Xhufi analizon Qosjen dhe flet për “pretorianët e Kryeministrit” dhe “specien e nënbishtorëve”

0
52

ResPublica.al, 22 prill 2013

“…Por 21 Janarët e epokës së demokraturës shqiptare kanë, veç Kryeministrit, edhe plot e plot aktorë të tjerë të kobshëm: kanë aradhën e deputetëve, ministrave, kryegjyqtarëve, kryeushtarakëve e kryepolicëve: janë ata që Prof. Qosja i quan “pretorianët” e Kryeministrit, njerëz pa ndërgjegje e pa arsye, që janë kail të shajnë, të padisin, të vrasin e të rivrasin, sa herë që këtë ua kërkon shefi i tyre. Janë më tej, rreshtat e shkencëtarëve, intelektualëve, shkrimtarëve që shfaqen si me komandë në lista, peticione dhe ekrane televizive, dhe gjithnjë në mbështetje të qeverisë.

Janë anëtarët politikë të Akademisë, të Tiranës si dhe të Prishtinës, rektorët, dekanët e profesorët e universiteteve, janë drejtorët e mësuesit e shkollave, që nën presionin e hierarkëve të pushtetit, shkelin mbi statusin e tyre, përdhosin ligjin dhe, ç’është më e keqja, dhunojnë studentët dhe nxënësit e tyre, duke i deportuar në mitingjet e partisë në pushtet. Janë paria e re kinse intelektuale e Tiranës, që si dikur mbush sallën e Teatrit të Operas ose të Pallatit të Kongreseve sa herë që udhëheqësi don të masë, nëpërmjet hozanarave dhe duartrokitjeve, shkallën e luajalitetit të tyre; ose që tubohet në konferenca solemne apo mbledhje përkujtimore për Nënë Terezën, për Konicën dhe për Fishtën (gjithaq është panteoni i tyre), pa çka se asgjë nuk i lidh me humanizmin e së parës dhe me artin e fisnikërinë e të dytëve.

Janë aradhat e mediave të pushtetit, ato media, kujton Prof. Qosja, të cilat kanë marrë përsipër rolin që dikur mori në Gjermaninë naziste botuesi i gazetës raciste “Der Stürmer”, Julius Streicher, i cili jo më kot në gjyqin e Nyrembergut u shpall po aq përgjegjës për kasaphanën naziste sa edhe vetë Hitleri. Dhe u dënua me varje në litar. Të gjithë këta përbëjnë atë që Prof. Qosja e pagëzon si specia e “nënbishtorëve”, duke na çuar me fantazi në përpjekjet e dëshpëruara që bën miza e kalit për t’u fshehur e për tu prehur në atë vendin e ngrohtë, por të pëgërë, që gjendet diku nën bishtin e kafshës…”

Pjesa me siper eshte shkeputur nga nje analize e Pellumb Xhufit botuar ne gazeten DITA mbi librin e fundit te akademikur Rexhep Qosja (një përmbledhje artikujsh, të botuar në shtypin e Shqipërisë e të Kosovës, të përzgjedhur dhe sistemuar nga Shtëpia Botuese “Toena).

“Nuk e fsheh se leximi i këtij libri më është dukur si një udhëtim i bërë në një shoqëri të keqe dhe në një atmosferë të rëndë. Atmosferë të rëndë, sepse nëse një libër është një krijesë e nëse krijesa ka një shpirt, shpirti i këtij libri është jeta e vrarë e 4 shqiptarëve të ekzekutuar barbarisht në 21 janar 2011 nga “pretorianët” e një pushteti të korruptuar, të pashpirt e antishqiptar, në thelbin e tij..” – thote Xhufi ne hyrje te analizes. a.n.

E plotë:
gazetadita.al – Salifina, shteti-privat dhe topallizimi i institucioneve