“Edhe kështu, ne jetuam” dhe “Dashuri cigane”

0
735
Drandofile lejla

Edhe kështu, ne jetuam

Tregim

(Ngjarje e jetuar, persona realë)

Ne ishim katër matura që po i afroheshim mbarimit të gjimnazit pakngapak. Nuk e kishim vërtetë lirinë ” e çmendur” që kanë maturantët e sotëm, po kohën e mbanin nën kontroll; bënim aktivitete jashtëshkollore, shëtitje në vende historkike, arkeologjike, në qytete të ndryshme, aksione zonale e kombëtare, mbrëmje argëtimi, pasdite tematike e letrare, konkurse recitimi dhe krijimi, konkurse teatrale, gara sportive mes klasave të shkollës dhe mes shkollave të qytetit, olimpiada në Matematikë, fizikë, histori… Nuk di në se kam harruar të përmend ndonjë aktivitet, po edhe kaq janë aq shumë, sa ne nuk kishim kohë as të lodheshim, as të mërziteshim nga jeta bosh. Dhe ajo që është më e rëmdësishmja, duke e patur kohën të plotësuar në mënyrë të dobishme, as që na shkonin nëpërmend marrëzitë e moshës, apo nxitjet nga djallëzitë; ishim si një anëdet, që prisnim mëngjeset dhe përcillnim mbrëmjet nën tingujt e një kënge që përhapte veç dëshirën për të rrugëtuar jetës që na përkiste, sidoqë ish ajo.

Drejtori i shkollës, Spiro Jovani, na i kish kushtëzuar mbrëmjet e dëfrimit dhe shëtitjet jashtë qytetit tonë me përfundimet javore në përparim: cila klasë nuk do të merrte asnjë notë negative, do të fitonte lejen për t’i patur ato, kuptohet, e shoqëruar nga mësuesit kujdestarë. Deri atëhere klasa jonë ishte në krye të kësaj përballjeje. Në të vërtet, krahas punës sonë, më duhet të pranoj përpjekjet e palodhura të mësuese Tefta Arapit, e cila pyeste pas përfundimit të çdo ore mësimi, në se ishte marrë ndonjë notë negative. Aq shumë kundërshti kish me mësuesit e tjerë, sa një herë bëri një veprim që na kujtohet edhe sot, pas më shumë se pesëdhjetë viteve. Në Letërsi unë isha i padiskutuar, sepse atëhere kisha nisur të shkruaja në prozë dhe në poezi. Atë ditë kishim ” Teori Letërsie” dhe mësues Pirro Stefa donte të më ngrinte, duke menduar që do zhvillonim një bisedë me interes. Unë isha me dhëmbje koke, që kur u nisa nga shtëpia.. I bëra shenjë me dorë që nuk doja të ngrihesha. Mesaduket, ai e mori për shpërfillje dhe u acarua:

