Topi: Nëse presidenti do zgjidhej nga populli, do të sfidoja këdo

0
35

TemA Online, 26 Dhjetor 2011

Presidenti Bamir Topi, gjatë vizitës së tij që ka zhvilluar në Durrës dhe Kavajë, iu është përgjigjur edhe akuzave të kryeministrit Berisha një ditë më parë, i cili tha se Topi po cënon presidencën me ambiciet e tij politike. Sipas presidentit, akuzat e Berishës ishin të papërshtatshme, duke parë që dje ishte dhe Krishtlindja.

“Deklaratat e politikanëve duhet të jenë në kohezion me çfarë urojnë në mëngjesin e festës së Krishtlindjes, pra dialog dhe komunikim. Pavarësisht nga sa thuhet, unë jam në detyrën time kushtetuese dhe nuk jam apendiks i askujt”, ka thënë presidenti.

I pyetur për rikandidimin e tij në krye të Presidencës, Topi është përgjigjur se, “Nëse presidenti do të zgjidhej nga populli, do të sfidoja këdo”, duke konfirmuar kështu se nuk do të rikandidojë sërish.