Ndahen 670 milionë lekë për ish-pronarët, familja e Jozefinës në krye të listës

0
38

Agjencia e Kthimit e Kompensimit të Pronave ka shpërndarë 670 milionë lekë të reja për vetëm 170 familje pronarësh, dhe në krye të listës që përfitojnë është familja e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli (Çoba).

Përfshirja e emrit të familjes së vajzërisë së zonjës Topalli nuk përbën më një surprizë në listat që shpall çdo vit AKKP-ja, pasi mbiemri Çoba është gjithmonë në këtë listë të shkurtër, pavarësisht se qindra familje shqiptare të cilave u është marrë padrejtësisht prona në kohën e regjimit komunist, vazhdojnë të mbesin jashtë listës së kompensimit nga shteti. Në listën e publikuar nga AKKP, trashëgimtarët e familjes Çoba, ndër të cilët është dhe numri një i Kuvendit ishte e dyta në listë, por nuk bëhej e ditur se sa para kishte përfituar. Agjencia e ka ndryshuar formulën e llogaritjes së kompensimit, ndërsa më parë ishte me kompensim 200 m2 për çdo familje.

Tashmë agjencia procedon në bazë të dosjeve duke pranuar apo rrëzuar dosjet e depozituara pranë zyrave të saj. Siç bëhet e ditur nga njoftimi i AKKP-së, të kompensuarit e kësaj liste të fundit i kanë dorëzuar dosjet para vitit 1994. Duket qartë që zonja Topalli po e shijon të qënit në pushtet për t’i rikthyer pronat familjes së saj në para, që do të derdhen nga arka e shtetit brenda këtij muaji në llogaritë bankare të familjes Çoba.

Në njoftimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave thuhet se ajo ka përfunduar vlerësimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuar për përfitimin e kompensimit në të holla të pronës së njohur për kompensim. “Në përfundim të shqyrtimit të 1012 kërkesave të administruara, kanë rezultuar përfitues gjithsej 107 subjekte të shpronësuar sipas renditjes kronologjike duke filluar nga vendimi më i vjetër në kohë.

Vendimi i fundit përfitues nga ky fond daton 23 shtator 1994. 107 subjektet e sipërcituara do të përfitojnë fondin prej 670 milionë Lek, i vënë në dispozicion nga Qeveria. Subjektet të cilët kanë aplikuar për kompensim në të holla me vendime të ish-komisioneve që datojnë para datës 23 shtator 1994 dhe nuk rezultojnë fitues, janë skualifikuar”, thuhet në njoftim.