Si taksojnë “marksistët” Obama, Merkel, Sarkozy e Cameron

0
75

Nga Eduard Zaloshnja, 2 Nëntor 2011

Pas dy sulmeve të majta pa bukë të Berishës kundër propozimit të PS-së për heqjen e TVSH-së së bukës (“fshatarët s’do shesin dot grurin e tyre” dhe “ulja e TVSH-së do të shkojë në xhep të tregtarëve e jo të qytetarëve”; shih http://www.respublica.al/opinion/2011/10/31/sulme-te-majta-te-pd-se-ndaj-nje-propozimi-te-majte-te-ps-se), ai e ka ironizuar sot PS-së nga një pozicion “ i djathtë”. Propozimin e saj për kalimin nga taksimi regresiv në atë progresiv, ai e ka quajtur si të frymëzuar nga Marksi. Por Edi Rama ka reaguar flakë për flakë në Twitter, duke shkruar: “Ne jemi me ‘marksistët’ Obama, Merkel, Sarkozy e Cameron, madje edhe me marksistin Berlusconi. Kurse Saliu është me çunat e Bllokut te vet”

Po si taksojnë këta “marksistë”? Në SHBA, të ardhurat mujore deri në 670 dollarë taksohen në nivelin 10%, deri në 2800 dollarë taksohen në nivelin 15%, e kështu me radhë, derisa arrihet në nivelin 35%, i cili përdoret për të ardhurat mbi 31000 dollarë në muaj (familjeve që janë poshtë minimumit jetik të të ardhurave u kthehen taksat e mbajtura gjatë vitit, madje edhe u jepen ca para shtesë). Me pak fjalë, SHBA-ja ka një taksë mbi të ardhurat me ngritje progresive, e cila, në vende si Gjermania, Franca dhe Britania, ngjitet deri në nivelin 40%. Ndërsa në Shqipëri, taksa mbi të ardhurat është e sheshtë si për të varfrit edhe për të pasurit – niveli më i ulët e më i lartë është po ai, 10%.

*respublica.al