INTELEKTUALI DHE PËRGJEGJËSIA NDAJ SHOQËRISË

0
13

Nail Draga, Intelektuali dhe paragjykimet, Botoi: Art Club, Ulqin, 2013

Studiuesi nga Ulqini, dr. Nail Draga krijimtarisë së tij publicistike, analitike e shkencore i ka shtuar edhe librin e tij “Intelektuali dhe paragjykimet”, i cili sjell për opinionin një diskurs shumë- përfshirës. Etika, kultura, retorika, toleranca, demokracia, pluralizmi, përgjegjësia, çështjet kombëtare janë blloqet që e kanë ndërtuar librin, kurse boshti dhe temeli është intelektuali dhe përgjegjësia e tij që ka ndaj shoqërisë.

Autori Draga diskursin në librin e tij e ka ndarë në dy nivele, atë social e politik dhe kulturor, duke i ngjitur edhe një pjesë me recensionet që autori u ka bërë disa veprave të autorve tjerë.

Tema për intelektualin është mjaftë e rrahur në arenën e publicistikës, qoftë qasja shkencore qoftë ajo analitike. Që në parathënie të librit, autori Draga fenomenin e të diskutuarit e të shtjelluarit të temës për intelektualin e arsyeton me faktinë se “diskursi i tillë është varur vazhdimisht prej rrethanave shoqërore të vendeve gjegjëse”. Pra, tema për intelektualin është imponuar nga rrethanat, dhe se me ritematizimin e kësaj teme i ndihmojmë kujtesës për detyrat që i ka intelektuali në proceset shoqërore, siç autori ka merak të shprehet, “në mjedisin përkatës”.

Duke mos i marr në shënjestër faktorët tjerë përcjellës të intelektualit, autori Draga menjëherë na jep në librin e tij, “Intelektuali dhe paragjykimet” shpjegimin semantik të termit intelektual, duke i bërë edhe një shpjegim, dallimit qenësorë, në mes të termit në fjalë dhe inteligjencës. Me referencë nga fjalori i gjuhës së sotme shqipe, autori nxjerr në pah, atë që çdo njeri duhet ta ketë të shënjuar në fletore të tij, pra atë se çka është të jesh inteligjent e çka intelektual. Inteligjent: “është njeri me aftësi të dalluara për ta kthyer realitetin që e rrethon në dobi të vetes”, kurse Intelektual: “është ai njëri me aftësi të dalluara për ta kthyer realitetin në dobi të të gjithëve.”.

Studiuesi Draga shtjellimin e temës së intelektualit e lakon në disa shpjegime, edhe nga ato faktografike, duke përmendur qasjen e autorëve si Gjergj Fisha e të tjerë për intelektualin, për të vazhduar deri te mënyra se si është parë intelektuali në sistemin monist dhe tani pluralist të funksionimit politik.

Autori Draga kur flet për angazhimin apo mos angazhimin e intelektualit në jetën politike, i referohet thënies kryevepër të filozofit dhe oratorit konservativ irlandes, Edmond Burke kur ka thënë: “për të triumfuar e keqja mjafton që njerëzit e ndershëm të qëndrojnë anash”. Praktikisht për studiuesin Draga, intelektualët do të bënin gabim të madh nëse do të prisnin të demokratizohej politika më parë dhe pastaj ata të angazhohen. I provokuar nga mendja e oratorit dhe filozofit Edmond Burke dhe mendimi i intelektualit Dr. Nail Draga, në lidhje pjesëmarrjen e intelektualit në politik, më shumë e kam përqafuar shpjegimin e akademik Esat Stavilecit, kur thotë: “Kam qëndruar “jashtë”, por jo “larg” politikës. “Mospërcaktimi im politik”, në dukje të parë, është në fakt, një përcaktim shumë i qartë: “nuk jam me asnjërin, spese dua që të jem me të gjithë”.

Ajo çfarë në thelb të fton me mendimin e tij, autori Dr. Nail Draga është mbajtja aktiv e të ndërgjegjshëm për proceset shoqërore në të cilat intelektuali duhet të jetë i angazhuar përmes kontributit të tij. Në shtjellimin e tij, studiuesi Draga nuk e thërret intelektualin tekanjoz, kritik pa konstrukt e në disfunksion me synimet shtetërore e kombëtare, por të kundërtën.
Në librin e tij, dr. Nail Draga fletë për proceset politike dhe funksionin e politikanit shqiptar në Mal të Zi, duke përshkruar mirëfilli ngjarjet që kanë lënë shënja në historinë social- politike e kulturore. Tekstet kanë një karakter për veç analitik, edhe plan -program dhënës.

Ngjarjet që kanë provokuar mëndjen e studiuesit Draga, i cili është i njohur nga ato anë shqiptare në Mal të Zi për një diskurs historiografik në publikimet e tij, në librin “Intelektuali dhe paragjykimet” shtron me vendosmëri edhe sukseset edhe humbjet e politikës shqiptare atje, duke filluar nga sistemi një partiak deri tek pluralizmi, përmes ndihmës që shqiptarët i kanë dhënë Malit të Zi të pavarësohet e deri në ditët e sotme. Lexuesi i publikimeve të studiuesit Nail Draga, mund të vërej se me sa kujdes dhe me çfarë përgjegjësie e detyrimi intelektual i’u është qasur fjalëve, emërave, fjalive, emërtimeve, definicioneve, mënyrës së të shprehut politikisht e historikisht korrekt, konform terminologjisë bashkëkohore.

Për fund mund të themë se si njohës e përcjellës i publicistikës së dr. Nail Dragës, mund të them se studiuesi në fjalë kërkon atë më të rëndësishmen për rrethanat në të cilën jetojnë shqiptarët në të gjitha trojet e tyre në Gadishullin Ilirik: Përgjegjësi, etikë, korrektësi, angazhim të detyruar për të mirën e qytetarit, shtetit dhe kombit. Nga intelektuali i përndritur kërkon të jetë kujdestar i politikanit, nga se intelektuali i vështron rrjedhat politike e shoqërore, ai rekomandon për to në bazë të kredive shkencore, ndërsa politikanët i ndërtojnë dhe aplikojnë rrjedhat politike, e që mund të jenë edhe të gabueshme, ditore e pa kohezion.

Albinot Maloku, 10.08.2014