TemA Online, 19 Dhjetor 2011
Shqiptarët janë një popull gjumash. Nuk është thjesht një batutë, por një realitet me statistika, ku rezulton se në 24 orë, shqiptarët ia kushtojnë plot 38% të kohës, ose 9 orë gjumit.
Dhe, nga pjesa tjetër e ditës 20%, pra rreth 5 orë në ditë, e kalojnë në kafe. Sa për punën, në gjithë hapësirën kohore vetëm 13% e zë aktiviteti që sjell të ardhura, pra punë e paguar. Përsa i përket ndarjes mes femrave dhe meshkujve, burrat janë ata që punojnë më pak, por janë më të paguar.
Pavarësisht përpjekjeve, burrat vazhdojnë të jenë pakicë kur bie fjala për punët e shtëpisë, pasi ajo që ndodh brenda 4 mureve vazhdon të mbetet detyrë e grave. Në këtë pikë, 95% e fermave të moshës 15-64 vjeç dhe vetëm 37% e meshkujve 15-64 vjeç janë të përfshirë në punët e shtëpisë, kujdesi për fëmijët, përgatitjen e ushimit etj.
Këto janë të dhënat e para statistikore të bëra në Shqipëri se si shfrytëzohet koha. Studimi është shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe në studim janë përfshirë 93% e njerëzve që u janë përgjigjur anketave. /ora news