Një emër mes Zaganjorit dhe Topallit?!

1
73

Nga Mero Baze, 4 Qershor 2012

Fillimi i bisedimeve mes shumicës dhe opozitës për presidentin konsensual duket se është një rit formal për të konsumuar takimin, por jo problemin. Kur flitet për një president konsensual, nënkuptohet që shumica të japë konsensusin për opozitën dhe jo e kundërta, pra që opozita të ketë përpara një listë anëtarësh të kryesisë së PD-së apo Familjes dhe opozita të japë konsensusin ose të shpallë listën e saj. Bile fiks për këtë shkak në këto bisedime është shkuar nën shantazhin e emrit të shpallur nga Sali Berisha, që është Xhezair Zaganjori, dhe pas tij në pritje Jozefina Topalli.

Kërkesa e parë që i bëhet Edi Ramës nga Berisha në fillim, pastaj dhe nga njerëz jashtë logjikës politike të këtij procesi, për “të nxjerrë një emër”, është në të vërtetë ajo që e hedh në erë gjithë procesin, pasi kjo po kërkohet ndërkohë që Berisha e ka nxjerrë emrin e tij dhe thjesht do të noterizojë garën. Berisha është i qartë përse e “kërkon një emër” nga Edi Rama, ndërsa të tjerët që e ndjekin, ca nuk kanë nerva të kuptojnë dredhitë e Berishës, e të tjerë ia kanë hequr vetes luksin e të menduarit, pasi flet Berisha.

Siç e kemi theksuar, opozita nuk i ka votat për president dhe futja e saj në procesin e presidentit konsensual ka kuptim vetëm nëse Berisha demonstron vullnet për konsensus me të dhe jo nëse e fut atë në lojë emrash apo listë kandidatësh. Ky proces është poshtërues dhe shumë më i dëmshëm se zgjedhja e një presidenti me 71 vota.

Këmbëngulja për të “kërkuar një emër” pasi Berisha ka nxjerrë dy prej tyre, Zaganjorin dhe Topallin, është qershia mbi tortë që Berisha kërkon t’i vendosë procesit tërësisht të njëanshëm të zgjedhjes së presidentit, dhe opozita nuk ka pse ia jep këtë luks.

Problemi i dytë që Berisha ka ngritur paralelisht me “pritjen” për një emër nga opozita është se do t’i qëndrojë deri në fund emrit të Zaganjorit dhe do ta hedhë në garë me emrin e opozitës. Këtu në fakt zbulohet formaliteti i gjithë këtij procesi. Dy emrat e Berishës, Topalli dhe Zaganjori, megjithëse kanë raporte nxënës-pedagogë me njëri- tjetrin, janë formate shumë të ndryshme. Topalli është format politik, ashtu siç e njohim të gjithë, acaruese, radikale me leje, megalomane, arrogante, dhe agresive edhe ndaj të vetëve, nëse nuk i ka pas vetes.

Por ajo është PD-ja. Në vetvete ajo përfaqëson tipare thelbësore të njerëzve pas Berishës në PD, që janë servilë me Berishën dhe arrogantë me ata poshtë tij, besnikë ndaj tij dhe plot intriga ndaj njëri- tjetrit, të heshtur para tij dhe gramafonë të prishur para të tjerëve. Duke qenë e tillë, Topalli është një përfaqësuese reale e PD, edhe nëse bëhet presidente. Ajo e mbush atë vend me gjithë tiparet e PD-së së sotme, pavarësisht se shumë prej tyre janë negative.

Në momentin që ajo bëhet presidente, përveç luajalitetit me Sali Berishën, ajo ka plot cilësi të tjera që mund t’i zhvillojë pesha e pushtetit dhe mund të prodhojë politikë. Ajo mund të bëhet nervoze nga zëvendësimi i saj në PD, nga afrimi i Bashës, nga lartësimi i Olldashit, nga ndërrimi i bodigardit, nga emërimet e reja dhe gjithçka tjetër. Ajo është e tëra një pirg me komplekse, inate dhe servilizma që gjallojnë. Bash për këtë Berisha po e zëvendëson atë me një figurë tjetër, thuajse me gjak peshku, pa nerv, pa asnjë armik, pa asnjë ide, pa asnjë kontribut, pa asnjë dëshirë për të kundërshtuar dikë që e emëron diku. Diferenca me Topallit dhe Zaganjorit është se Topalli është kandidat e PD-së dhe e përfaqëson atë, Zaganjori është kandidat i Berishës, ose si të thuash, hija e tij në karrigen e presidentit.

