POEZIA QË TINGËLLON PËR ÇDO PËLLËMBË TOKE E GRUSHT DHEU…!

1
2983

AGIM DESKU

Analizë libri, Sejdi BERISHA:

(Agim Desku: “Dua të pi verë Çamërie”, poezi – botoi “Vllamasi”, Tiranë – 2011)

Dikur kur babai ma përmendte Tiranën, krahinën e Tropojës, për Çamërinë, kur më fliste për Shqipërinë, më dridhej trupi, shpirti s’më zinte vend; athua çfarë ëndrre është kjo që ma tregon prindi im me plis të bardhë.

Dikur, kur u rrita, fjala Tiranë m’u bë flakë shpirti, ëndërr e parealizuar, etje e pashuar. Dikur më vonë, Tirana, Vlora, Shkodra, Elbasani,… edhe Çamëria, m’u bën fjalë e ngujuar në zemër, edhe varg poetik që e ruaja në shtatë palë tokë.
Kurse tash, po të ishte sot gjallë babai im, do t’i thosha: Ja, o prindi im, rrëfimet tuaja e ëndrrat e mia u bën realitet. Tash, Tiranën e përqafoj si dua vetë. Sot për Çamërinë këndoj, ligjëroj e kujtoj të kaluarën ashtu si dua dhe si di vetë.


Kur vargu dhe kënga shndërrohen në lapidar kohe e historie

Krijuesit, si duket vetë situatat, rrugëtimi i kombit, i atdheut dhe i vetvetes, ia krijojnë rrugën poetike, e cila, kur merr formën dhe peshën e vet, dot nuk del nga binarët e përplasjeve, meditimeve, ndijimeve, nuk del nga mllefi, etja, malli e dashuria për ta parë e përjetuar ëndrrën e bashkimit, ëndrrën e përbashkët që jeta të merr kahe ashtu siç e meriton njeriu, atdheu dhe kombi.

Duke e përcjellë krijimtarinë e autorit të librit “Dua të pi verë Çamërie”, Agim Deskut, mirë dhe bindshëm mund të dëshmohet, se ai në asnjë moment dot nuk i shkapet atij synimit, asaj rrjedhës së historisë, asaj këngës e cila shndërrohet në lapidar kohe e këndimi për peshën që ka ecja drejtë bashkimit-lidhjes së gjërave, por, edhe të periudhave kohore në një tërësi, pa të cilën kurrë nuk do të jetë rehat as toka, as njeriu i këtij nënqielli, i cili, në mënyrat më të ndryshme u ndrydh, u përplas e u flijua, por, edhe në mënyrat më të ndershme gjithnjë qëndroi vertikalisht.

Ky konstatim, nuk është as i ri, as befasues, sepse, kështu kanë kënduar poetët nëpër kohëra dhe gjatë rrugëtimeve të cilat gjithnjë na lidheshin si lak në qafë. Pra, edhe vetë titulli i kësaj vepre, ka mesazh jo vetëm shumëdimensional, por ka edhe elemente edukative-shoqërore dhe qortimi, gjëra këto që grishin e intrigojnë, se, për çdo pëllëmbë toke e grusht dheu, nuk bën fajësuar vetëm historinë, por duhet ngritur zërin, ndërgjegjen, vetëdijesimin dhe përgjegjësinë e secilit. Atëherë, edhe muzat, krijimtarinë e shndërrojnë në fole pavdekësie dhe ngrohtësi shpirti.

Ky libër i Agim Deskut, që na vjen i katërti me radhë nga ky autor, sikur na sjellë çudinë e përcëllimit, apo, hidhërimin e zjarrit shpirtëror, jo për t’u dehur me verë Çamërie, por, për ta ngritur gjithnjë e më lartë peshën e dhembjes të kësaj krahine, për ta sforcuar qëndresën por edhe etjen për liri të kësaj pjese të tokës arbërore. Kjo, ngase, autori në poezinë e parë “Çamëria”, sikur rreptë qorton, apo, sikur na detyron që çdo gjë ta përkujtojmë e shoshitim për historinë, duke mbërthyer kështu të gjitha për birë të gjilpërës, duke përfshirë këtu edhe vetveten, edhe vargun, sepse, poeti shtron pyetjen si përgjigje: “Më thuaj Ti, Atdhe/ç’të shkruaj sonte/për lirinë time,/pa Çamërinë?!”.

Kjo është ajo shenja e skuqur e dhembjes plotë zjarrmi, që, sikur autori dëshiron që secilin njeri ta nderojë me një dhuratë të tillë, për çfarë thotë: Sonte,/jam zgjuar të shkruaj vargje/që ngacmojnë heshtjen/e njeriun tonë,/ta zgjojnë nga përgjumja/të prekin ëndrrat për pak liri”!

Dhe, zgjimi nuk është mollë që ngulet në shtizën e krushkut, por është një fuqi që djegë, që provokon për t’u bërë dritë, kasnec lumturie dhe madhështi dashurie, të cilët faktorë, së bashku krijojnë lapidarin e pathyeshmërisë, krijojnë, ndërtojnë dhe hapin rrugë, në të cilat, lulet dominojnë me bukurinë dhe me aromën mahnitëse, ndërsa, gjembat luten për t’u shndërruar në nektar lulesh, i cili pastaj do të përhapej në çdo cep toke, në çdo skutë kopshti. Vetëm kështu, gjen qetësi vargu i autorit: “Sonte kam të drejtë të jetoj/e të kërkoj liri për Iliri/…Sonte,/jam shqiptar e jam Shqipëri”.

Shenjtëria poetike, rebelimi i shpirtit dhe i vetvetes si mesazh shumëdimensional

Poeti, Agim Desku, jo vetëm në këtë vepër, por edhe në të tjerat, dhe gjithsesi edhe në poezitë të cilat i ka botuar në gazeta dhe revista periodike, gjithnjë është imponues i segmentit atdhetar, me të cilin simbolizon unitetin, harmoninë dhe përbashkimin, gjë kjo e cila ka peshë edhe tjetër fare, sidomos kur kemi parasysh vlerat shpirtërore, kulturore dhe krijuese, të cilat, dorën në zemër, akoma janë pak si të shkapërderdhura dhe të pa sistemuara ashtu si duhet.

“E kam për zemër/ta dua Shqipërinë,/deri në Preshevë, Malësi/e Çamëri pa liri/Në Kosovë,/si në Shkup e Tetovë/jemi Shqipëri”. Duke i pasur përbrenda vetvetes këto vargje që shkaktojnë çmenduri vullkani, poeti nuk harron të na sjellë ndërmend shumë gjëra, që u ngjajnë rrjedhave shqetësuese të jetës mbase edhe të historisë. Andaj, edhe thotë me nguti e etje shpirtërore: “Sot e kam për uratë/t’i lutëm Zotit:/T’i ruaj shqiptarët/nga të këqijat e shpirtit të vetvetes”.

Nëse u bëjmë analizë këtyre vargjeve, atëherë, para nesh ishte dashtë të dalë historia; si ajo e kaluara, si ajo e djeshmja, por edhe si kjo e sotmja! Përmes kësaj forme të këndimit, autori na përkujton shumë gjëra të cilat shpijnë drejtë gjenerimit më të madh të vetëdijesimit individual, kolektiv e kombëtar për unitet, gjë kjo e cila është bukur e venitur apo e stërkequr tek njeriu i ynë.

Ndoshta, këtij konstatimi do t’i shkonin për shtati vargjet: “Ku ta kërkoj plisin/e fisit tim?/Në cilën kokë ta shikoj,/si dikur bacës mbi ballë/eh, sa hije i kishte”!

Poeti, i cili nuk ka zbritur nga qielli, thellë i ka përjetuar dhe nuk i ka harruar të gjitha peripecitë, vuajtjet, hallet, pra edhe ato të skamjes. Për këtë tablo dhe këtë pikturë dhembjeje, ai sjellë shumë vargje, që jehona e tyre klithë dhe tingëllon edhe ndryshe, duke i përjetuar ato gjithnjë si përjetim shpirti: “Lapidarin tim e bëja me xhama të thyer/në një apartament dy me dy në katror/Bëja edhe dush në një cep të tualetit/në këmbë ushqehesha dhe bëja punë qejfi/mes llojeve të ndryshme lulesh pa aromë/të venitura, pa shi e diell pranvere”!

