Topalli, projektligj urgjent kundër Top Channel

0
63


TemA

Do prishet urgjent Piramida para zgjedhjeve lokale për të nxjerrë jashtë Top Channel-in. Pastaj do operohet me tenderat me negociom për ndërtimin e selisë së re të Kuvendit.

Kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli pritet të dorëzoj në Kuvend ditën e hënë një projektligj për ndërtimin urgjent të godinës së Kuvendit tek Piramida në qendër të Tiranës duke i dhënë fuqi ligjore që të nisë zbatimi i tij 5 ditë pas hyrjes në fuqi. E gjithë kjo bëhet që të shembet Piramida dhe të nxirret jashtë me dhunë nga mjediset e saj Top Channel-i, media më e madhe në vend, e cila me gjithë linjën e saj të moderuar editoriale, sërish shihet si rrezik nga pushteti në zgjedhjet vendore.

Piramida do të prishet sipas projektligjit Topalli, pa një projekt për godinën e re të Kuvendit, pa organizuar më parë një tender për projektin dhe më pas për ndërtimin. Gjithçka është bërë kopje e procedurës së ndërtimit të segmentit Rrëshen- Kalimash, ku Topalli do të ketë të drejtë të ftojë firma dhe të vendosë me negocim përzgjedhjen e tyre. Kjo është dhe e vetmja mënyrë të nxirren lek për fushatën nga buxheti i shtetit duke përdor si mbulesë kompanitë që do të përzgjidhen për këtë projekt.

Një burim i Kuvendit të Shqipërisë i tha gazetës Tema se zonja Topalli po merret vetë me çdo detaj të projektligjit dhe synon ta shndërrojë atë në beteje politike para zgjedhjeve lokale, me qëllim tërheqjen e vëmendjes nga skandali Meta- Berisha dhe degradimi në opinion publik i imazhit të qeverisë.

Opozita shqiptare, pjesë e Kuvendit, është ende e panjoftuar për këtë iniciativë. Po ashtu dhe shumica e deputetëve të PD-së janë të painformuar për iniciativën, por do të njoftohen në mbledhjen e Grupit Parlamentar ditën e hënë, në pjesën me dyer të mbyllura.