Nga Mustafa Nano
Kam një propozim. Duhet të fusim ambasadorët si një element kushtetues, dhe me këtë nuk bëjmë gjë tjetër, veçse i japim formë ligjore një praktike të qartë ambasadorokratike. Me fjalë të tjera, njohim ligjërisht një pushtet që ambasadorët e kanë praktikisht. Këta të fundit po dalin ditë për ditë, po flasin për të gjitha çështjet, po shtjenë në punë një tone ex cathedra e imponues, e ç’është më e bukura, po vënë në lëvizje institucionet, partitë, shoqërinë civile dhe mass media-n. Pa ndërhyrjen e ambasadorit amerikan, hetimi i 21 janarit nuk do të fillonte, dhe ka rrezik që nën ndikimin e tij prej babaxhani ky hetim të mos japë asnjë rezultat.
Pa ndërhyrjen e ambasadorit amerikan e atij të OSBE-së, procesi elektoral do të mbetej në vendnumëro. Pa ndërhyrjen e këtij të fundit nuk do të kujtohej kush për dhunën barbare mbi romët. Shtypi foli e foli fort, por Berisha nuk e ka problem shtypin, ai ka problem ambasadorët: vetëm pasi këta të fundit ngritën zërin, Berisha ka dhënë urdhër të arrestohen do tropojanë. Mua ma shpifin ambasadorët furacakë, por e kuptoj se ky pushtet që ata kanë e ushtrojnë në Shqipëri nuk është i uzurpuar, përkundrazi, është i dhuruar.
E kështu, është e kotë të merresh me ta, e me ndikimin e fuqinë që kanë ata në këtë vend, s;ka gjë se në fakt nuk kanë asnjë mandat qeverisës. Është faji ynë, nuk është faji i tyre, e përsa kohë ne s’kemi fuqi ta parandalojmë apo të zëvendësojmë ndikimin e tyre, është mirë që ta institucionalizojmë e konstitucionalizojmë rolin që ata luajnë. Ose t’i bëjmë që të marrin pjesë në garat elektorale, edhe sikur të mos fitonin, do na mbronin nga manipulimi i zgjedhjeve. Edhe sikur të mos fitonin në zgjedhje thashë? E kanë të sigurtë fitoren.
*respublica.al. rubrika: nanonews
“Ose t’i bëjmë që të marrin pjesë në garat elektorale, edhe sikur të mos fitonin, do na mbronin nga manipulimi i zgjedhjeve. Edhe sikur të mos fitonin në zgjedhje thashë?”
Ambrose Bierce thotë:
“Ambasadori eshte ai qe pasi nuk ka arritur qe te marri nje post nga votuesit, (zgjedhesit) e merre kete post nga qeveria, me kusht qe te leri atdheun.”
Keshtu qe mos prit gje nga ata qe braktisin atdheun per nje post.
Comments are closed.