Omer Stringa: Nuk bashkohem me Topin; por PD është kthyer në parti fshati

0
35

ResPublica.al, 24 nëntor 2011

Partia Demokratike është një forcë që ka kaluar majtas duke iu larguar qytetarisë, ndërsa Bamir Topi është një ndër politikanët e paktë në Shqipëri me qytetari. Këtë raport ka ndërtuar mes Presidentit Topi dhe partisë së vet, asaj Demokratike, Omer Stringa, dekan i Fakultetit Ekonomik, deri para pak kohësh anëtar i strukturave drejtuese të PD-së.

Nëpër rreshtat e një interviste për ‘Gazetën Shqiptare’, duket se edhe Stringa i është bashkuar ‘grupit të të pakënaqurve’ në Partinë Demokratike. Megjithatë ai nuk pranon se do t’i bashkohet partisë së re të Presidentit Topi. Stringa e sheh problemin e PD-së te animi majtas duke marrë rrjedhimisht vota në fshat, por duke humbur në qytet.

Një arsye se pse Stringa e konsideron partinë e tij ‘parti të fshatit’ është se pas koalicionit me LSI-në i ka kaluar asaj disa ministri shumë të rëndësishme si Ekonominë, Shëndetësinë dhe Diplomacinë që, sipas tij, duhet të ishin në pararojë të reformave. Stringa nuk ka harruar të kujtojë se Partia Demokratike lindi si parti e qytetit dhe qytetarëve. Omer Stringa ka qenë anëtar i kryesisë së PD-së dhe drejtor i Departamentit Ekonomik. Aktualisht ai është anëtar i thjeshtë i kësaj force politike.

H.B.