Përleshje në Jarinjë, Kosovë – plagosen 4 ushtarë të KFOR-it dhe 17 serbë

0
48

Katër ushtarë të forcave paqeruajtëse janë plagosur, njëri prej tyre rëndë, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i forcave paqeruajtëse në Kosovë, Kai Gudenoge. Gjithashtu gjatë përleshjeve janë plagosur dhe 17 persona në rradhët e serbëve.

Trupat e KFOR-it kanë përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë një grup serbësh që kundërshtonin mbylljen e rrugës alternative Kosovë-Serbi si dhe heqjen e barrikadave në afërsi të Jarinjes. Serbët kanë hedhur gurë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it të cilët më pas kanë përdorur gazin lotsjellës për të mbajtur nën kontroll situatën.

Njoftimet nga veriu bëjnë të ditur se situata vazhdon të mbetet e tensionuar ndërsa qindra serbë po qëndrojnë në afërsi të ushtarëve të KFOR-it që kanë arritur të heqin pjesërisht barrikadat në afërsi të portës 1 si dhe të mbyllin një rrugë alternative që lidh Kosovën me Serbinë.

Zëdhënësi i KFOR-it, Ralf Adamek në një deklaratë urgjente për shtyp tha se trupat paqeruajtëse do të vazhdojnë operacionin për mënjanimin e barrikadave nëse vlerësohet e nevojshme. Në kuadër të zhvillimeve më të fundit, edhe misioni i EULEX-it ka kërkuar që rrugët të lirohen për qarkullim.

Zëdhënësi i KFOR-it, Ralf Adamek, konfirmoi se gjatë aksionit të sotëm janë ndaluar 5 persona, të cilët i janë dorëzuar policisë së EULEX-it dhe pas marrjes në pyetje janë liruar.

——————–

Tension në veri të Kosovës, të shtëna e të plagosur

Katër ushtarë të forcave paqeruajtëse janë plagosur, njëri prej tyre rëndë, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i forcave paqerujatëse në Kosovë, Kai Gudenoge.
“Është përkeqësuar situata, katër ushtarë të KFOR-it janë plagosur, njëri prej tyre rëndë, tre të tjerë më lehtë. Ai që është plagosur rëndë do të evakuohet”, ka thënë Gudenoge.

Ai ka konfirmuar gjithashtu për një person të lënduar në mesin e protestuesve, gjatë vetëmbrojtjes që forcat paqeruajtëse kanë ndërmarrë.

KFOR’i u vetëmbrojt me plumba gome

Zëdhënësi i KFOR-it, Kai Gudenoge tha sot se ushtarët e KFOR-it u detyruan që në “vetëmbrojtje”, të qëllojnë me plumba të gomës ndaj serbëve që u mblodhën në kalimin administrativ në Jarinje.
“Serbët gjuajtën me gurë ushtarët gjermanë. Një ushtar u plagos dhe ushtarët u detyruan që në vetëmbrojtje të kundërpërgjigjen me plumba gome” tha një përfaqësues i KFOR-it për agjencinë AFP.
Gudenoge tha se situata tani është “absolutisht e qetë, por ajo mund të ndryshojë në çdo kohë.”

* * *

Heqja e barrikadave dhe arrestimi i disa personave, i ka tensionuar serbët në veri të vendit. Në Jarinjë raportohet për të shtëna me armë, ndërsa gazeta Blic raporton për katër serbë të plagosur, një prej të cilëve në gjendje kritike. Këtë e ka konfirmuar edhe i ashtuquajturi ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç.

KFOR-i ndërkaq ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e serbëve të mbledhur, që kundërshtojnë heqjen e barrikadave të tyre, që i kanë vendosur “për të parandaluar vendosjen e doganierëve dhe policëve të Kosovës në dy pikat kufitare në veri të vendit”.

ZERI