nuk do dalë lehtësisht e saktë. As intonacioni i lojës taktike nuk do të ketë tingëllimin e bindshmërisë. Të gjitha zgjidhjet duhet të venë drejt së kundërtes: të thyhet e bëhet pluhur kauza e tyre e poshtër: afeksioni patogjen për të tregtuar toka e të drejta shqiptare..

2.
Lëndëshkelja kushtetuese dhe autorët e saj, janë të ndryshëm. Të tillë do të jenë, natyrisht, dhe shkalla e fajsisë apo konsekuencat penalizuese të saj.

Kushtetuta mund të shkelet për një ndriçim udhësh kur s’ka nëvojë, për një të drejtë ndihmash sociale (si ndodhi me një procedim të Karlsruhes, pas ankesë-sqarimit të një voglusheje), pastaj, tutje, për shamitë a barkcullakimin e vajzave. E të tjera. Po kjo instancë që foli këto ditë, pat rrëzuar dy Presidentë: Pacollin dhe Sejdiun për cënime pasojash krejtësisht më të vogla për ecjen e vështirë të Republikës së re. Madje, do t’bëheshin shkas për një provë të mundshme trollëzimi të kulturës demokratike. Mirëpo rrëzimi i Isasë e Hashimit është ndryshe. Është ultësisht madhor. I ulët për krimin dhe madhor për refuzimin: deshën ta rietablojnë fshehtas Sërbinë e humbur në Kosovë! Atë që kishte fituar djemëria e përgjakur dhe aleatët atllantikë në një orë të dhuruar historie, do ta dorëzonin vetë, shtruar e qetësisht, – në tavolinën e blertë!

Kisha shkruar më herët, duke bërë pyetjen logjike se si do pozicionohej dyshja mëkatare nëse Kushtetuesja do të verdiktonte ndryshe? Me ndjesi e kuptim shteti, apo? Pritmëria e tillë do t’ishte në kufijtë e absurdit. Koncepti i tyre është një miksurë tragjike e otomanizmit (kur sundojnë klanet e familjeve të mëdha), bolshevizmit (kur fuzionohet parti-shteti) dhe mafiokratizmit (kur krimi pushtetohet e bën ligjin mbi gjithçka)… Rezultoi, pra, pikërisht makthi i paralajmëruar: ata deklaruan ngutshëm e cinikisht se jemi legalistë dhe, që këtej, njohim pa hezitim vendimet e epërme konstitucionale!

Ç’ironi! Po vepra e krimit? Faji i pakonsumuar dhe dënimi i tij?
Ndaj, rrjedhimisht, gjyqi që duhet tu bëhët atyre, nuk mjafton të jetë vetëm moral. Apo veç politik. Gjyqi i tyre duhet të jetë ose penal ose popullor! Në shoqëritë vërtetësisht të lira, ky është epilogu i dramës. Ndryshe, e keqja përpetuohet pambarimisht si një ndëshkim i shkruar nga erinitë. Pas hashimisëve të tashëm, do të vinin hashimisët e rinovuar t’një kohe të dytë dhe, kështu, në rreth të mbyllur e paprerë, derisa subatanca e fundme e shtetit të bie si një ngrehë balte, që shkërmoqet nga era dhe shiu..!

3.
Gurra e referencave është vërshuese për ata që, së paku, kanë dhuntinë e vullnetit për dije…
E do t’përthithin nektarin e saj nga urtakët, e, poaq, nga demoniakët, që kanë lënë pas dhe shkolla mendimesh e moralesh kontradiktore…
“Fjala duhet të rrezatojë dashuri në komunitet”, thotë, fjala vjen, Libri i vjetër.
Kurse Adolfi gjakbërë, madje dhe ai, aniqë në kulm cinizmi të rrallë, pohonte se “e drejta e qytetarit rrëzon të drejtën e shtetit”.
Ndërkaq, frëngjët, midis këtyre dy kohëve e gjasëve, patën përligjur qyshkur kryengritjen kundër qeverisë, kur ajo do t’merrte n’për këmbë interesat popullorë.

Por kur kasta e denigrantëve, mjerisht, nuk mëson dot dhe në vend të dashurisë – përhap urrejtje dhe, pastaj, në vend të së drejtës së qytetarit – është e drejta e shtetit që shkallmon atë përtokë, ç’i mbetet tjetër një kombi të organizuar? Gjithësesi frymëzimi i ligjshëm që përcaktonte qytetnia e atdheut të Marsejezës, e atyre “që kanë mall për revolucione” : përmbysja me çdo mjet e çmim i zogorisë që kall e bën hí ardhmërinë!..
Si do ta kap sensi kolektiv këtë mesazh të epokës? Kur të heqësh dorë nga lufta, ke hequr dorë nga jeta e madhe..Dhe asgjë, do të pohonte Niçe në vend të përgjigjes, nuk është aq pak objekt i zilisë sonë sa kopeja morale dhe lumturia e dhjamosur e ndërgjegjes së qetë…

Njëmend, a nuk fton ky mot ngjarjesh të mëdha trazim kundërshti e jetë të madhe?..
R. K.