Këtu, kujtoj se qëndron edhe liria dhe pavarësia e lexuesit, për të komentuar gjithçka që i bie ndërmend brenda këtyre kornizave të shenjta poetike, që të detyrojnë të rebelohesh në vetvete, por edhe shpirti të të dalë nga kontrolli, mirëpo, pa e humbur arsyen.

Në shumë poezi e hasim këtë atmosferë këndimi, në të cilën përfshihet edhe “lufta”, edhe “darka e dreqit”, me ç’rast, poeti, si në ëndërr e sheh motin, duke vjedhur pranverën dhe dashurinë. Të gjitha këto mesazhe, si peshë artistike letrare mbase edhe filozofike, nganjëherë, autori për t’i dhënë fuqi edhe më të madhe metaforës, ai, vargjet i lë si fjalë të pathënë, e cila fjalë lufton me ëndrrat dhe me mendimet e krijuesit, e në këtë rast edhe të lexuesit, respektivisht, të opinionit të gjerë. Pra, ka të drejtë kur thotë: “Kot e kisha fjalën,/në vargun tim të prangosur/pa emrin tënd liri…”!

Duke lexuar librin “Dua të pi verë Çamërie”, pothuaj se në çdo varg, në çdo poezi e hasim etjen, mallin, dashurinë, vuajtjen por edhe lumturinë për atdheun, qysh ai ka dëshirë ta shohë: “Vetëm ti bashkon emrin tim/me Tiranë e Prishtinë”, ose: “Me zjarrin ndezur/buzë flakadanit të lirisë/ta ndritim secilin shkëmb/deri në Malësi e Çamëri”.

Duke folur e duke u zënë me vargun e Agim Deskut, njeriu ndjehet mirë, bile, merr guximin që nganjëherë edhe për ta ngritur zërin në vetvete, nganjëherë për ta kafshuar buzën, nganjëherë për t’i ndrydhur gishtat, e nganjëherë për t’i ndezur qirinjtë në të katër anët e tokës për të kaluarën, për të sotmen dhe për të nesërmen, duke përkëdhelur vetëm atë dritën e cila kurrë nuk fiket.

Kështu pra, di të vargëzojë poeti poeti edhe për Çamërinë, edhe për Preshevën, edhe për Malësinë. Kështu di të këndojë për Shqipërinë.

Andaj, më bëhet se autorit të kësaj vepre i shkon përshtati për të thënë së: sot, do pimë verë Çamërie, Kosove, Presheve e Shqipërie! Sepse, ai kështu këndon edhe në fund të librit: “O Zot, më jep forcë të shkruaj/ma jep zemrën tënde, më beko/ta puth Shqipërinë e bashkuar”!

Hasan M. Shahinaj, Shkrimtar dhe K/redaktor i gazetës së pavarur “Zeri i Gollobordës”

Mesazhet ideore dhe figurative të një poezie bashkëkohore…

Persiatje rreth vëllimit poetik “Dua të pi verë Çamërie” të poetit kosovar Agim Desku.

Duke lexuar me vëmendjen e duhur vëllimin poetik të Agim Deskut “Dua të pi verë Çamerie”, kam dëshirë të veçoj disa detaje të spikatura idoartistike, estetike dhe figurative:

Së pari, larmia tematiko-gjinore e 49 poezive të vellimit i shtrin krahët e shqiponjës simbolo-atdhetare gati në tërë relievin tonë mbarëkombëtar, që nga vëndlindja e poetit klinas e pejan dhe deri në gurrat e burronjat magjiko-folklorike të Çamërisë fisnike, për të shuar metaforikisht etjen e zhuritur të kryetrimave Jasharjanë me një kupë vere Joniane të kuqe flakë, porsi gjaku-rubin i heronjve më në zë, derdhur me okë në këtë tokë.

Së dyti, figuracioni i përdorur me karar është gjithnjë në funksion të mesazheve ideore, që ngulmon të përcjellë poeti. Dhe të tilla ka plot, deri tek strumbullari bazë i figurës-trop metaforë (kryesisht emer e folje), e cila titullon natyrshëm disa poezi p.sh. “Takimi jasharisht”, “Kalorësit jasharjanë“, “Kohë jasharjane”, “Shkretim vargu”, “Fanar qendrese Din Mehmetit”, “Mallkimi i fjalës”, “Pranverat shqiptare”, “Flas me vargun”, “Emrin e kam dashuri”, “Ora e lirisë“, “Nëntorët-trëndafilët e kuq” etj etj.
Dhe ky figuracion sado elementar e përpjekës ecën i motivuar në gjurmet e poezive brilante të të mirënjohurve mjeshtra të poetikës si Esat Mekuli, Azem Shkreli, Din Mehmeti dhe disi më në largësi Enver Gjergjeku e Ali Podrimja.

Së treti, enumeracionet artistike nuk janë thjesht rrjeshtime emrash, apo thënie deklarative, por kanë nëntekst fushbetejash si p.sh në f, 7 të vëllimi “Jam Zot e Kastriot/, jam Mic Sokol e Adem Jashar,/ jam Kosove e Rugovë/, jam Preshevë e Mavrovë e Tetovë,/ jam Malësi e Çamëri,/ jam shqiptar e Shqipëri…”

Apo ne f. 9 emra të skalitur/ në sejcilën zemër e emër/ të fisit tim shqiptar (e do të shtoja unë H.Shahinaj, që më bëjnë krenar si shqiptar: dmth është ai cilësimi francez për ne iliro-dardano-arbëroret). Apo në f. 10-11 Të gjithë po ngrihemi prapë/ se nuk vdesim ndryshe/ vetëm SHQIP ! Me plisin (qeleshen) mbi kalë/ kalëron kjo zemra ime/ shpërndan tinguj e fjalë…

Së katërti, janë poezi me figuracion të kursyer dhe një ideshmëri reale mesazhuese si p.sh lufta, darka e dreqit, fjalë e pathënë etj p.sh zjarrit të ndezur, natës së zjarreve të Prekazit/ e ndezën darkën e dreqit/, e prangosën shtatë pash nën dhe/, dhe shtatë pash mbi dhe/ u ngrit Atdheu, u bë legjendë/ u ngrit dhe liria/, po Atdheu nuk vritet/ as nuk matet me asnjë çmim/ ai jeton në sejcilën zemër…

Së pesti, tablo ideore antonimike (të kundërta) na japin sidomos poezitë:”Kot ishte dimër” f.20, “Kot është pranverë“ f.22, “Kot e kam fjalën f. 23, kurse më të arrirat vargëzime janë ato të poezive: “U ringjallën Zotat”, f 24, “Besa-Besë“ f.27 “Tradhëtia” f.28 etj etj. Por kryesisht gati ½ e vëllimit poetik të Agim Deskut e zënë poezitë me kryefjalën dhe kryedashurinë që e konturojnë simbolikisht Atdheun, Heronjtë, Prekazin, e Drenicën dhe pra i qëndrojnë poetit tonë në fjalë bestarë e rebelues e qëndrestarë përmes eposit të arbërorëve, dardanëve, liridonëve, deri tek ai bashkohësi, emermadhi, shtetari e prijësi e shkrimtari Ibrahim Rugova.

Së fundi, poezitë sociale, atdhetaro-meditative, lirike dhe liriko-erotike, janë si një natyrë e dytë e opusit krijues të poetit Desku. Dhe të tilla janë: “Falma një lule prilli”, “Për cilën buzeqeshje u bëra baladë“, “Endërr”, “Natë me shi”. “Pikëllimi i dashurisë“, “Një shikim”, “Dashuri për ditarin tim” etj, deri tek lajtmotivi i poezisë“Dua të pi verë Çamërie”, e cila titullon me të drejtë krejt vëllimin dinjitoz poetik të Agim Deskut, mikut dhe bashkombasit tonë dhe redaktuar meritueshëm nga poetesha e mirënjohur Fatime Kulli, kjo dodonë befasuese me plot frymëzim e origjinalitet si bijëz përkuese e po asaj: Virgjëreshës etnologjike me emrin tringëllues Çamëri, plot hire e nure e bukuri!…

Hasan M. Shahinaj, Shkrimtar dhe K/redaktor i gazetës së pavarur “Zeri i Gollobordës”
Durrës, më 14 Shkurt 2012

Merita Smaja
Duke parë dashurinë tënde Fatime për këtë libër dhe përkushtimin serioz në analizën e paraqitur jam e bindur se në të ka vërtetë poezi me vlerë. Duke lexuar poezinë bindëm se poeti dhe shpirti i tij atdhetar e patriotik janë një.