– Ngrihu në mësim- më tha me ashpërsi.
Edhe unë këmbëngula në timen
– Si të duash, për sot ke një ” 1″
Klasa filloi të pëshpëriste. Ishte e shtunë dhe kishim vendosur të bënim Mbrëmje Argëtimi pas mësimeve.. Edhe pse e dinte arsyen e pëshpëritjeve në klasë, ai e vuri njëshin në regjistër..Për fatin tonë, mësuese Tefta që kaloi atë çast para klasës sonë dogjoi zhurmë dhe hyri në klasë.
– U mor ndonjë notë negative sot?
M’u drejtua mua, se isha komandant klase.
– Po, – u përgjigja i qetë- Mora unë njësh.
Ajo u kthye nga mësuesi i lëndës.
– Nuk pranoi të ngrihej në mësim- i tha ai.
Mësuese Tefta u afrua te katedra.
– Ti ke bërë shaka, apo jo? – e pyeti
Ai ia ktheu shpërfillës :
– Ja, shiko regjistrin në s’beson.
Ajo u përkul mbi regjistrin e hapur, shikoi e përqëndruar, pastaj mori stilolapsin dhe i shtoi njëshit një zero, e bëri dhjetë. M’u drejtua mua :
– Nuk more njësh- tha dhe shkeli syrin- More notën tënde, po herë tjetër mos u bëj i pabindur.
Dhe u largua. Ne menduam se mësues Pirrua do zemërohej dhe në klasë pllakosi një heshtje e besszdisur për pak çaste. Mësuesi po shikonte nga dritarja dhe akoma nuk po kuptonim si do sillej pas kësaj. Befas ai u afrua te banga ime, më vuri dorën mbi flokë dhe më tha :
– Ta kam falur që të mos dënoj klasën të gjithë, po me një kusht.
Unë ngrita kokën dhe e shikova në sy.
– Që të pranoni edhe klasën time në Mbrëmjen tuaj sot. Dakord?
Klasa u përgjigj njëzëri : E thënë, e bërë.
Neise, ne kishim edhe marrëveshje të heshtura me maturat e tjera; aktivitete të tilla bëheshin pas orëve të mësimit dhe Drejtori nuk vinte kurrë, kësisoj ftonim edhe ndonjë klasë tjetër, ose ndonjëherë bëheshim bashkë të gjitha maturat dhe i kërkonim çelësin e palestrës mësuese Fejzie Fishekut. Nuk ma prishte, se unë kisha të bëja nga gjyshja me të. Pisk e kishim me mësues Pavli Lafen. Atë jo gjithmonë e kishim me vete-, sidoqoftë, me pak mundim e bindnim.
Si të thuash , koha i kish ato ligje, po ne përpiqeshim të gjenim shtigje, veç jo shtigje jashtë kufijve të moralit tonë të edukuar si duhej në të gjitha drejtimet.
Mbase e tepërova ca me këto hollësi, po ja që kur thërret kujtimet e atyre viteve, ato vrapojnë njëherësh, si dhi arrakate dhe duan të vendosen në rreshtin e parë. Pa dhe aty nuk qëndrojnë; hidhen e kërcejnë si tëp tërbuara dhe nuk e lenë njëratjetrën rehat.
Jam i sigurt që gënjen ai që thotë se nuk kam të drejtë, se nuk ndodh kështu.
Një të diel, më duket se ishte njëzetenjë shkurti i vitit 1968, ndaj edhe e solla ndërmend këtë ndodhi, dolëm shëtitje anëdetit si klasë. Mësuese Tefta nuk na shoqëroi, sepse duhet të shkonte në një ngushëllim në Fier. Për ne kjo nuk kish rëndësi. Ajo ishte e sigurt që gjithçka do të shkonte, njëlloj sikur të ishte ajo me ne. Te Moli i Plazhit të Ri vumë re një çift disi të vjetër dhe një vajzë të moshës sonë. Kristaqi, Saimiri, Astriti, Afërdita, Anthulla, Tonja dhe dy të tjerë, mbase Tefta dhe Marika nisën të diskutonin, po flisnin ata të tre rusisht, apo ndonjë sllavishte tjetër. Shumica ishin të mendimit që po flisnin rusisht. I kundërshtova, pasi isha i vetmi nxënës në klasë që e kisha pasion gjuhën ruse. Petrit Salati ishte i të njëjtit mendim me mua. Ai pyet Eftali Canajn për siguri:
– Nuk arri ta përcaktoj dot – iu përgjigj ajo- Po të ishte fjala për frëngjishten…..Në rusisht pyetet vetëm- ajo tregoi me gisht nga unë.
Desha s’desha u afrova tek ata të huajt dhe pyeta vajzën:
– Vëj ruski?
Ajo qeshi. kIsh sy të kaltër, po nuk ishte e bukur; shoqet tona dallonin të gjitha para saj. Fytyrë e kish me prenka dhe flokët të kuqërremtë, si irlandezët.
– Njet – m’u përgjigj – Polski..
– Iz Varshavje?
– Da, zhivjom v Tiranje.
– Poçjemu zhivjotje tam?
Polakja qeshi sërish.
– Moj atjec ambasador Polskoj Re spublikje. Vash gorod , Vlora, prjekrasnaja.
U ndieva krenar që më mburri Vlorën dhe e pyeta :
– Bolshe Varshavi?
– Varshavija bolshaja – ma ktheu ajo.
Kaq ishte gjithë biseda me të. Saimiri, Kristaqi dhe Eftalia që ishin aty pranë e kuptuan, të tjerëve ua thash unë. U larguam dhe gjatë rrugës së kthimit, Petriti vuri re një burrë që po na shihte me vëmendje kur ishim te Moli dhe po vinte pas nesh edhe tani.
