Një lloj droge qëndron pas sulmeve kanibale që po tmerrojnë botën

0
80

Gazeta Shqip, 7 Qershor 2012

21-vjeçari Brandon De Leon, i cili tentoi të kafshonte policët që e arrestuan 

Rastet e shpeshta të shfaqjes së kanibalizmit në SHBA kanë qenë shokuese dhe kanë sjellë shqetësim për mbarë botën. Rasti i 29-vjeçarit kanadez, i cili copëtoi dhe hëngri pjesë nga trupi i masakruar i shokut të tij të dhomës ishte vërtetë i frikshëm dhe i pazakontë. Por përpara këtij rasti, një tjetër burrë u qëllua nga policia në SHBA teksa ishte duke ngrënë fytyrën e një personi i cili mësohet se ishte endacak.

Ndërkohë, dy sulme të tjera kanibale janë njoftuar nga policia e SHBA e cila ka dalë në përfundimin se ka shumë mundësi që pas këtyre rasteve çnjerëzore të fshihet një lloj i ri droge, e cila është gjetur në gjakun e njërit prej kanibalëve pas analizave të cilave ai iu nënshtrua.

Në Luiziana, një 43-vjeçar i quajtur Carl Jacquneaux, gjithashtu u arrestua pasi tentoi të hante fytyrën e një mashkulli, i cili arriti të shpëtonte vetëm pasi e spërkati me gaz lotsjellës kanibalin dhe thirri menjëherë policinë që e prangosi.

Ndërkohë, shumë i çuditshëm dhe i dyshimtë është edhe rasti i një 21-vjeçari, Brandon De Leon i cili pasi u arrestua nga policia për prishje të qetësisë publike, iu drejtua oficerëve të policisë me fjalët: ‘Do t’ju ha’. Dhe, më pas tentoi të kafshonte dorën e njërit prej policëve që ishte duke e shoqëruar.

Policët thanë se ai ishte nën efektin e disa drogave të ndryshme, duke përshirë edhe substancën narkotike për të cilën autoritetet dyshojnë se shkakton ndjenjën e kanibalizmit.
Policia e Miamit ndërkaq ka ngritur alarmin në lidhje me këtë lloj droge të re që është duke qarkulluar, e cila mesa duket shkakton një gjendje të thellë pavetëdije dhe turbullim mendor në shkallë ekstreme, saqë i nxjerr njerëzit totalisht nga natyra e tyre, duke favorizuar sulmet e kanibalizmit.

7 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)