Kei Sei Suksese për z.DESKU….për ty çamja ime e dashur …je e

Leonora Buçinca Përshendetje dhe respekte dhe përgëzime nga më të veçantat për autorin. Përqafime dhe të falëminderit z. Kulli, Ku mund ta gjëj librin?

Fatime Kulli Ke të drejtë Luli, Çamëria ime ende vuan në pluhurin e politikës raciste greke, të politikës shqiptare që ka 20 vite që ende nuk e qon zërin aty ku duhet, edhe kur mundohen ta qojnë zërin e pakët, atë e bëjnë për interesa të tyre…

Fatime Kulli
Poeti kosvar Agim Desku, më solli një copëz mall nga vendi i prindërve të mi, me “verën e ruajtur në qilar”

Ilira Hoxha Atë që nuk e bën politika, e bëjnë poetët, sic ka ndodhur kudo në botë, poetët kanë përmbysur sisteme kur ka qënë e drejte për ta, siq ndodhi me mbretërinë në Spanjë, e tjere. Urime poetit kosovar për këtë libër impresionues dhe guximtar. Falm. Që më bëtë pjesë të emocioneve.

Zef Ndreka
Kushedi edhe sa do të presim për sa të shkojnë në vend të vetë padrejtësitë e bëra në kurriz të vendit tonë , të kombit tonë…Një ndër të cilat është edhe Çamëria .Ndaj unë nuk mund të parashikoj kur shikoj veç politikës raciste greke.

Namik Selmani
Agimi është kryefjala e jetës se njeriu të një kombi. Për Çamërinë kjo është më se një KRYEFJALË JETE. Në kaltërsinë e Jonit në ballinën e një ngjyrë gjaku janë shumë për mbijetesën çame e për ëndrrën e të gjithëve për të. Edhe emri AGIM bes…Shiko më shumë.

Fatime Kulli Se shpejti, në fillim shtator do ta promovojmë librin e Agimit “Dua të pi verë Çamërie” në Ministrinë e Kulturës në Tiranë. Je i ftuar nderi Namik, si poet kryeçam, për kontributin e madh që ke dhënë për Çamërinë me veprat e tua.

Jam shumë krenar që po marr këto fragmente të veprës tuaj direkt nga dora e juaj. Të falënderoj, me jep momente shumë të bukura, artistikisht dhe emocionalisht. Sa mirë që u takuam! Flm dhe për urimet e bukura me fjalët-mjaltë. E lexova me vemendje përmbledhjen e vellimit tuaj, Bukur është shkruar sepse vargjet që komenton janë të papërseritshme. Me vjen mirë që edhe Faik Xhani ka përmendur vargjet e pavdekshme që unë s’i harroj kurrë. Me shkruaj sa herë të ndihesh se dëshiron të më shkruash ose dëshiron të ndajmë mendime. I lexova poezitë që keni të postuara dhe me levizi komplet trupin dhe shpirtin, poezi dehëse. Sapo u zgjova, më ka kënaq, loool po qesh më vete. E lexova përsedyti, dhe përsetreti, përseri, më sjell të njëjtën ndjesi të mrekullueshme. Më vjen të qajë pse nuk ke shkruar këtë lloj poezie 20 vjet më parë se do të ishe nder poetet më të mirë të botës? Pse?

Hekuran Miraka Falëminderit Fatime ! Është verë nga buti i vjetër. Po plaga është e re. Çamëria është vajza shqipe, martuar me imatin e kohës, pa unazë në gisht.
Gjon Necaj Urime nipash Agim. Ku prekë dora e Fatimës, vargu i bukur, mjeshtria artistike dhe atdhedashuria janë në plan të parë.E falëndërojmë shumë për këtë, suksese të mrekullueshme për librin tuaj më të ri.Titulli është tepër domethënës dhe metaforik.Çameëia dhe Kosova janë një janë Shqipëri.Do vijnë dita që do pijmë verën e bashkimit të kombit.Ju përshdes Agim dhe Fatime dhe ju uroj suksese.

Kuksiani Milanist
Ende renkojnë trojet shqiptare,ende dhe akoma të ndarë gjymtyrët e një trupi padrejtësisht Çamëria,Ulqini,Tetova e Presheva…na ndanë këngën,lotin,dasmat e mortin,na dhuruan mallin,dhimbjen, në copa Shqipërie u kthye gjithë atdheu ynë…sa shumë vuajtje pati ky popull,ndjekur e djegur,asimiluar në gjuhë duke lënë në dheun e tij eshtrat e një kombi që kurr nuk shua. Sinqerisht ju përgezoj me gjithë shpirt . Fatime juve dhe autorit z. Agim,i uroj suksese ku se bashku do pimë verë Çamërie,verë Shqipërie…falëminderit!

Jorgo Telo Çfarë duhet edhe mundet, e pse jo,pse të mos shijohet verë Çamërie?As është e prodhuar nga trojet shqiptare? Nderimet e mia!

Namik Selmani

Festa e Plisit

Agim Deskut një Plisi të fort të poezisë së Kosovës

Mbi plis të bardhë e solla bjeshkën
Me gaz e shend, me një tupan
Dhe shkrova fjalë si vaj për jetën
dhe dorë më dorë e ngrita lart.
Me plis të bardhë urova dasmën
Në palë të flokut kur vura mollën
Në besë të burrit rizgjova fjalën
Kur buzëtharë e putha tokën.
Në bashkë të leshit që Lokja tirrte
Kam thurur fije sa u zbardh nata
Dhe kënga rrodhi ortek në brigje
Në log kuvendi më erdh piskama.
Kur korra grurë në palcë të bjeshkës
Një plis të ri ia vura nipit
Ndër sy të ngrohtë, me zjarr të zemrës
Ia dhashë polenin e urimit.
E Festë e Plisit ma rinon hapin
Kur vij tek ti, o kullë e lashtë.
E grykë më grykë, vëllam me malin
Rizgjoj në dimër diell e hanë.
Një plis të bardhë ia vë lahutës
Tek nis një këngë majekrahu
kur shtroj ngadalë brumin e bukës
Kuqon një fjalë si cohë bajraku.
Më gjoks të fortë po e shkrij plumbin
E plis i bardhë më bën kreshnik
Një fjalë të bardhë si sqep pëllumbi
Për ju e sjell si vëlla, si mik.
Më sillni bre një tingull lodre
Se sot kam festë e nuk kam mord.
Thërrisni çika e zgjoni kroje
Ta bëjmë këtë log pranverë të ngrohtë!
Një faqe skuq porsi qershia
Kur plisin vë te djep i vatrës
Të nderë telat çiftelia
Kur marr një valle në sytë e Bacës
E thërraas Zana që të zgjoj kroje
Po kërkoj mjaltë që të mjaltos shpirtin
Mbi plis të bardhë po pres dëborën
Kur dita pret zërin e nipit.

TAKIMI I BYTYÇIT, FESTA E BASHKIMIT MBARËKOMBËTAR/ Faik Xhanistudiues

nga Ilira Hoxha më 2011-09-10 në orën 11:39.MD

Data shënon 28 gusht 2011. Në ora 8. 20’ takojmë një grup kosovarësh të ardhur posaçërisht për të festuar gëzueshëm me bytyçasit e Shqipërisë. Takohemi përzemërsisht, si vëllau me vëllanë. Ishin: Prof. Skënder Hoxha nga Jabllanica e Gjakovës, studiues e autor i 18 librave. Agim Desku anëtar i Lishjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kosovës dhe i Klubit Letrar ”Karagaçi” të Pejës. Që të dy kishin ardhur për të festuar me bytyçasit “Festën e Bytyçit” që organizohet çdo vit në Dajt. Ata krahas me nderimin e pjesëmarrjes në këtë festë kishin sjellë edhe dy dhurata të bukura. Prof. Skënder Hoxha librin “Toponomia e Dushkajës” dhe poeti Agim Desku vëllimin poetik me titull “Dua të pi verë Çamërie”. Me këta kishin ardhur: Abdyl Ramaj nga Izbici i komunës Skënderaj dhe Gani Ramaj, miq të Agimit. I pari, Abdyli ishte emigrant në Gjermani kurse Ganiu emigrant në Kanada. Që të dy kishin ardhur enkas, për të nderuar bytyçasit e Shqipërisë për festën e e vendlindjes si dhe për të marrë pjesë në promovimin e librit të mikut të tyre Agim Deskut.