– Më duket se po na ndjek – i tha ai Astritit.
– Ç’punë ka ai me ne – u habit Anthulla.
– Ashtu të duket ty – ia ktheu edhe Kristaqi- Mund të jetë në rrugën e tij, si puna jonë.
Nuk foli më njeri. Në të vërtetë nuk kish arsye që dikush të na ndiqte; Ishim disa maturantë që shëtisnim të qetë, të veshur thjeshtë, pa zhurmë dhe pa zëra të lartë…Nuk përbënim asnjë pikëpjekje me shqetësimin. Dhe ashtu, po të qetë, u kthyem në shtëpitë tona për të pushuar e për të përgatitur mësimet e të nesërmes..
As që na shkonte nëpërmend që, edhe pse të pafajshëm e të çiltër para vetes dhe para Zotit, ishim bërë shkaktarë shqetësimi për Degën e Punëve të Brendëshme të qytetit.
Të nesërmen, sapo ra zilja për mbarimin e orës së dytë të mësimit, hyri në klasë mësuese Tefta dhe lajmëroi .
– Saimiri, Kristaqi dhe ti – ajo m’u drejtua mua me gisht – në orën njëmbëdhjetë duhet të jeni në Degën e Punëve të Brendëshme. Nisuni që tani që të arrini në kohë.
Në të vërtetë që para dy javësh, disa nga ne djemtë i thërriste në Drejtori një oficer i Degës Ushtarake dhe u bënte propagandë që të shkonin për studime në ” Shollën e Bashkuar” Që të jem i ndershëm me ju e me vete, askush nuk kish pranuar të shkonte në atë shkollë. Na trembte rroba ushtarake, na dukej sikur do humbisnim lirinë nën atë uniformë dhe, ç’ishte më e keqja, nuk na vinte mirë të rrinim tre vite si murgjër, pa shoqërinë e vajzave.Pastaj, tek e fundit, secili nga ne kish prirjet e veta për në jetën civile, dikush donte të bëhej mësues, një tjetër mjek, dikush inxhinjer. Nuk donim ta kufizonim jetën tonë te arti ushtarak, nuk donim të ishim gjithnjë nën urdhëra ose të jepnim gjithnjë urdhëra.
Kësisoj, menduam se na kishin thirrur për atë punë. Po pse vetëm ne të tre? Mos e kishin vendosur këtë?
Po ecnim të heshtur të tre, secili me mendimet dhe dyshimet e zymta në kokë. Saimiri foli i pari:
– Po mirë, po të qe për shkollën ushtarake do na kishin thirrur në Degën Ushtarake, pse në atë të Punëve të Brendëshme?
– Ka të drejtë- i thash unë Kristaqit, i cili nuk foli fare. Më hodhi një vështrim shpërfillës, siç bënte zakonisht në të tilla raste dhe vetëm tundi kokën, sikur të donte të thosh : “Pse më thua mua? Unë di aq sa di edhe ti! ”
E lamë dyshimin jetim dhe vijuam rrugën në heshtje. Para gjimnazit ” Halim Xhelo” takuam Adriatikun, shokun tim të fëmijërisë. Na pyeti me shaka :
– Mos u ka zënë qymyri me gocat tona?
Qeshëm dhe i thamë arsyen. Ai u duk i çuditur, po nuk tha asgjë.
– E di ç’ke ti – u hodha unë- do t’u themi atyre që të marrin nga gjimnazi juaj për në Shkollën e Bashkuar. Ju jeni më të përgatitur fizikisht. Gjithmonë keni dalë para nesh në garat sportive.
Ai qeshi dhe u largua.. Pa dy minutash ishim para Degës së Punëve të Brendëshme. Nuk na lanë kohë as të përshëndesnim, na futën me nxitim në tri dhoma të ndryshme.Ishte hera e parë që po ballafaqohesha në këto dyer, që duhet të pranoj se ishin të frikëshme atëhere.
Personi që kisha përballë më kish ngulur sytë në mënyrë të çuditëshme, po duke mos ditur arsyen e këtij veprimi të papritur, edhe nuk i vura rëndësinë e duhur atij lloj shikimi. Në të vërtetë unë dija ta zotëroja veten dhe të ruaja qetësinë. Peripecitë familiare që pata kaluar që në fëmijëri ma kishin lënë këtë dhuratë. Shikimit të tij ngacmues iu përgjigja pa e dhënë veten. Kisha lexuar aq shumë libra policorë, po edhe të tjerë, që kishin të bënin me situata të tilla psikologjike, saqë po më dukej edhe qesharak ky njeri që i kish vënë vetes të luante rolin e dedektivit Alen Pinkerton, Roshesë apo Puarrosë. Si e pa që nuk më mundi dot psikologjikisht, ai hyri drejt e në temë
– Dje keni takuar te Moli i Plazhit të Ri Ambasadorin e Polonisë në Tiranë, është e vërtetë?
U qetësova disi, të paktën mora vesh arsyen e gjithë këtij veprimi akrobatik. Ndjeva neveri. Ç’kish këtu arsye që këta ” dedektivë” majmunë, imitues të atyre që përmenda më sipër, të shkrinin gjithë talentin e tyre për të kapur tre ” krminelë” që kishin folur rusisht me dikë, pavarësisht cili qe ai? U përgjigja thjeshtë dhe prerë :
