Sansal, shkrimtari i njohur Algjerian: “Islamizmi ndalet vetëm duke ndalur Arabinë Saudite, Iranin dhe Katarin”

0
2542

Nga Paolo Salom, TemA

Trishtim. Thellësisht i trishtuar dhe tmerrësisht i inatosur.” Kështu e përshkruan gjendjen e tij shpirtërore Boualem Sansal, pas sulmit në Nice, të ndjekur nga sulmi me sopatë i një shtatëmbëdhjetë vjeçari Afgan në një tren në Gjermani, e më pas të shtënat në Mynih. Shkrimtari Algjerian, flet me qetësinë e tij të përhershme, por pa harruar të thkesojë se ku qëndrojnë përgjegjësitë. “Jam i trishtuar për viktimat, dhe i inatosur me terroristët… Sulmi në Gjermani është vërtetë shqetësues. Islamikët po rekrutojnë përherë e më tepër të rinj. Ç’do të mbetet për t’u bërë kur, një ditë, sulmet me bomba t’i kryejnë fëmijë të moshës dhjetë vjeçare? Kë do të arrestojmë dhe hetojmë atëherë?

Ne e dimë tashmë se vrasësi në Nice ishte “radikalizuar” në pak kohë: ai nuk kishte qenë kurrë fetar, por adhuronte dhunën fizike dhe paraqitej i paqëndrueshëm mendërisht. Diçka e re kjo, e cila duket se është pjesë e strategjisë për të befasuar “armikun”. Por, nëse kjo është një luftë, cili është qëllimi i saj?

  • Nuk ka një qëllim, frika nuk ka objektiv. Islamikët e dinë se ajo është forca e tyre: terrori, frika, befasia. E gjithë kjo është perceptuar qysh në ngjizjen e Islamit. Kalifi Mu’waiya (602-680), themelues i dinastisë Uamayyad-e, e shfrytëzoi terrorin aq shumë, saqë e ktheu thuajse në një doktrinë të shenjtë. Sot, Islamikët lexojnë shkrimet e asaj kohe, iu falen dhe frymëzohen prej tyre.

Në Francë ka rreth pesë, gjashtë milionë Arabë: a është e mundur që sulme të tjera si ato në Paris dhe Nice, të nxisin një “luftë civile”?

  • Lufta civile është diçka e pagjasë në Francë, por edhe në Europë, madje edhe në se Islamikët bëjnë gjithçka për ta provokuar, duke e shtyrë popullin Francez drejt një “gjuetie ndaj Myslimanëve dhe Arabëve.” Nga ana tjetër, numri i sulmeve me shumë mundësi do të vijë duke u rritur, çka nënkupton pasiguri të plotë, paralizim të ekonomisë dhe shërbimeve publike….

Por, çfarë na pret në të ardhmen?

  • Tani jemi në një udhëkryq. Një mundësi është që, nëse ISIS do të shkatërrohet dhe bota do të arrijë të ndalë Arabinë Saudite, Katarin dhe Iranin në promovimin që ata i bëjnë Islamit dhe financimit të terrorizmit, duke nxitur urrejtje ndaj jo-Muslimanëve, atëherë do të shohim se si terrorizmi do të bjerë kudo. Islamizmi do të vazhdojë të ekzistojë, por në mungesë të burimeve ideologjike dhe financiare, shtrirja e tij do të pakësohet së tepërmi. Mundësia e dytë do të jetë, nëse ISIS arrin t’iu mbijetojë sulmeve dhe nëse Arabia Saudite, Irani dhe Katari do të vazhdojnë subversionin e tyre ndërkombëtar, atëherë do të kalojmë në konfilte të përmasave të gjera.

Bota Arabo-Muslimane duket se e ka të pamundur të vetëreformohet dhe të gjejë rrugën drejt modernizmit. Perëndimi perceptohet si rrezik. Por, a është vërtetë kështu? Mos vallë një pjesë e universit Islamik i sheh këto masakra si një mundësi për “pushtimin e Romës dhe Europës”?

  • Modernizimi i botës Arabo-Muslimane nënkupton reformimin e Islamit, pasi është pikërisht ai që e organizon dhe e bën të funksionojë këtë shoqëri. Për momentin, një ide e tillë është e pamundur dhe do të mbetet e kështu për dekada, e ndoshta shekuj. Jo, Islami nuk ka nevojë për justifikme, për të krijuar mundësi pushtimi të Europës. Plani i tij, i shkruar në Kur’an, është të Islamizojë të gjithë botën dhe ta qeverisë atë nën ligjet e sheriatit. Por, është metoda e arritjes së kësaj urdhërese, ajo për të cilën nuk bien të gjithë dakort.

Ç’doni të thoni?

  • Disa janë vetëm për duwa (thirrjen ndaj jobesimtarëve për të pranuar All’ahun), konvertim përmes mësimeve të Islamit në xhami, politikës (fitorja e zgjedhjeve dhe kryerja e reformave që favorizojnë Islamin dhe promovojnë sheriatin). Të tjerët janë për një pushtim ushtarak, xhihad dhe terrorizëm. Të gjitha këto sisteme janë zbatuar në Europë, me përjashtim të pushtimit ushtarak. Kjo, pasi Islamikët nuk kanë një ushtri, për ta arritur diçka të tillë.

Si duhet reaguar ndaj gjithë kësaj?

  • Për të mposhtur terrorizmin, duhet luftuar së pari Islamizmi. Dhe të vendosen nën kontroll burimet e tij ideologjike dhe financiare.”

/Përg.: Bjorn Runa

Boualem Sansal është një shkrimtar Algjerian, i lindur në 1949, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare. Në veprat e tij, ai trajton shpesh temat e fondamentalizmit Islamik, ndërsa romani i tij i fundit, “2084” u kthye në një sensacion në Francë, kur u botua një vit më parë.

Marrë me shkurtime nga “Corriere Della Sera”