
Nga Mustafa Nano
Ne kemi një ministër që s’ndihet fare, dhe kur shoh atë më kujtohet një barsoletë që përfundon me përgjigjen që një grua adulte i dha burrit të vet ‘në përpjekje’ për të justifikuar një fëmijë të bërë me një burrë tjetër: “ç’ke me të? Ai përshesh me kos po ha”. Është fjala për Genc Pollon, që është bash si ky fëmija i barsoletës. Ne për të kujtohemi veç kur na fanepset në ndonjë rast pa dashjen ose pa dijeninë e tij. Dje ishte shfaqur në një shkrim të gazetës franceze Le Monde mbi Shqipërinë. Këtë herë kish dalë me dashjen e me dijeninë e vet. Dhe justifikonte 21 janarin.

Duke i thënë gazetarit francez: “Nëse një turmë e tërbuar do sulmonte Elizenë apo Shtëpinë e Bardhë, si do reagonin policët dhe gardistët?” Deri këtu arrin inteligjenca e këtij njeriu. Me këtë në fakt nuk ia vlen të merresh shumë. Mjafton të bësh lojën e tij, d.m.th mjafton të pranosh se po, mund të qëllohet me plot të drejtë kundër atyre që dhunojnë kryeministrinë. Pyetja është: viktimat u vranë teksa po sulmonin kryeministrinë?
*respublica.al