– Po, folëm me vajzën e Ambasadorit, jo me atë.
Tjetri vijonte të mbante atë qëndrimin e kapardisur të atij që sa pat zbuluar ” kriminelin”.
– Folët me të polonisht?
– Jo, nuk e njoh polonishten, folëm rusisht.
– Fole vetëm ti, apo jo?
– Po, se unë flas mirë rusisht. Desha të them më mirë se të tjerët.
– Mund ta di se për çfarë biseduat?
I tregova gjithë bisedën.
– Kaq ?- pyeti dyshues.
– Kjo ishte e gjitha – ia ktheva i qetë.
Doli përjashta, duke e lënë derën hapur. Pas nja dy minutave u kthye dhe më bëri shenjë që t’i shkoja pas, përmes një korridori të ngushtë. Hymë në një dhomë të pandriçuar mirë, me perde të mbyllura. Pa meje erdhën edhe Saimiri me Kristaqin. Nuk na ulën. Përballë nesh ishte një mesoburrë, që siç e mësuam më vonë ishte Nënkryetari i Degës së Punëve të Brendëshme.
– Ju e dini që ata janë revizionistë dhe kërkojnë rastin që të provokojnë – nisi të fliste me zë të ulët, pa e ngritur kokën.
– Po, e dimë, e kishim të qartë këtë- u përgjigja unë.
Tjetri ngriti kokën. Shikimi i tij m’u duk i butë, njerëzor.
– Bashkë jemi në mardhënie miqësore, po ti nuk më njeh.
Mbase priste që ta pyesja për atë njohje, po nuk e bëra atë hap.
– Nuk keni bërë ndonjë gabim, po ju thirra më tepër për t’ju kujtuar që duhet të bëni kujdes në raste të tilla.
Duke ndierë përgjegjësinë e ” kriminelit kryesor ” në këtë mesele, vijova të flisja unë:
-Edhe nëse na provokojnë, them se jemi në gjëndje t’u japim përgjigjen e duhur.
Ai u duk i kënaqur nga ajo që dëgjoi .
– Sigurisht – tha – Jeni maturantë dhe, mesa më thanë jeni ndër nxënësit më të mirë të Gjimnazit. – Bëri një pauzë të vogël, pastaj shtoi – Tani mund të largoheni. Do t’u jepja edhe një këshillë : Shkolla Ushtarake nuk është edhe aq e keqe, nuk dolëm të humbur ne që e mbaruam atë.
Përshëndetëm dhe u larguam . Deri sa arritëm te cepi i Gjimnazit ” Halim Xhelo” nuk shkëmbyem as shikim, e jo më fjalë me njeritjetrin. Heshtjen e theu i pari Saimiri. Nëna e tij ishte Shefe e Seksionit të Arsimit në Komitetin Ekzekutiv të rrethit..
– Ajo do ta ketë marrë vesh – tha – Në shtëpi më pret Lufta e Tretë Botërore sot.
Në krye të herës mendova se ishte frikacak dhe e gjykova keq, po më pas e kuptova që kish të drejtë. Duke qenë në një vend pune të rëndësishëm, asaj mind t’i kish vajtur lajmi për ” krimin” që kishim bërë ne. Vendosa të bëja pak humor, edhe pse nuk ishte në natyrën time.
– Ej, djema, nuk dukemi ca si ” Tre moskëtierët” ?
Kristaqi qeshi pa teklif. Saimiri vuri pak buzën në gaz, po m’u duk se buzëqeshja i ngriu në fytyrë.
– Unë jam Aramis – vijova
– Unë Atos – u hodh Kristaqi.
Saimiri nuk po ndihej.. E shtyta lehtë te supi.
– Thuaj që je Partos.
Më në fund edhe ai u çlirua nga ankthi.
– Jo, jam D’Artanjan – tha.
Isha i bindur që ia kisha arritur qëllimit; doja që kur të hynim në klasë të mos dukeshim si viktima, po si heronj. Ua thash këtë te oborri i shkollës dhe më dhanë të drejtë.
Shoqet dhe shokët e klasës po na prisnin me padurim dhe kur morën vesh pse na kishin thirrur, nisën të më kërkonin të falur, që më kishin nxitur të flisja me atë ” Polaken qimekuqe”
Raimonda tha me inat të papërmbajtur :
– U bë shkak ajo e shpifura e djallit, që rrezik po të na dali në ëndër, do na tromaksi!
I tregova Bukuroshes që ishim vetshpallur tre moskëtierët. Ajo ua tha të tjerëve .Në çastin e parë ata të gjithë kishin mbetur si të shastisur nga ajo që u treguam ne, po tashmë e keqja kish kaluar, kësisoj të gjithë ia plasën gazit dhe nisën të bënin aq shumë zhurmë e rrëmujë, sa erdhi drejtori dhe na tha ne të treve:
– Qenkeni kthyer ju Diplomatët e Karrierës?
Nuk e kuptuam në e kish seriozisht, apo bëri shaka. Ai ishte ironik dhe ne druheshim të flisnim lirshëm si me mësuesit e tjerë.Pastaj m’u drejtua mua :
– Ti ke kërkuar të studiosh për Shkencat Politike?
– Jo Drejtor. për Gazetari.
Më rrahu shpatullat lehtë.
– Po mirë, aty afër janë. I dhe provat e para.
Kur iku ai shokët nisën të më ngacmonin dhe tashmë që ajo që ndodhi thuajse qe harruar, Anthulla, Raimonda dhe Bukuroshja këmbëngulën që t’i qirasja me nga një kulaç pesë lekësh, ” ingranazh” siç i quanim ne me humor.

