E. Demollari
Shtëpia Botuese Dudaj s’ka mundur ta mbajë dot deri në fund sekretin e saj të vitit. Gazeta Shekulli ka arritur të nxjerrë nga brenda asaj shtëpie surprizën që botuesja Arlinda Dudaj po përgatit për Panairin e Librit. Refuzimin e botueses për ta konfirmuar këtë lajm ne e konsiderojmë pohim të lajmit, në pamundësi për të kontaktuar me autorin. Që quhet Edi Rama.Po, kryetari i opozitës ka shkruar një libër voluminoz që është dorëzuar para pak kohësh në Shtëpinë Botuese Dudaj.
Sipas burimit tonë ky libër titullohet “KURBAN”. Merr spunto nga therja e dashit në derën e Bashkisë së Tiranës dhe përmban ndodhi e detaje të panjohura për publikun të shtrira në 11 vjet.
Recensionimin e librit Edi Rama ia ka besuar Piro Mishës dhe Ardian Vehbiut, të cilët së bashku me botuesen janë të vetmit që hëpërhë dinë gjithshka për përmbajtjen.
Shekulli ka mundur të mësojë se në librin e tij Edi Rama ka përfshirë shumë personazhe të jetës politike e publike, nga Fatos Nano e Sali Berisha tek Ismail Kadareja e Fatos Lubonja, botues mediash dhe të tjerë akoma. Vend në libër zënë edhe Ilir Meta, Spartak Ngjela, Arben Imami apo një numër ambasadorësh të huaj në Tiranë. Po Edi Rama flet edhe për familjen e jetën e tij personale. Libri i dedikohet Aneta Ramës, nënës së kryetarit të opozitës.