MBAHEN “TAKIMET E GJEÇOVIT 2015”

1
52

Në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, ditën e shtunë, më 10 tetor 2015, duke filluar nga ora 11, mbahet edicioni i 44-të i manifestimit letrar, kulturor e shkencor “TAKIMET E GJEÇOVIT 2015”. Manifestimin e organizon Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi” e Zymit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe të Drejtoratit të Kulturës të komunës së Prizrenit.

Si zakonisht manifestimi përbëhet prej dy pjesëve qendrore: Tribuna që sivjet i kushtohet “VENDIT TË KOSOVËS NË UNESCO”. Për këtë çështje do të mbahen katër kumtesa nga kuadrot më përgjegjëse të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë dhe të UNESCO-s.

Në vazhdim do të hapen dy ekspozita: Njëra në temën “FOTOGRAFIA FAMILJARE” e studentëve të etnografisë të Universitetit publik “Hasan Prishtina” të Prishtinës, dhe ekspozita tjetër do të jetë e artistit dhe skulptorit Llesh Biba, nga Tirana, ku do të ekspozohen punime – drugdhendje me motive të ndryshme.

Ndërkaq, pjesa e dytë do të jetë “ORA LETRARE ANTON PASHKU”, në kuadër të së cilës së pari shënohet përvjetori i Pjetër Bogdanit (flet Prend Buzhala), e pastaj 15 poetë nga viset etnike shqiptare dhe diaspora do t’i deklamojnë poezitë e tyre.

Në kuadër të manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takime e Gjeçovit 2015”, sikurse edhe vjetëve të mëparshme, jepen edhe çmimet: “PLAKETA PJEËR BOGDANI”, “PLAKETA SHTJEFËN GJEÇOVI” dhe “PLAKETA ANTON PASHKU”, si dhe çmimi kryesor “UNAZA E KATIT” (Katarina Josipi).

Do përmendur se në kuadër të këtij evenimenti kulturor pritet që të përurohet edhe rruga Zym-Shëngjergj-Mulliri me Erë, asfaltimin e të cilës e kreu ditë më parë komuna e Prizrenit.
Në fund, para të pranishmëve do të shfaqet një program i begatë kulturo-artistik Ansambli etno-kulturor “KATARINA JOSIPI” e Zymit.

1 COMMENT

  1. Pershendetje te nderuar,

    Uroj suksese ne punen tuaj, qe vlersoni kulturen Shqiptare ne pergjithesi por ne veçanti ate Hasjane.

    Kjo tregon se tradita vazhdon ashtu siç ishin shume bije te tjere te Hasit, qe dhane kontribute jo vetem ne jeten shoqerore te zones por i kaluan kufijte e vendit e te kombit.

    Uroj qe te shperblehen vlerat, uroj qe çmimet letrare te perzgjidhet me i miri. Zoti u Bekofte

Comments are closed.