Në ato zyra këmba nuk më shkeli edhe për dyzetë vite më pas, ditën kur u paraqita për të marrë Pasaportën Ndërkombëtare. Edhe sot, kur kaloj te rruga e Policisë ndjej një neveri të pashpjeguar. Ndoshta është ajo flakëza e zbehtë e atij kujtimi të hidhur, që pat sjellë retë e para gri, që do të shoqëronin jetët tona të pafajëshme në gjithë kalërimin tonë të gjatë e të rënduar, vargun e vuajtjeve të pamerituara, që nuk kanë marrë fund as tani.

Sidoqoftë, edhe kështu ne jetuam, sepse ditëm të mbijetonim.
Ja ku jemi dhe kujtojmë ç’ka iku… Sido që ish.

Fund

Pajtim Xhelo, 21 shkurt 2020 (ndodhi e 21 shkurtit të vitit 1968)


Dashuri cigane

Tregim

Atje ku pat qenë dikur Terminali i Linjave Interurbane kishin ndërtuar shtëpitë gjashtë familje të ardhura nga fshatrat malorë të Labërisë. Ishin të gjithë me një mbiemër, një fis, madje shumë të afërt. Njerin nga fëmijët e tyre, Manushin e kishim shok klase në Gjimnaz. I urtë, i sjellshëm, fliste pak. Shpesh e humbiste gjatë orës së mësimit, sidomos në orën e letërsisë. Treste vështrimin përmes dritares në rrugën kombëtare që kalonte matanë kangjellave të oborrit të shkollës dhe përfytyrimi merrte rrugën për diku…Mbase në atë malësinë prej nga kish ardhur pak muaj më parë. Ne e trzonim shpesh, natyrisht jo me të keq, e thërrisnim ” Luli i Vocërr” i prozave të Migjenit. Edhe këpucët i kish ashtu, të mballosura te këpucari që kish një barangë të vogël në skaj të rrugicës prapa gjimnazit. Vinte në shkollë me një pulovër të hollë e të vjetruar dhe me pantallona të shkurtëra. Në të vërtetë, deri në vitin e parë të gjimnazit shumica jonë vishej ashtu, me të shkurtëra. Kur erdhën ditët e ftohta të dhjetorit, mësuesi kujdestar nuk e linte të bënte vrapin e mëngjesit si ne të tjerët; i vinte keq tek e shihte të paveshur dhe mbase mendonte se mund t’i shqepeshin edhe këpucët e mballosura. Në të vërtetë ne të gjithë ishim të varfër, po ai dallonte në këtë varfëri. Një ditë Hektori i solli një trike leshi të trashë, po Manushi nuk desh ta pranonte.

– E kam kujtim nga vëllai i madh që ka shkuar në shkollën ” Skënderbej” këtë trike që kam veshur dhe nuk kam dëshirë ta ndërroj.
– Po është shumë e hollë dhe do marrësh ndonjë të ftohur kështu – këmbënguli Hektori. pastaj, duke menduar se mos tjetri dyshonte që triken po ia falte pa lejen e prindërve, shtoi – Ma dha nëna, sepse të pa vet pardje dhe më pyeti përse ishe veshur aq hollë. I thash të vërtetën. Kjo është trikja jote, unë nuk e çoj prapë në shtëpi. Si do t’i them sime mëje, që ti nuk e pranove dhuratën e saj?

Ndërhyra edhe unë e më në fund ai e mori.
– E dini- na tha – Ne jemi katër fëmijë, unë jam më i vogli. Këtë trike e kemi veshur të katër, duke ia lënë njeritjetrit.
Qeshi dhe në sytë e tij vumë re mirënjohjen.
– Faleminderit – tha thjeshtë, po shikimi i tij thoshte më shumë se aq. Sikur të ishte tip që fliste, nga goja e tij do të rridhte lumë fjalësh, po Manushi ishte i kursyer, më shumë mendonte dhe dëgjonte, Muajt e parë edhe mësuesit krijuan njërshtypje të gabuar për të; menduan mos ishte dembel dhe me mangësi në njohuritë e marra në shkollën e fshatit nga kish ardhur. Nuk e ngrinte kurrë dorën për të folur, kësisoj edhe mësuesit nuk ia trazonin atë botën e tij të meditimit. Po gjithçka ndryshoi ditën e fundit të mësimit, para se të merrnim pushimet dimërore. Manushi rrinte në bangën para meje, me një vajzë që ishte edhe më e madhe se ne në moshë, sepse ishte futur me vonesë në klasën e parë, pasi prindërit e saj patën ardhur nga Dropulli dhe ajo nuk e fliste mirë gjuhën shqipe, po ishte edhe shtatlartë , e shëndetëshme dhe trazovaçe Parashqevia sa herë vinte re që ai e humbiste torruan, e pickonte aq fort, sa ai ndjente dhëmbje, po nuk bënte zë. Atë ditë ajo nuk e pickoi si herët e tjera, po i shkeli këmbën me këpucën e saj, që e kishte pa frikë numër dyzetë. Manushi bërtiti. Mësuesi i matematikës, që qe në prag të pensionit e kish pak dorën si të gjatë dhe ose na shkulte veshin, ose na kapte hundën me dy gishta dhe na i shtrëngonte fort, aq sa na rridhnin lotë nga sytë. U afrua qetëqetë, po Manushi u shty në krahun tjetër për të shmangur ndëshkimin.. Mësues Shezaiu u nxeh dhe u mat ta qëllonte me të praptën e pëllëmbës. Mua më erdhi keq dhe ndërhyra:

