Restoranti “Gjelina” i një shqiptari, ndër më të preferuarit e VIP-ave në Los Angeles

0
28

Dita, 9 Shkurt 2013

Lajmi i publikuar dje në “Daily Mail” për drekën e reperit Jay Z me bashkëshorten e tij, Beyonce, në një restorant me emrin “Gjelina” në Los Angeles, i bëri shumë prej nesh të nisnin kërkimet për restorantin dhe pronarët e tij.

Shkronja gj, e pazakontë për anglishten, u lidh menjëherë me hamendësimin se pronari i restorantit mund të jetë shqiptar. Dhe në të vërtetë ashtu ishte. Një kërkim i thjeshtë në internet të informon se “Gjelina” është një restorant i njohur në bulevardin “Abbot Kinney”.

Ai frekuentohet rregullisht nga VIP-at. Pronari i restorantit është një shqiptar me emrin Fran Camaj, i cili i ka vënë biznesit emrin e nënës së tij. “Gjelina” është një ndër restorantet më të frekuentuara në Los Angeles, kjo për shkak edhe të përzgjedhjes së ushqimeve nga prodhuesit vendorë të kësaj zone.