Kanë ardhur të kujtojnë së bashku të gjithë ata trima që morën pjesë në ushtrinë çlirimtare të Kosovës, disa prej të cilëve dhanë edhe jetën, duke u rreshtuar në altarin e kombit, si xhevahiret e atdheut. Një ndër ta ishte edhe pjesëtari i familjes Ramaj. Quhej Hysni Ramaj, i cili prehet në varrezat e Dëshmorëve të Gllozhenit.

Ndërsa ngjisim rrugën gjarpëruese për të arrirë në majën e malit të Dajtit nën flladin e freskisë dhe gjelbërimin magjeps secili sjell midis nesh copëza jete. Në vendin e parë qëndron Fatime Kulli me origjinë nga Çamëria, baronesha e Poezisë Erotike shqiptare, botuese e disa librave dhe redaktore e mbi 100 prej tyre, me nr. 70 në Antologjinë Poetike Botërore. Një femër si burrë, shumë inteligjente, e fjalës dhe e besës, e humorit dhe seriozitetit, tolerante dhe e prerë kur e do puna. Ajo sot ka ardhur me një mision të veçantë, si redaktore e vëllimit poetik të autorit Agim Desku “Dua të pi verë Çamërie”, por edhe për të sjell diçka nga shpirti çam në festën e Bytyçit të bashkimit e vëllazërimit. Mbi flokët e dendura, të gjata e të zeza ka vendosur plisin e bardhë, simbolin shekullor dallues të bytyçasve që i shkon për mrekulli.

Ngjisim tarracat e Dajtit një e nga një, ku Tirana duket si det vezullues me koloritin e ndërtimeve. Sa më lart ngjitemi aq më shumë freskia shtohet, gjelbërimi dendësohet, shpaloset aereali natyror i cili rrezaton shumëllojshmëri e bukuri bimësh e drurësh. Burimet e ujërave që dalin nga rrënjët e shkëmbinjve derdhin ujin e ftohtë, të shijshëm e kristalor. Lartësojnë godinat e reja komode, hotele, bar-restorante, të cilët gumëzhijnë nga vizitorët e shumtë.

Kur i afrohemi majës, peizazhit natyror i shtohet dhe peizazhi i antenave që duken sikur prekin qiellin , dendësia e vizitorëve shtohet. Ata variojnë nga më të vegjlit e deri te 80-85 vjetarët disa prej të cilëve patëm rastin t’i takojmë, të bisedojmë e t’i urojmë për festën e bukur të Bytyçit.

Sapo i afrohemi majës së Dajtit para nesh shfaqet rreshti i antenave të transmetimit, një shesh i rrethuar me flamuj të vegjël katërkëndorë, ku në krye lartëson një godinë me një arkitekturë pikante, me shkallë të shumta, të gjerë mermeri, në tarracën e të cilëve shfaqet dera e madhe dhe e gjërë nga ku mund të futesh në mjediset e brendshme. Ishte selia e Qendrës Mjedisore për zhvillim, Edukim dhe Pyllëzime e cila një herë në vit, të dielën e fundit të gushtit të çdo viti hap dyert e saj për festën e Bytyçit. Sheshi ishte mbushur plot e përplot me vizitorë, kryesisht bytyças që kanë zbritur në Tiranë, Durrës, Fier e gjetkë. Ka pesë vjet, në pa mundësi për ta festuar në Bytyç, mblidhen në Dajt, pikërisht në Qendrën e Vizitorëve të Parkut Kombëtar Dajt.
Në krye qëndron stafi organizator me kryetarin e Shoqatës “Bytyçi” Agron Gjedia një intelektual me vlera, një nga më të përkushtuarit dhe kryearkitekti i kësaj feste të bukur të bashkimit mbarëkombëtar.

Vjen pastaj zv/kryetari Ismail Sadikaj, prezantuesja e spikatur Fatjona Geci, poeti, shkrimtari, studiuesi dhe autori i 20 librave Namik Selmani. Ai është çam dhe çdo vit sjell në këtë festë popullore një pjesë nga shpirti çam dhe krijimtaria e tij shëmvlerëshe. Kësaj radhe ka sjell poezinë e krijuar enkas me titull “ Plisi i bardhë”.

Në këtë ditë festë peizazhit magjeps të Parkut të Dajtit i shtohen edhe tingujt e bukur të orkestrës dhe mozaiku i këngëve dhe i valleve nga të gjitha trevat mbarëkombëtare. Derdhen atje rrathë-rrathë vargjet e valltarëve të grupmoshave të ndryshme, ku spikat veshja kombëtare dhe plisi i bardhë mbi kokat e meshkujve që ndrisin si yje argjendi në mjedisin gjelbëror.

Tri janë pjesët kryesore të kësaj feste të bukur popullore: pjesa protokollare, më e shkurtra, pjesa dëfryese më e gjata dhe më gazmorja me këngë e valle të zgjedhura dhe Drekimi sipas gjakut e familjeve.

Në pjesën zyrtare të kësaj feste për shëndeti Kryetari i Shoqatës Av. “Agron Gjedia, Z. Bajazit Cahani bëri një rezyme të shkurtër për vlerat botuese të Prof. Skënder Hoxhës. Ky autor u ndal në vlerat e librit “Toponomia e Dushkajës” dhe recitoi një poezi të shkurtër me titull “Jam bytyças”.

Nën një prezantim modest dhe tërheqës fjalën e mori peti kosovar “Agim Desku. Poetja Fatime Kulli, redaktore e librit me poezi të këtij autori foli për vlerat ideo-artistike të këtij vëllimi poetik si dhe recitoi dhe poezinë e titulluar: “Dua të pi verë Çamërie”, e cila u mirëprit dhe u duartrokit nga të pranishmit.

Anëtari i stafit drejtues të festës, poeti i shkronjës shqipe, Çamërisë dhe shqiptarizmës Namik Selmani mori për disa minuta drejtimin e skenës dhe nga tribuna e ngritur enkas për këtë takim recitoi poezinë “Plisat e Bardhë” e cila u duartrokit furishëm.

Të pranishmit i përshëndeti dhe studiuesi e publicisti matjan, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës “BPPSH” Faik Xhani, pensionisti dhe poeti bytyças Nuredin Lushaj etj.

Kohën më të gjatë dhe më tërheqëse e zë pjesa kulturore, argëtuese. Mozaiku i këngëve dhe valleve pushton sheshin dhe jehon gjithë malin e Dajtit. Aty bashkohen brezat, ngjizen traditat dhe sharmi i gëzimit e haresë arrin pikun. Bëhesh me krahë, të gëzon shpirti, mposhten hallet dhe hareja e gëzimi pushtojnë çdo qenie, kur biri kërcen e këndon me babain, nipi me gjyshin, nusja me vjehrrën, gjaku me gjakun, bashkëvendlindasi me bashkëvendlindasin, të ftuarit me bytyçasit trima e bujarë, që aq bukur kanë ditur të sjellin Bytyçin në Malin e Dajtit me gjithçka të bukur e njerëzore, burrërore, shqiptare e kombëtare.

Në këtë ditë s’ka barriera, s’ka ndalesa, të gjithë takohen, përshëndeten, këndojnë e vallëzojnë si vëllau me vëllan, si gjaku me gjakun pavarësisht nga kanë ardhur e nga janë. Është dita e njohjes, dita e bashkimit, është dita e miqësisë, e harmonisë dhe solidaritetit me cilindo pjesëtarë të ardhur nga të gjitha trevat ku banojnë shqiptarë.

Kësaj alegorie, gëzimi e hareje i shtohet edhe drekimi.
Këtë ditë në Dajt zbresin odat e Bytyçit. Çdo familje shtron odën e sajë në sheshin para Qendrës së Vizitorëve të Parkut Kombëtar Dajt. Sjellin atje shtresën me zejet e bukura të trevës, vëllazërimin, sofrën bujare të Bytyçit me të gjitha asortimentet ku spikat kosi i trashë si djathë, mishra të ndryshëm që aq bukur i gatuajnë e i servirin gratë amvisa të Bytyçit. Shtrohen pije te ndryshme ku spikat rakia e pastër si kristal, e fortë dhe e shijshme që u serviret miqve nga burrat e Bytyçit.
Secila familje pret vizitorë nga të ftuarit. Ata kanë kënaqësi dhe nder të presin mysafirë nga trevat e tjera të Shqipërisë dhe trojeve etnike.