– Nuk keni të drejtë ta qëlloni – i thash prerë.
Mendova se nuk do më kundërvihej, sepse e kisha patur mësues edhe në shkollën shtatëvjeçare, ku unë isha Komandant Çete dhe gëzoja një farë respekti edhe nga shokët, edhe nga mësuesit e tjerë. Mirëpo” i kisha bërë hesapet pa hanxhinë”
– Ashtu?- m’u hakërrye – Bukur fort, dilni të dy përjashta!
Kuptohet, fjalën nuk ia bënim dot dy.
Dolëm dhe po rrinim në oborrin para shkollës. Klasën e kishim në katin e parë. Ai zgjati kokën te dritarja dhe na bëri shenj që të largoheshim. Kur u ulëm në një stol druri vura re që Manushi kish një fletore në dorë. Unë nuk para jam kurreshtar, madje anoj nga njerëzit që nuk bëhen merak për ato që ndodhin përreth, po më bëri përshtypje mënyra si e mbante ai atë fletore; e kish bërë cilindër dhe e shtrëngonte në gjoks, sikur të druhej mos ia merrnin.

– Thesarin e Montekristos ke skicuar në atë fletore?- e pyeta.
Në çastin e parë Manushu u hutua, u skuq, po rrinte në mëdyshje, pa më dhënë asnjë përgjigje, po si e pa që unë po ngulmoja në kurreshtjen time, ma zgjati fletoren.
– Kam bërë një tregim – tha qetë,
– Ashtu? Nuk e dija që të pëlqen letërsia.
Manushi u skuq deri te veshët, mendoi mos unë e merrja për mburrje talentin e tij. Kështu ishim ne atëhere… Na vinte turp të tregonim aftësitë dhe dhuntitë tona… Ishim më të thjeshtë seç duhej, po këtu qëndronte dhe fuqia e karakterit dhe e shpirtit tonë.
– Përse bën fjalë?
– Lexoje – më tha.
Kish një shkrim të bukur dhe të kuptueshëm, kështuqë e lexova me një frymë. Kur e mbarova, arrita t’i jap përgjigje edhe habisë të të gjithë shokëve, pse ai djalë shpesh e treste shikimin në të padukëshmen, përtej oborrit, rrugës kryesore, pallateve …Përtej meditimit.
Tregimi më pëlqeu dhe ajo që më bëri më tepër përshtypje ishte tema që kish zgjedhur për të lëvruar. Me një djalë që kish rënë në dashuri me një cigane… I thashë mendimin tim dhe e pyeta:
– Nga ke gërmuar që e ke gjetur këtë temë?
– Pse, të pëlqen?
– Sigurisht. Është përfytyrim/?
Manushi u purpush sërish në fytyrë. Ia përsërita pyetjen.Ai uli sytë dhe u përgjigj me një fije zëri:
– Është ndodhi e vërtetë. Personazhi jam unë.
Në krye të herës mendova se bëri shaka, po dikur, si e kish mbledhur vetev pas hutimit të parë, u kthye nga unë, më hodhi një shikim ngulmues, si të më pyeste” Pse nuk të besohet, është e jashtzakonëshme kjo?” dhe buzëqeshi.
– E di që po të duket e pabesueshme, po ja që unë kam rënë në dashuri me atë cigane.
Nuk dija ç’t’i thosha. Doja t’ia shkrepja të qeshurës me të madhe, po, nga ana tjetër, kur shihja rëndësinë që u jepte fjalëve që thosh, e frenoja veten. Vetëm e pyeta:
– Është e bukur ajo?
– Si zanat e përrallave, si Shehrezade – u përgjigj ai.
Vura re si i shkëlqyen sytë, tamam si dielli që del pasi davariten retë. Ne ishim vetëm katërmbëdhjetë vjeçarë, po Manushi ishte më i matur dhe me një pjekuri të parakohëshme në krahasim me të tjerët.
– Dhe nuk është ….e zezë n. fytyrë? e pyeta ashtu, duke ngatërruar fjalët nëpër dhëmbë.
Manushi qeshi:
– Është esmere, jo e zezë, me flokë të zeza si nata e dimrit dhe me sy jeshil. Të thashë, është si Shehrezade.
Tashmë isha bërë kurreshtar. Shehrezadja e njëmijëenjë netëve për ne ishte vajza e ëndrave. Të ishte vërtetë aq e bukur ajo cigane?
– Po ti si e njohe? – e pyeta i zhveshur nga mendimi që vajza ishte cigane.
– Kanë një muaj që kanë ngritur çadrat përkarshi shtëpive tona. Bëjnë kanistra e shporta me thupra. Në fillim më afroi dëshira për të parë nga afër si i thurnin shportat e kanistrat, si i përpunonin thuprat, po bukuria e ciganes më la pa mëndje. Gjithë pasdrekën e kaloj atje. Edhe nënës i ka rënë në sy, se më ka parë duke biseduar me atë vajzë. Rri e rri e më ngacmom :