Për këtë arsye, nëse do të kemi një president me 71 vota nga shumica, Topalli është një zgjedhje më e drejtë dhe më e sinqertë për PD se sa Zaganjori. Edhe për vetë retorikën e PD-së si parti antikomuniste, i takon të zgjedhë një përfaqësuese të familjeve jokomuniste, përballë një njeriu që nisi të anëtarësohej në Partinë e Punës së Shqipërisë kur ajo po ikte, dhe që ishte përgatitur nga regjimi të ishte një përfaqësues i hetuesve dhe gjykatësve të atij regjimi, të cilin kam frikë se e kap dhe ligji për gjenocidin që ka bërë Berisha. Ai është përzgjedhur për të qenë president Berisha, ndërsa Topalli është përzgjedhur për ta pasur presidencën PD-ja. Kjo e fundit do ishte një zgjidhje më realiste dhe më përfaqësuese se Zaganjori.

Kundërshtimet e Ilir Metës ndaj Topallit më shumë se sa me ndonjë parim, lidhen ngushtësisht me klanin Meta-Basha brenda PD-së, të cilët po kushtëzojnë shmangien e Topallit jo për interesa të vendit, por për luftën e brendshme në PD. Bile dëmi më i madh që po bën Ilir Meta në këtë proces është se përgatiti opozitën që do ta kishte një aleat në zgjedhjen e presidentit dhe përfundoi si një aleat i grupeve brenda PD-së, kryesisht Bashës dhe Balliut që nuk duan Jozefinën. Nëse Meta do të ishte një aleat i sinqertë i opozitës në këtë proces, ai do kundërshtonte çdo emër të njëanshëm. Ai në të vërtetë ka kundërshtuar vetëm Topallin, pasi vetëm ajo ka probleme me grupin e tij brenda pushtetit. Dhe opozita nuk ka luksin t’i bëjë Ilir Metës dhe qokat e vogla brenda PD-së.

T’i kërkosh në këto kushte Edi Ramës një emër, që ta përdorë Berisha si alibi për të zgjedhur o Topallin, o Zaganjorin, është një naivitet. Edi Rama ka në dorë vetëm t’i kërkojë Berishës vullnet politik për të arritur konsensus për një president të pranuar nga të dy palët, duke hequr dorë nga emrat që ka nxjerrë dhe shantazhi që po bën. Nëse Berisha nuk e bën këtë as në raundin e tretë, opozita nuk ka punë me këtë proces. Le të zgjidhet në daç Zaganjori, në daç Topalli. I pari do të jetë një ushtar i Berishës në presidencë, ose një Berishë i heshtur, e dyta një fanatike e PD-së, por më e vërtetë si përfaqësues e saj. E zgjedhin që e zgjedhin të tyren, e zgjedhin që e zgjedhin vetë, të paktën opozita të mos futet në lojën e një emri mes këtyre të dyve, që të prodhojë një kukull legjitime për regjimin.

1 COMMENT

  1. “që të prodhojë një kukull legjitime për regjimin.”

    Me fjale te tjera nje president “pule”,siç thote Arber Xhaferri.
    Ka dite qe bejne pjese ne endrrat tona, edhe pse nuk i kemi jetuar, por te jetosh diten e zgjedhjes se nje presidenti te tille do te thote qe te jetosh ne mallkim.
    Eshte e vertete qe populli mund t’ia delegoje te drejtat e tij perfaqsuesve, por duhet te jete gjithmon i lire qe t’i modifikoje rregullat e delegimit.
    Eshte shteti qe ekziston per t’u sherbyer qytetareve, dhe jo qytetaret per t’i sherbyer shtetit.
    Sovraniteti i popullit duhet te jete ne qender te politikes.
    Jo me qytetaret subjekte te vullnetit te politikaneve, por e kunderta.
    Ne “teatrin e politikes” keto dite po vihet ne skene nje çfaqje pa rite apo thellesi shenjash.
    Tragjikomedia quhet : Nje zgjedhje e paralajmeruar.
    Me regjizor Berishen e Ramen, trukues Meta, autori i tekstit i panjohur, protagonisti kryesor do te njihet ne çfaqje, deri tani njihen protagonistet falso, nuk ka antagoniste, nuk ka deuteragonista, pamvaresisht se keta jane personazhe te tragjedise, por fare mire mund te perdoren edhe ne tragjikomedine e mesiperme.
    Nje gje dihet me siguri eshte fakti qe ka shume spektattore qe presin ne radhe per te pare kete çfaqje fantastike.
    Doni te dini dhe diçka tjeter, edhe ata qe kane kercenuar ne emer te demokracise per te bere nje çfaqje konsensuale jane ne radhe per te pare kete çfaqje, bile kane zene vend ne rrjeshtat e pare te salles.
    Duke qene se kemi te bejme me nje çfaqje, ata qe jane profesionista e dine shume mire, kemi te bejme me nje komunikim te mesazhit “indirekt”, dhe meqenese eshte nje mesazh indirekt ka per te depertuar ne pjesen me te thelle te shpirtit te spektatoreve.

Comments are closed.