Qarkullojmë për rreth sheshit, ndalojmë, bisedojmë me disa prej tyre. I afrohemi një të moshuari. Ka një trup dy metra, të hollë, të gjatë e të drejtë, ballëgjerë, vetulla e mustaqe të pastra e të bardha nga vitet, i veshur bukur e me plisin e bardhë në kokë. Quhet Mujo Sinani, 80-vjeçar, veteran e bazë e UÇK, i mbajtur e mendjemprehtë. Është shumë krenar për vendlindjen dhe falënderon me gjithë zemër stafin e këtij takimi. Gjithashtu ndihet shumë i vlerësuar e i kënaqur për organizimin, pjesëmarrjen dhe festimin në këtë festë popullore. Na përshëndet, na falënderon dhe premton se sa të jetë me këmbë e dorë do të marrë pjesë në këtë festë bashkimi e vëllazërimi.

Më tej takojmë një burrë truplidhur, me shpatulla sa rrasa e oxhakut, me gjoks të dalur e të fort, i veshur me kostum ngjyrë ari, i kollarisur, i shkathët e i mençur. Quhej Ali Çeku. Ishte 68 vjeç. Banonte në lagjen “Agim Ramadani”Junik. Pjesëtarë i UÇK. 9 vjet ka shërbyer si shef i trajnimit të UÇK në zonën e Dukagjinit. Aktualisht një nga veteranët dinjitoz të UÇK, i cili ka ardhur nga Juniku të festojë së bashku me bytyçasit. Vallxon, këndon, përshëndet dhe takon të pranishmit nga njëri cep në tjetrin. Nga stafi i organizimit të takimit të Bytyçit nderohet me “Certifikatë Mirënjohjeje”

Më në fund përqendrohemi te i moshuari Shaban Sadikaj. I ka kaluar të 85 vitet. Mbahet mirë pa iu dridhur këmba e dora. Ka ardhur familjarisht dhe ka shtruar sofrën familjare në Malin e Dajtit. Ka dy djemtë: Islam e

Ramazan Sadikaj, dy rejat: Zyra e Farie Sadikaj dhe mjaltin e mjaltës, mbesën, Brikenën e vogël. Mbi barin e njomë të sheshit ka shtruar qylymat karakteristik të dhomës së Bytyçit e mbi të ka ngritur një çadër për hije. Djali i tij i madh, Islam Sadikaj kryen detyrën e zv/kryetarit të shoqatës “Bytyçi”. Ai na lutet me shpirt të drekojmë me familjen e tij dhe ashtu bëmë. Prof. Skënder Hoxha, poeti Agim Desku nga Peja, poetesha Fatime Kulli e poeti Namik Selmani nga Çamëria, studiuesi matjan Faik Xhani, veterani i UÇK nga Juniku Ali Çeku, Abdyl Ramaj nga Izbici etj. Këtë drekë, ishin miqtë e familjes Sadikaj të Bytyçit.

Shumëllojshmëri pijesh, ushqimesh, frutash, urimesh e shëndetesh u ngritën. U ndjemë si në shtëpinë tonë e sikur njiheshim prej shumë vitesh. U njohëm, u gëzuam dhe u miqësuam për të mos u ndarë më për jetë të jetës, duke marrë me vete mbresat më të mira, bujarinë e rrallë, vëllazërinë bytyçase, traditat e vyera të kësaj treve me betimin për të qenë vazhdimisht të bashkuar në festën e madhe, të përvitshme, çdo fund gushti në Malin e Dajtit, duke ruajtur fort të kaluarën, si bazament i së ardhmes më të re e më të begatë të shqiptarizmës.

Faik Xhanistudiues

Në Dajt në festën e plisit, Fatime Kulli, Namik Selma,I, Faik Xhani, Agron Gjedia, Agim DESKU, Bajazit Cahani, Skender R. Hoxha

Fjalë që e sjellin edhe më pranë Çamërinë/ Namik Selmani

Mendime pë librin me poezi të poetit kosovar Agim Desku “Dua të pi verë Çamërie

Një rastësi e bukur, por edhe me shumë simbolikë që autori pejan Agim Desku ka zgjedhur në ballinën e librit të tij të fundit me poezi një detaj shumë të veçantë. Një çast gëzimi që do ta ëndërronte secili që jo vetëm ao, por edhe net ë ishim pjesë e tij. E, pra një gëzim të ëndrruar të Festës së Çamërisë duket se ka qenë dhe mbetet edhe në poezinë deskiane një motiv qëndror. Harta e Çamërisë, një gotë me verë ndjellamirë e gazeve të saj, ende të ëndërruara, të bëjnë që të lexosh me dashuri librin e tij. Një libër që ai e boton edhe në në përvjetor të bukur si ai i ditëlindjes së tij. Dhe e ka botuar këtu, në Tiranë, në një shtëpi botuese të këndej kufirit për të treguar edhe një herë atë që ne po e prekim e punojmë çdo ditë BASHKIMIN E SHKRONJËS SHQIPE. Para se të bashkojmë fizikisht trojet tona (për këtë edhe Agimi ka shkruar një poezi të bukur në këtë vëllim) duhet të bashkojmë vlerat tona kulturore e letrare. Këtë Agimi e ka bërë dhe e bën me shumë dashuri e pasion edhe në mësimdhënien e gjuhës amtare, por edhe e librat e botuara deri tani.

Duket se edhe për shumë kohë do të kemi nevojë për një poezi me temën atdhetare. Udhëkryqet ku na ka vënë historia dikur, por jo më pak edhe sot, na kanë bërë që shumë fjalë mentare të thurim për lirinë, për dëshmorët e sotëm e të të gjithë kohërave, për poetët që kanë patur në jetën e tyre misionin e shqiptarizmit si është Din Mehmeti, për bashkimin kombëtar për flamurin. E kështu kjo është tematika kryesore e këtij vëllimi duke patur si një kryekurorë atë të Çamërisë

Këtë frymë dashurie Agimi nuk e jep në një mënyrë deklarative po e jep si frymë edhe kur ai i këndon historisë së saj të dhimbshme, por edhe kur ai flet për Kosovën e plagët e kombit tonë në të kaluarën. Libri ka një gjeografi të madhe vendesh e personazhesh që i japin poezisë së tij hapësirë dritë, ngjyra.

Janë mbresat e marra jo vetëm nga udhëtimet e tij, por sidomos edhe nga ajo “prapavijë” e fortë aëqë ai ka për folklorin, për historinë, për gjuhën amtare (ai është prej shumë vitesh mësues) e në këtë siamëzi temash ai
nuk harron edhe emrin e tij AGIM. Për këtë ai shkruan në poezinë “U ringjallën zotat” Ku thyejnë gurët e muret/nëpër secilin kufi/ të ngrenë kala/me emrin tim AGIM/që zotat ma lanë kujtim/

Në një udhëtim poetik duket se përkrah gurëve të historisë edhe ai kërkon të vërë Gurët e Fjalës së tij të mënçur, Në poezinë shumë të bukur “ Fjalët e pathëna “ ai thotë se ka ardhur në pritje te birit të tij që të gjejë gurët e Koshares, të kthejë muret e Rozafatit. Më tej ai shkruan: “Aty ku ishin shekujt e Bogdanit/ që gostisin miqtë/ në amfiteatrin e Apolonisë në Dyrah/ duke shijuar tragjeditë ilire/në skenat e Dardanisë /aty ku nuk bie kurë perdja/e aktit të parë as të dytë…

Të bën përshtypje një sinqeritet shumë qelqor i poetit Agim Desku në rrëfimin e tij poetik. Është ky sinqeritet dhe kjo natyrshmëri rrëfimi që bashkon shumë poetë që e kanë vendin në kujtesën e lexuesit të së nesërmes e jo në vetrinat e librarive ku është shumë vëshirë që të gjesh libra me poezi sepse nuk merren nga librarët tanë (!!!) Një bashkim metaforik që ai bën në poezinë “Falma një lule prilli” ai bashkon shumë dashuri për të bërë një tufë të paharruar e askurrë të vyshkur . Në fund të kësaj poezie ai shkruan: “Sonte me secilin baloz/jam në dyluftim/edhe për dashurinë/edhe për puthjet e mikes /për atdheun tim të shtrenjtë/bëhem ushtar i tij besnik.