– Nuk e ke bërë keq përzgjedhjen. Me shportat dhe kanistrat e saj, do të hedhim gjysmën e vitit. Gjysmën tjetër me zanatin që do marrësh ti.
Manushi heshti.
– E ke puthur?- e pyeta me shaka.
– Jo, çne, ajo nuk të lë as t’i afrohesh,
– As ia ke shprehur dashurinë?
Ai qeshi, duke nxjerrë në pah ca dhëmbë të mëdhenj e të bardhë, si në reklamin e tubetit të pastës së dhëmbëve.
– Jemi kuptuar pa fjalë – u përgjigj atypëraty.
Tani ishte radha ime që duhet të qeshja dhe qesha çiltër, megjithë shpirt.
– Pse qesh?- u keqkuptua ai.
– Qesh me ty. Po si mund ta dijë ajo cigane që ti po përvëlohesh për të, kur ti nuk ia thua?
Po u bëra pishmënt që i thash ato fjalë. M’u kujtua një shprehje e tregimit të Manushit , që sapo e kisha lexuar : ” Në dashuri nuk duhen fjalët…Flasin veç sytë.”
Qesha sërish duke tundur kryet, po këtë here i rraha shpatullat, duke i thënë :
– Ke të drejtë, ata që dashurohen kuptohen veç me sy.
Tingëllima e fortë e ziles na ndërpreu bisedën. Duhet të ishim në klasa para se të niste ora tjetër e mësimit, megjithëse me mësuesin e letërsisë, Daut Shtinon unë pata krijuar mardhënie të mira dhe isha i sigurt që nuk do na hiqte vrejtjen edhe po të vonoheshim, po nuk doja të përfitoja nga kjo. Mësues Dauti më trajtonte si shok dhe kish deklaruar në të gjitha klasat e tjera që unë isha absolut në lëndën e tij, sidomos në gjuhën shqipe: ” E njeh drejtshkrimin më mirë se mësuesit e gjuhës” – përsëriste sa herë binte fjala për të përmendur emrin tim.
Fletoren e mbaja unë akoma. Befas më shkrepi në kokë një mendim i papeshuar gjatë. E lash Manushin të hynte në klasë para meje dhe vet prita jashtë derës mësues Dautin, i cili u shqetësua, sepse mendoi se mund të kisha ndonjë problem.
– Nuk kam gjë- e qetësova dhe i zgjata fletoren- Është e Manushit. Ka shkruar një tregim shumë të bukur. Po ua jap ta shikoni edhe ju.
Atë orë qëlloi që kishim hartim. Ne atëhere nuk e njihnim ” Esenë” Bënim hartim për tema letrare ose të lira. Mësuesi shkroi temën në dërrasën e zezë dhe vet u ul, hapi fletoren e Manushit dhe nisi të lexonte tregimin për ciganen. Dytri herë ngriti kokën, hodhi shikimin nga Manushi ngultaz, Pastaj e mbylli fletoren, ma solli mua, duke më thënë :
– Kishe të drejtë, qenka i talentuar, duhet të punojmë me të që të eci më tej.
Që prej asaj dite mësuesit e ndryshuan përshtypjen që patën krijuar për shokun tonë. Në semestrin e dytë u bë më i shkathët, merrte pjesë gjallërisht në mësim. Sekretin e ciganes ne të dy e mbajtëm gjatë. Edhe mësues Dauti nuk na kish pyetur nëse tregimi ishte i vërtetë apo pjellë e përfytyrimit të Manushit
Aty nga ditët e fundit të shkurtit Manushi më ftoi në shtëpinë e tij. Erdhi edhe Hektori me ne. Shtëpia ishte shumë pranë shkollës, po e ëma e tij kish shkuar diku dhe nuk qe kthyer akoma. Unë këmbëngula ta prisnim. Ndërkohë vumë re çadrat e ciganëve . Disa burra po përgatisnin thuprat, ndërsa dy gra dhe një vajzë rreth trembëdhjetë vjeçe po thurnin kanistra.U afruam tek ata. Njera nga gratë i foli në emër Manushit.
– Nuk të pamë as dje, as pardje – tha ajo- Ke bërë mungesa.
Shoku ynë u skuq.
-Mësimet – ia ktheu ai.
Mua më mbetën sytë te vajza. Atë ditë mësova edhe si e quanin.
– Manushaqja u lodh duke parë nga oborri yt – vijoi gruaja, që mesa kuptova ishte e ëma e Manushaqes – Sidoqoftë, tabelën e shumëzimit e mësoi përmendësh. Tani i mbetet pjestimi në kolonë, mirë e thashë?- iu drejtua ajo vajzës.
