DEKLARATË E DEGËS SË LDK-së NË ZVICËR

0
39

ME RASTIN E 26 VJETORIT TË THEMELIMIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS (23.12.1989 – 23.12.2015)

Lidhja Demokratike e Kosovës po shënon 26 vjetorin e themelimit të saj, kur Presidenti historik i Kosovës dr. Ibrahim Rugova bashkë me intelektual të tjerë, më 23 dhjetor 1989, themeluan Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e parë shqiptare e cila luajti rol me rëndësi në ndryshimin e koncepteve politike dhe ndikoi në zhvillimet gjeostrategjike të rajonit. Andaj Dega e LDK-së në Zvicër i uron anëtarësisë së saj këtë përvjetor si dhe të gjithë atyre që për këto vite i qëndruan besnik konceptit demokratik dhe frymës rugoviane.
Por LDK-ja sot e feston 26 vjetorin e themelimit të saj, me një gjendje që nuk na bënë të krenohemi, pasi elita politike e saj është zhytur në shantazhe dhe aventura të rrezikshme duke i degraduar vlerat themelore të demokracisë dhe duke vënë në rrezik interesin partiak dhe atë nacional.
Dega e LDK-së në Zvicër nuk ka dashur që ky përvjetor ta gjej LDK-në në këtë gjendje, në këtë letargji dhe në këtë pllakosje anemike, andaj apelon tek strukturat e ndërgjegjshme dhe tek aktivistet e devotshëm që të mobilizohen dhe qartë t’iu thuhet ndal degradimeve të mëtejme, dhe bashkërisht të rikthejmë ato vlera që janë kultivuara vite me radhë.
Dega e LDK-së bënë thirrje të vazhdueshme për një mobilizim të përgjithshëm dhe për ndryshime substanciale në organizimin e brendshëm të LDK-së, pasi gjendja politike në Kosovë nuk na lejon këtë hezitim, në kohën kur vendin mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, kurse LDK-ja me këtë përbërje strukturore do të pësoj humbje të thellë, humbje këtë të cilën askush nuk e dëshironë, sepse pasojat do të jenë shumë të mëdha.
Janë këto arsye dhe shumë të tjera të cilat e obligojnë Degën e LDK-së në Zvicër që ta bëjë këtë thirrje publike, pikërisht në këtë përvjetor për mobilizim të gjithanshëm, në mënyrë që bashkërisht ta demokratizojmë konceptin e veprimit dhe për t’i strukturuar si duhet të gjitha organet drejtuese të partisë.
Dega e LDK-së në Zvicër, anëtarësisë së saj, veprimtarëve, të gjithë mbështetësve shumëvjeçar, si dhe elektoratit besnik ua uron 26 Vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës!

Shefqet DibraniKryetar
Zvicër, 23.12.2015.