Nga ai gjerdan metaforash shumë të bukura të librit do të shpalosnim disa prej tyre: sonte u plaka për 100 vjet. Më prangosën bashkë me atdheun, një lule për Itakën time, kohë jashariane e atdheut, sonte nuk jemi më legjendë me miken. etj.
Në sinorët e fshatrave e qyteteve shqiptare nga Preveza, Parga, Tetova, Kosharja, Prishtina Ulqini, Prekazi, Presheva, Vranina, sheh një shpirt të paepur dhe me poezinë e tij të bukur krijon një Atdhe të dytë, brenda të cilit është shkrirë edhe fryma e poezisë së tij.

“Sonte u plaka për 10 vite burgim/bisha e zogj mali më shikonin si të krisur/apo vetë djalli isha bërë në botën/që më sillej rreth emrin tim e tim eti,“ shkruan në poezinë “Takim jasharisht me Adem Jasharin” poeti i vëllimit Agim Desku.

Vargu i Agimi Deskut është një varg i shpenguar, i ngrohtë, me një nerv të dukshëm në rrëfim. Unë do të thoja se ai ecën i sigurtë në rrugën e poezisë tradicionale kosovare që ka njohur para tij yje të tillë poetikë si: Esat Mekuli, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Enver Gjergjeku, Azem Shkreli etj. Poezia e tij më e mirë (ai ka botuar deri tani 4 vëllime poetikë) ecën krah përkrah edhe me poezinë e trevës së Malësisë së Gjakovës. Një poezi që ai ua ka kushtuar kolegëve të tij të poezisë Gjon Neçajt dhe Lulëzim Logut që jetojnë e shkruajnë në Tropojë e bashkon atë edhe me atë tematikë, me atë formë artistike që lëvrohet në këto treva. E poezinë për ta ai e ka titulluar “Besa-besë” . Duke iu larguar intimiteteve që shpesh mbushin poezi të tilla, ai gjen te kjo miqësi edhe poezinë e tij lavërtare, një lloj bese me fjalën e shkruar: “Ma mbaj zemrën e jotja ishte prej kohësh/mos ma kërko emrin, emrin, është imi/për besë të tretë ne kemi/ Një emër”/ -shkruan ai në këtë poezi.

Poezitë e këtij vëllimi janë vlerësuar edhe nga kritika letrare bashkëkohore. Kështu në këtë vëllim lexojmë vlerësimet e poeteve e kritikëve Fatime Kulli (është edhe redaktore e librit) kritiku Prend Buzhala dhe studiuesi Faik Xhani.

Kritikja e poetja e njohur, por e njohur dhe si redaktore e qindra librave kryesisht me poezi, Fatime Kulli bën një sintezë të të gjithë poezive të librit: “Vëllimi “Dua të pi verë Çamërie“ në tërësinë e tij është në unison me vetë identifikimin e origjinës së poetit Agim Desku në poezinë që paraqet, si pasaportën e tij poetike “ushtarin” e pabindur shpirtëror e moral që, për vendin, kombin e njerëzimin bën një shkrirje të furishme në furrën poetike, me ndjenja të larta njerëzore atdhetare e qytetare. Këtë shkrirje poetike dinjitoze e shpërndajnë në hapësirat mbarëshqiptare si vlerë shpirtërore morale, njerëzore me një mesazh të madh poetik: “Duajeni atdheun! Liria është e shtrenjtë! Duaje tokën tënde se jemi shqiptarë”.

Bashkëkrahinasi i tij Prend Buzhala e titullon shkrimin e tij vlerësues për librin ”Poezia e Agim Deskut, pasaporta kuq e zi e flamurit kombëtar”. Mes vlerësimeve të tij do të ndaleshim në një pjesë “Mallkimet më të bekuara janë ato të fjalës, hënës (simbol dëshmie) çlirimtarëve.. Kurse vitet e rrugëtimit nëpër jetë nëpër ëndrra, dashuri dhe nëpër pranverat shqiptare e kanë këngën e tyre të veçantë e kanë ditarin e tyre të shpalimit shirtëror, atë lëvizje shpirtërore që na përcolli nëpër dekada e vite Agim Desku…”

Kritku Faik Xhani, shumë i njohur kohët e fundit për shkrime cilësore të kësaj fushe, vlerëson librin nga këndi emocional që lidhet me përmbajtjen e tij “Brenda librit “Dua të pi verë Çamërie – shkruan Faik Xhani- ngërthehen dhe shpresa, edhe zhgënjimi, edhe qëndresa, edhe përkujtimi edhe reagimi i një shpirti, i cili gjen prehje vetëm në synimet e poetit që shquhet për kah vargu dhe poezia e shkurtër, të cilat sot janë shumë të preferuara”.

Në kohët që po jetojmë ka edhe poetë të tjerë shkruajnë për Çamërinë. e kjo tregon se dhimbja për fatin e saj dhe dashuria sa vjen e rritet edhe më shumë tek të gjithë shqiptarët.

Fjalët e tyre, tregimet, poezitë fotografitë, filmat, pikturat, skulpturat na e bëjnë edhe më të afërt.
Do të donin që këtë shkrim ta mbyllim me disa mendime që të intrigon poezia që i ka dhënë titullin librit. Është fjala për poezinë “Dua të pi verë Çamërie”

Është një nga më të mirat e vëllimit. Një poezi që ka shumë kulturë në rrëfim, ka detaje që të mbeten shumë gjatë në kujtesë. Si fillim poeti grindet me perënditë, kafshon veten duke thithur gjak gjarpëri. Më tej ai zbret në Purgatorin e Dantes. Futet në sinorët e legjendave të Mujit e Halilit, në Rozafat grinedet edhe me Zeusin. Kalon afër Dyrrahut ku takon edhe Homerin e më tej thërret, kërkon, klithmon, lutet gazmohet duke kërkuar me zë të fortë “ Dua të pi verë Çamërie.”

E më tej, ai na jep një detaj të bukur poetik me nuanca sa mitike aq edhe reale me hijet e Çamërisë që ngrihen nga varret me lotë në sy. Ai i fton që në qilarin e kullës së të parëve të ofrojë verë nga më e mira, më e ëmbla, më festivja, se kërkon një FESTË që të bëhet sa më e afërt. Është Festa e Rikthimit të trojet tona.

Duket se përvoja e tij poetike që na shfaqet në këtë vëllim të radhës, ma bën që përveç urimit për të, të besojmë se në librin e ardhshëm, ai do të na shfaqet edhe me më shumë vlera që duken si gurë të rëndë në Kalanë e letërsisë bashkëkohore shqiptare.

Namik Selmani, shkrimtar

Kurora e fjalë së bukur

Në ditëlindjen e Agim Deskut

Kur shkruaj per ty, më bëhet më i ëmbël gruri dhe guri.
E më vjen në mend një fjalë burri e lokehe që më ngroh.
Në odën e largët zemra më bëhet bash si flamuri
E fjala më peshon si të kisha në duar mbarë një botë.
Kur shkruaj për ty kujtoj shtigjet, malet e rudinat
E urtia e një bace atje, në shtigjet pejane, më vjen në sy.
Një oxhak të ri kulle ndez, si të ndizja vetëtimat
Dhe loket e bjeshkëve një nga një i takoj aty.
E më vjen aq pranë nëna jonë e madhe Tereza,
Si një mal i lartë, që bora s’e thinj në shekuj kurrë
Kujtoj vatanin që na lindi e na dha gjuhëshqipen në breza,
Kujtoj një amanet që më duket si një zjarr i prushtë.
E ulem në një Sofer nderimi, që më bën edhe më mentar,
Se të kam ty pranë, o vëlla i vëllezërve të mirë.
Në bujarinë tënde skuqem dhe hesht, si një fëmijë syzjarr
Dhe arin e fjalës e mas me Sharrin, a me lumenjtë ujëdlirë.
Me trup ti bredh nën këto zile shkollore, në male madhështorë
Po shpirti yt fluturon kudo në atë baltë të ëmbël Kosove
Dhe kur qepallat të mbyllen në një dhomëz të ngrohtë,
Ti je atje, ku trimat e lirisë flasin për gjurmë kohe.
Ti je këtu ku krenia jonë, na ngroh zemrat njerëzore,
Ti je me ne dhe lumnia na mbush pragun, të ardhmen, jetën,
O vëlla i mirë, ndizna sërsish me vargje një flakadan Kosove
Dhe je bash si një krua që kurrë s’e faron rrjedhën.