Cigania që kish rrëmbyer zemrën e shokut tonë të klasës pohoi me kokë dhe vijoi të lëvizte duart me një shpejtësi të habitëshme. Unë nuk po ndaja dot admirimin për Manushaqen e bukur si një këngë burimi me admirimin për Manushaqen që thurte kanistrat me ato duart që ngjanin me duart e një njeriu tjetër përballë saj. Sa më shumë e shihja vajzën duarartë, aq më shumë i jepja të drejtë Manushit që kish rënë në dashuri me të.Përpiqesha t’i shoqëroja me sy lëvizjet e duarve të saj. Përpiqesha të dalloja ngjyrën e syve të saj. Po nuk mundja të bëja asnjerën nga të dyja. Dikur vajza e mbaroi së thururi kanistrën, e vendosi me të tjerat dhe u ngrit në këmbë, na hodhi një sy të shpejtë ne të treve dhe e pyeti Manushin pa drojtje:
– Shokët e klasës:
– Po.
– Ky duhet të jetë …
Ajo tha emrin tim. Mesaduket, Manushi i kish folur për mua.
– Po ky tjetri?
– Hektori.
Edhe zëri i ciganes së vogël ishte sikur të zbriste nga qiejt, së bashku me mugëtirën e agut, apo me muzgun e një mbrëmjeje. Po sytë? Unë po përpiqesha të përcaktoja ngjyrën e tyre, Së pari m’u dukën jeshil. Pas pak blu të thellë. Dikur gri me nuanca fijore jeshile dhe kafe.
O Zot i madh! Ata ngjanin me dy ylbere që kthjellonin shpirtin dhe afronin mendimin.
Cigania na kërkoi falje dhe u ul e nisi të thurte kanistrën tjetër. Që të jem i çiltër edhe me veten, nuk kisha dëshirë të largohesha nga ato çadra cigane, që kishin rritur një Ëngjëll si Manushaqja., po erdhi nëna e Manushit që na vuri re dhe na ftoi të futeshim në shtëpi.
– Po shihnim me dëshirë ciganët si i thurnin kanistrat
– i tha Hektori.
Gruaja qeshi
– Kanistrat apo atë djallushkën e vogël, Manushaqen? – ajo shikoi të birin, që bëri sikur nuk dëgjoi. Pastaj shtoi – Mëkat që është arixheshkë!
– Cigane – e koregjoi Manushi.
E ëma bëri një shenjë shpërfillëse me dorë, sikur të thosh : Njëlloj është, kjo s’ka rëndësi!”
Ajo na qerasi me liko rrushi, të cilën e mburri, që ishte më e mira që kish përgatitur ndonjëherë.. Nuk u fol më për Manushaqen.
Në sy të Hektorit edhe unë nuk thash asgjë, kurse të nesërmen ia dhash hapur mendimin tim Manushit:
– Ke të drejtë që ke rënë në dashuri me të, është një nimfë, një shtojzovalle!
Shoku im u duk i mërzitur, i heshtur.
– Ç’ke kështu ti ?- e pyeta.
Nuk më ktheu përgjigje menjëherë. Duket diç po bluante. Pastaj më tha :
-Nëna ime. E pe si e quajti? Arixheshkë. Kur ikët ju më kërcënoi se do t’i tregonte tim eti që unë rrija me orë të tëra te ata, arixhinjtë. Më ndaloi të takoj Manushaqen.
– Takoje kur të mos jetë ajo në shtëpi- e këshillova unë.
– Një fjalë goje – ma ktheu Manushi – Asaj nuk is hedh dot njeri, është e djallëzuar.
Unë qesha .
– Epo, bëhu ti më i djallëzuar se ajo- i thash.
Thellë, brenda vetes e dija që po i thosha diçka që nuk do të ishte e mundur, po ç’t’i thosha tjetër?
Iknin ditët, pastaj javët, e pyesja përditë dhe kjo tashmë ishte bërë një zakon. Ai më thosh që e takonte fshehurazi dhe dukej i qetë.
Në qershor ne shkuam në aksion për hapjen e tokave të reja në Xarë të Sarandës. Kur u kthyem, ciganët nuk ishin më atje. Nomadë ishin ata, bredharë si stinët, rrugëtonin atje ku gjenin lëndën e parë për të fituar jetën. E takuam Manushin pas një jave. Dukej tjetër njeri. Na tha vetëm që kish shkuar në Pishë Poro për t’i kërkuar, po pa dobi. Asnjeri nuk i pat thënë asgjë të saktë, qenë zhdukur sikur t’i përpinte dheu.
– Mos u mërzit- u mundova ta qetësoja- Vitin tjetër do vinë sërish.
Po vajzën me sy ylberi nuk e pamë më kurrë.
Dashuria e ciganes ishte si cigania… rrebele… endacake, e padukëshme, e pakapëshme. Ishte marroke si era, e ëmbël si flladi, po rrugëtonte shkëmb më shkëmb e lëndinë më lëndinë, breg më breg e shteg më shteg. Të joshte e të grishte si bletën nektari e më në fund mbetej e huaj dhe e largët… Dashuri cigane!

Fund

Pajtim Xhelo, 21 shkurt 2020 (ndodhur 55 vite më parë)