#PërTeatrin dhe ANËS QIRIT – nga Bajram Lani

0
280
Bajram Lani

#PërTeatrin

(Bajram Lani)

Çohet me mëngjes, në kohë pandemie
Që t’i heqë teatrit çdo tullë historie.
Një më t’madh dëshiron ta bëjë #Ramaik!
Teatri më i madh, zotrote, quhet politikë.
Ka më shumë spektatorë që t’duartrokasin,
Kur ta kryeni shfaqjen keq nga pas ju flasin.
Artistëve ua shembe teatrin e historisë,
Për t’i bërë vend teatrit t’politikëmarrëzisë.
Edhe opozitën merreni n’atë teatër n’daçi
Se dallimi juaj është si buka nga kulaçi.
Do vijë edhe fundi i shfaqjes së marrëzisë,
Le ta pres i qetë, populli i Shqipërisë.
N’vendin që sot shembën Teatrin Kombëtar,
Nesër mbase mund të shkojnë për pazar.

ANËS QIRIT

(Përshtatur nga “Anës lumenjve” e F.S.Nolit)

I përgjumur, i vrerosur
I përhumbur, katranosur
E pres rrymën i pashpresë
Anës qirit në banesë.
Ku e lamë e ku na mbeti
Shumë duron milet i shkreti
Afër KEK-ut i parrymë
Afër TV-së, TV shymë
Pranë bojlerit me ujë t’ftohtë
Afër nxemëses kurrë e ngrohtë
Grumbulluq nën qebe mekur
Gjysmë i gjallë, gjysmë i vdekur.

Se ç’na bënë KEDS-i e KEK-u
Më s’po kryen punë as leku
Se na e morën jabanxhinjtë
Ia falën fajdexhinjtë
Njëqind vjet na kthyen pas
Të bëjmë dritë me llampë me gas.
Po jetojmë në terr me shpresë
Anës qirit në banesë.

Shaj, bërtas si i marrosur
I palarë, pa hekurosur
Në shtrat bie i plandosur.
Shoh tavanin, pres një dritë
Pres që natën t’ma bëj ditë.
Se ç’u lodha, se ç’u mpaka
Tuj e pritë rrymën u plaka.
Se pa nxemëse s’ka jetesë
Anës qirit në banesë.

Dhe një zë dëgjoj nga shtrati
“A na punon agregati?”
M’pyeti gruja e nervozuar
Na mbeti darka pa shtruar
KEDS o KEDS t’i qofsh mallkuar
Na ktheve n’shekullin e kaluar.
E ndeza n’ballkon gjeneratorin
Si ta kisha ndez traktorin.
Dhe pas territ erdhi drita
Pikërisht kur nuk e prita
Erdhi rryma krejt papritur
Por, iu ndal bllokut ngjitur.
Dëgjoj lajmet i hutuar
Reduktimet kanë filluar.

Ah, ky lajm kaq me peshë
Më bën t’qajë e më bën t’qesh
Më jep forcë e më jep shpresë
Anës nxemëses në banesë.
Se pas dimrit vjen një verë
Që do ngrohemi përherë
Jo si tash me reduktime
Që ngrohemi shpinë për shpine.

U mërzita, u inatosa
Nxemësen n’tresh, gati u sosa
Pas dy orësh prapë pa shpresë
Anës qirit në banesë.

©️Bajram Lani