Tiranë, Berat 25 gusht 2011

NJË MUSHT HEROIZMI NË PARZMIN E TROJEVE SHQIPTARE

(“Dua te pi verë Çamërie”, Agim Desku, poezi, Botimet “Vllamasi”, Tiranë 2011).

Nga Gjon Neçaj

Një krijues nga Kosova kohë me parë shkruante nje poezi i frymëzuar nga “Rruga e Kombit”:

Një kafe
Në Prishtinë
Dua ta pimë
Në Tiranë
Një gotë raki
Në Çamëri
Një gotë verë
Ne mos e pifshim
Mos të na thençin
Më Shqipëri.

Citova këto vargje domethënëse të ndëruar pjesëmarrës për të paralajmëruar një epokë të re që po lind në shqiptarinë tonë,në trojet ku të parët tanë luftuan me shekuj dhe dërdhen gjakun për të arritur këto ditë, e në pasaportën e kuqe të historisë skaliten të ardhmën me themele të qendrueshme, kush me pushkë e kush me penë. Ndaj edhe sot pena e mendjeve të ndritura, e krijuesve të talentuar këtej e matanë Shqipërisë, zëri i tyre kumbues po jehon trojeve shqiptare. E një vepër e tillë zulmëmadhe është padyshim libri me poezi “Dua të pi verë Çamërie”, i poetit atdhetar Agim Desku, i cili paraqitet para jush sot pas përurimit në Tiranë dhe pas shumë e shumë përshendetjeve që autori ka marrë për këtë libër poetik.Se siq shkruan poetja, shkrimtarja, studiuesja, publicistja e talentuar dhe redaktorja e librit, Fatime Kulli, libri “Dua të pi verë Çamërie” vjen si një klithmë e kahershme, por e pa realizueshme deri tani ku nënteksti i metaphorës poetike është cingrisja e plagëve të pasheruara kombëtare.

Për fisin Desku moti kisha degjuar, madje kisha lexuar shumë për Tahir Deskun, por edhe për Agim Deskun, ndonëse nuk ishim takuar asnjëherë.Fati e solli dhe në kuadrin e mitingut të poezisë “Gjakovë 2011”, u njohem për herë të parë me Agimin në qytetin “Bajram Curri”, vendlindjen time, nderi dhe krenaria e Atdheut, një qytet i vogël në prehër të Alpeve dhe namëmadh, ku ngjarje kulmore të historisë se shqiptarëve kanë zënë vend pikerisht ketu, ne kete qytet ku mban emrin e një burreshteti, të një luftëtari,trimi dhe legjendari,birit të Çabratit, origjina e të cilit është pikërsisht në Tropojë, Heroit të Popullit, Bajram Curri.E më vonë takimet tona kanë qënë teëshpeshta,duke pasur ne vemendje se Agimi eshte gjak nga gjaku yne.

Për librin kanë dhënë konsiderata shumë poztive dhe mendime më vlerë përsonalite të shquara në Shqipëri dhe Kosovë, si Fatime Kulli, Prend Buzhala, Faik Xhani, Fran Ukcama, Sejdi Berisha, Skender R. Hoxha, Murat Gecaj, etj.,etj., ndaj unë nuk do bëj kritikën e librit, por do shpalosi disa mendime për krijimtarinë tij në përgjithesi.”Dua të pi verë Çamërie” vjen pas tre librave me poezi, “Pëshperitje drite”,1995, “Kënga e pranverës”, ( vjersha për fëmijë ), 1996 dhe “Në cilin varg mbes”, 2007.

Libri “Dua të pi verë Çamëie”, me një titull metaforik të fuqishëm vjen si uragan i të gjithë atyre shqiptarëve që kanë ngritur dhe po ngrejnë zërin për të drejtat çame, të mohuara prej dekadave e të parealizuara. Në çdo varg,në cdo strofë e në çdo poezi të Agim Deskut ka diçka nga liria, besa, burrëria, trimëria, shqiptaria, Kosova, Çamëria, Drenica, Prizreni, heronjtë, kullat, sofra shqiptare, lufta çlirimtare e Kosovës, e duke përifrazuar vargjet e Agimit të cituara në pasthenie nga poeti, studiuesi, shkrimtari dhe publicist i talentuar Prend Buzhala,” secila thirrje e Agim Deskut është britmë tragjike, qoftë për poetin që dëgjohet vetëm shqip, këndohet vetëm shqip dhe një plagë Çamërie, plagë Tivari, burgu që shfaqen kudo në vargje, e që ka bukurinë vetëm shqip, se “sonte jam shqiptar/E jam Shqiperi”, citon dikund mes vargjeve poeti atdhetar me kredon e tij sublime.

E përfundi citojmë pa medyshje se poeti Agim Desku në librin e tij “Dua të pi verë Çamërie”, në poezinë e tij paraqet pasaportën poetike me ndjenja të larta qytetare dhe intelektuale,duke e shpërndare në hapësirat mbarëshqiptare kredon e tij poetike me një mesazh të madh dhe epokal: ta duam lirinë se ajo është e shënjt.T’i duam trojet tona kudo në shqiptari.


Poezia e Agim Desku-t, Pasaporta kuq e zi e flamurit kombëtar

Prend Buzhala

Subjekti lirik që ligjëron në vetën e parë poeti Agim Desku, është subjekt mbikohor, tej-historik, që shenjon shqiptarin; vetëm protagonisti i tillë arrin të grindet me përenditë e të gjitha kohëve, t’i mbijetojë ata – për të qenë krijues i Atdheut dhe Mburojë shpirtërore e trashëgimore e problemit shqiptar dhe e qëndrimit SHQIP e të FOLURIT SHQIP, vetëm me pasaportën kuq e zi te FLAMURIT. Madje, është një e folur edhe i kryqëzimit SHQIP për lirinë, sikundër e shqiptojnë këtë vargjet antologjike: “Atdheun e mora më vete/ herë në tokë/ e herë në qiell”…Ky subjekt mbikohor poetik, me artin e ekzistimit te tij, futet e del prej mitologjie e legjende, hyn nga tejkoha në secilen kohë dhe e bën historinë. Secila thirrmë lirikë e Agimit, është britmë tragjike, qoftë edhe për poetin kryeneç e luftëtar që dëgjohet vetëm shqip, këndohet velëm shqip…dhe një plagë Çamërie, plagë Tivari, burgu, që shfaqen kudo nëpër vargje, është lëndim që e ka bukurinë e vet shqip (“Sonte/jam shqiptar/ e jam Shqiperi”). Sikur secila poezi lexohet si nje orë historie, kundrohet si një imazh lapidarësh të besëflijimit. Dhe, i tërë ky ligjërim është POEZI, është POETI vetë.

Mallkimet më të bekuara, janë ato të fjalës, hënës (simbol dëshmie), Çlirimtarëve… Kurse vitet e rrugëtimit nëpër jetë, nëpër ëndrra, dashuri dhe nëpër pranverat shqiptare, e kanë këngën e tyre të vaçantë, e kanë ditarin e tyre të shpalimit shpirtëror, atë levizje shpirtërore që na përcolli nëpër dekada e vite, poeti Agim Desku…

« NJË ARRITJE TJETËR E POETIT. | Në Tiranë u promovua libri i poetit Agim Desku, “Dua të i verë Çamërie”

Sejdi BERISHA:
POEZI MALLI E DASHURIE PËR ÇAMËRINË
… Këndimi i poetit me zërin e vargut krijon reliev të çmueshëm jete. Gjërat që shtrohen në varg e poezi, grishin e intrigojnë, se, për çdo pëllëmbë toke e grusht dheu, nuk bën fajësuar vetëm historinë, por duhet ngritur zërin, ndërgjegjen dhe vetëdijesimin dhe përgjegjësinë e secilit, ka thënë shkrimtari dhe publicisti nga Kosova, Sejdi BERISHA.
Promovimin e madhështuan edhe artisja e mirënjohur, Margarita Xhepa dhe artisti Vasil Bozo, duke recituar vargje nga libri.


