TemA, 8 Nëntor 2011
Burime diplomatike në Berlin bëjnë të ditur se autoritetet kufitare gjermane deri më tani kanë kapur rreth 100 pasaporta biometrike shqiptare fallco, një shifër e frikshme po të kesh parasysh garancitë që ka dhënë sistemi i sigurisë së prodhimit të këtyre pasaportave.
Një burim anonim nga parlamenti gjerman i tha gazetës TemA se është informuar nga autoritetet kufitare për këtë fenomen shqetësues.
Autoritetet gjermane janë në komunikim me autoritet shqiptare për këtë fenomen, i cili duket se ka të bëjë me kontigjente njerëzish të pajisur para 8 Majit me pasaporta shqiptare. Ka dyshime se disa prej tyre mund të jenë shtetas të Kosovës ose qytetarë shqiptarë me probleme me identitetin e tyre real.
Kjo shifër është alarmante dhe mund të vërë në pozitë të vështirë Ministrinë e Brendshme në Tiranë lidhur me origjinën e këtyre pasaportave dhe pasojat që mund të kenë mbi procesin e liberalizimit të vizave.