Në kuadër të zhvillimeve kulturore dhe letrare në Shqipëri dhe Kosovë, të shtunën në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës të Shqipërisë në Tiranë, u promovua libri me poezi i poetit nga Peja, Agim Desku. Në këtë manifestim letrar dhe kulturor morën pjesë krijues, artistë dhe dashamirë të fjalës së shkruar jo vetëm nga qyteti i Tiranës.
Nga promovimi i librit “Dua të pi verë Çamërie” në Tiranë: Namik Selmani, Agim Desku, Fatime Sali Kulli dhe Sejdi Berisha(Foto: Kozeta Zavalani).

Duke e hapur këtë ngjarje kulturore, Fatime Kulli, redaktore e librit, tha se promovimi i librit “Dua të pi verë Çamërie” i A. Deskut, jo vetëm se ka peshë dhe rëndësi për zhvillimin e vlerave kulturore por edhe e ka veçantinë e vetë, sepse, vetë titulli i librit tregon për mesazhin poetik. Pastaj, ajo theksoi edhe bashkëpunimin e ndërsjellë kulturor, pra edhe letrar. Vlen theksuar se në kuadër të kësaj nisjative, disa muaj më parë në Pejë u bë promovimi i veprave të krijueses, nga Korça, Rajmonda Moisiu, e cila jeton dhe vepron në SHBA. Kurse, një vit më parë, në Tiranë është promovuar libri me poezi i krijuesit nga Gjakova, Tahir Bezhanit, “Piskamë e heshtur”. Aktivitetet e tilla kanë ndikuar dukshëm në njohjen reciproke të vlerave krijuese por edhe në thellimin e bashkëpunimit i cili ka rëndësi të shumëfishtë në fushën e letërsisë dhe të kulturës në rrafshin kombëtar. Ndërsa, krijuesi çam nga Tirana, Namik Selmani i dha një vështrim estetiko-letrar veprës “Dua të pi verë Çamërie”, duke theksuar edhe peshën historike dhe mesazhin e fortë e të qëlluar të vargjeve jo vetëm për krahinën e Çamërisë.
Shkrimtarët para promovimit të librit, “Dua të pi verë Çamërie” të fotografuar pranë Ministrisë për Arsim dhe Kulturë të Shqipërisë

Shkrimtari dhe publicisti nga Kosova, Sejdi BERISHA, duke folur për librin “Dua të pi verë Çamërie”, pasi i dha një vështrim rëndësisë së bashkëpunimit kulturor përbrenda kombit, ai tha se: ”Krijuesit, si duket, vetë situatat, rrugëtimi i kombit, i atdheut dhe i vetvetes, ia krijojnë rrugën poetike, e cila, kur merr formën dhe peshën e vet, dot nuk del nga binarët e përplasjeve, meditimeve, ndijimeve, nuk del nga mllefi, etja, malli e dashuria për ta parë e përjetuar ëndrrën e bashkimit, ëndrrën e përbashkët që jeta të merr kahe ashtu siç e meriton njeriu, atdheu dhe kombi”.

Ndërsa, pesha e historisë, siç është edhe ajo e Çamërisë, janë të dhembshme, ka thënë z. S. Berisha. Andaj, ai e çmon zërin dhe rebelimin poetik dhe krijues, për çfarë thotë: “Duke e përcjellë krijimtarinë e autorit të librit “Dua të pi verë Çamërie”, mirë dhe bindshëm mund të dëshmohet, se ai në asnjë moment dot nuk i shkapet atij synimit, asaj rrjedhës së historisë, asaj këngës e cila shndërrohet në lapidar kohe e këndimi për peshën që ka ecja drejtë bashkimit-lidhjes së gjërave, por, edhe të periudhave kohore në një tërësi, pa të cilën kurrë nuk do të jetë rehat as toka, as njeriu i këtij nënqielli, i cili, në mënyrat më të ndryshme u ndrydh, u përplas e u flijua, por, edhe në mënyrat më të ndershme gjithnjë qëndroi vertikalisht”. Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, e heton edhe dhe e thekson edhe atë (edhe pse në libër nuk është thënë) se, autori: “sikur rreptë qorton, apo, sikur na detyron që çdo gjë ta përkujtojmë për historinë, duke mbërthyer kështu të gjitha për birë të gjilpërës, duke përfshirë këtu edhe vetveten, edhe vargun, sepse, ai shtron pyetjen si përgjigje: “Më thuaj Ti, Atdhe/ç’të shkruaj sonte/për lirinë time,/pa Çamërinë?!”.

Aktorja e mirënjohur e Shqipërisë, Margarita Xhepa dhe shkrimtari e publicisti, Sejdi Berisha, fotografuar pas promovimit të librit.

Mirëpo, këndimi i poetit me zërin e vargut krijon reliev të çmueshëm jete, për këtë arsye, Berisha për librin e Deskut na përkujton edhe këtë: “Gjërat që shtrohen në varg e poezi, grishin e intrigojnë, se, për çdo pëllëmbë toke e grusht dheu, nuk bën fajësuar vetëm historinë, por duhet ngritur zërin, ndërgjegjen dhe vetëdijesimin dhe përgjegjësinë e secilit. Atëherë, edhe muzat krijimtarinë e shndërrojnë në fole pavdekësie dhe ngrohtësi shpirti. Andaj, zgjimi nuk është mollë që ngulet në shtizën e krushkut, por është një fuqi që djegë, që provokon për t’u bërë dritë, kasnec lumturie dhe madhështi dashurie”, ka thënë shkrimtari Sejdi Berisha.

Dhe, duke u zënë me vargun e poetit, Agim Desku, njeriu ndjehet mirë, bile, merr guximin që nganjëherë edhe për ta ngritur zërin në vetvete, nganjëherë për ta kafshuar buzën, nganjëherë për t’i ndrydhur gishtat, e nganjëherë për t’i ndezur qirinjtë në të katër anët e tokës për të kaluarën, për të sotmen dhe për të nesërmen, duke përkëdhelur vetëm atë dritën e cila kurrë nuk fiket. Me rastin e promovimit të librit “Dua të pi verë Çamërie” të A. Deskut, folën edhe krijues të tjerë nga Tirana dhe vende të tjera, si Rajmonda Moisiu, Ramiz Mujaj, përfaqësues i Shoqërisë shqiptaro-amerikane “Vatra”, etj. Ndërsa, promovimin e madhështuan artisja e mirënjohur, Margarita Xhepa dhe artisti Vasil Bozo, duke recituar vargje nga libri.

NJË LIBËR PËR ATDHEUN, FLAMURIN DHE LIRINË – Faik Xhani-studiues

Këto ditë doli nga botimi libri i poetit kosovar Agim Desku me titull “Dua të pi verë Çamërie” dhe me redaktore poeten e njohur çame Fatime Kulli, më joshi ta lexojë këtë libër që në dorëshkrim.
Është një vëllim poetik me një tematikë të larmishme, ku autori bëhet njësh me atdheun, flamurin dhe lirinë. Jashtë këtij trinomi, poeti e quan veten bosh, send pa vlerë dhe qenie pa personalitet.
Libri pasqyron një duel me veten, me kohën, me vargun dhe me perënditë për një qëllim të vetëm, për atdheun, për flamurin, për traditat e shquara, për besën, për trimërinë që kanë treguar shqiptarët për mbrojtjen e trojeve amtare dhe lirinë.

1 KOMENT

  1. BALADë PëR CAMëRINë

    Nga vatrat autoktone
    Të dëbuan Camëri
    Ah Camëri Camëri
    Shikoj hartën
    Gadishullin Ilirik
    Gjeografinë Shqiptare
    Atdheun e coptuar
    Nga Piromanët
    Kuajt e drunjët Grekët
    Trojën e tradhtuan
    Gjenezën tonë Pellazge
    Camërinë e dogjën
    Shpresoj – një gjak
    Një gjuhë e një kulturë
    Na bashkon
    Eshtë ngulitur
    Dashuria në ty
    Do të vimë
    Ta e thithim atmosferën
    CAME – CAMëRI
    Na bijët e tu të Arbërit
    S’do të heshtim
    As duarkryq s’do të rrimë

    Nga Halil Preniqi .

Komentet janë mbyllur.