Ku jemi 20 vjet pas “Murit të Berlinit”?

0
62

Shinasi A. Rama

Shinasi A. Rama, 17.10.2009

Edhe ne shqiptarët do ta përjetojmë rënien historike të Murit të Berlinit me tamtamet e zakonshme të parisë së Tiranës. Por, zhurmat që do të bëhen nuk do të arrijnë ta mbulojnë dështimin e gjithanshëm të eksperimentit që u luajt me shqiptarët.

Tranzicioni shqiptar është i dështuar, shqiptarët janë në një rrugë pa krye, eksperimenti që u luajt në shtetin shqiptar ka krijuar një shoqëri të përçudnueshme, e shqiptarët nuk e dinë se çfarë ka për të sjellë dita nesër.

E thënë shkurt, kjo është kohë për reflektime serioze.
Pra, edhe pse do të jetë koha për të reflektuar mbi këtë dështim historik, paria e Tiranës dhe veglat e saj nuk kanë për të folur për këtë temë të dështimit, por për vendin e tyre në histori e se si ia mbërritën fisnikërimit, të bëhen pasanikë e ministra, të jenë në krye.

Nga ana e tyre, shqiptarët e tjerë, si ato që presin pare’ ashtu edhe ata që janë të mbytur me hallet e tyre, nuk kanë kohë të merren me këtë gjë. Por, ky moment nuk duhet kaluar kaq lehtë dhe duhet t’i shkohet deri në rrënjë të keqes që na ka pllakosur sot.

Një mënyrë më e analizuar dështimin e tranzicionit është për të thënë se kriza e shembjes së regjimit diktatorial në shtetin shqiptar dhe shembja e njëkohshme e sistemit titist në ish-Jugosllavi e gjetën kombin shqiptar thuajse krejtësisht të papërgatitur për të përballuar sfidat historike të transformimeve të gjithanshme të kalimit nga një sistem te një tjetër. Në veçanti, në shtetin shqiptar gjendja ishte tragjike.

Në atë kapërcyell kthese historike, shqiptarët që jetonin në shtetin shqiptar kishin vetëm një synim: të gjenin një jetë më të mirë. Mirëpo, të kontrolluar me dorë të hekurt nga paria jeniçere e Tiranës për gati 50 vjet, shumica dërmuese e tyre jo vetëm që synonin të iknin prej shtetit të tyre, por ata nuk e kishin as vetëdijen, as përgatitjen, as dëshirën për t’u përballuar si duhet me kompleksitetin e gjendjes politike të vendit, as me lojën ndërkombëtare, por mbi të gjitha, as edhe me vetë zgjidhjen e problemit ekzistencial të tyre, që duhej të ishte ndërtimi i shtetit-komb.

Në vend të synimit të gjetjes së kësaj zgjidhjeje që duhej të ishte edhe rruga e shpëtimit të tyre afatgjatë, shqiptarët u futën në rrugën e ndërtimit të kapitalizmit oligarkik. Rruga pa krye te çon atje ku je nisur, thjesht sepse atje tek ai kryqëzim fillojnë edhe te gjitha rrugët e tjera.

Nuk mund të thuhet se nuk ka pasur alternativa e se nuk doli kush të fliste e të thoshte se kjo do të ishte një rrugë pa krye, ashtu si edhe u vërtetua të ishte.

Pa pikë modestie më duhet të them se ka qenë një moment kur, në atë pikë kthese historike, ne që synonim të punonim për shtetin-komb, për ta ndërtuar dhe për ta vënë në shërbim të të gjithë shqiptarëve kudo që ishin, numëroheshim me gishtat e dorës dhe në politikën shqiptare u trajtuam si armiq që kinse po pengonin lulëzimin e begatinë e shqiptarëve në rrugën e kapitalizmit.

Secili në vete e të bashkuar kur u krijua mundësia, ne nuk ishim pjesë e parisë por vullneti ynë, koha e momenti historik na krijuan mundësinë për të qenë një zë në rrëmujën e fillimit te tranzicionit shqiptar.

Aty ku ne shihnim shtete-kombe të fuqishme evropiane, kundërshtarët tanë shihnin borgjezi e sisteme kapitaliste; aty ku ne shihnim struktura që mbronin interesat e kombeve të tyre me thonj e me dhëmbë, kundërshtarët tanë shihnin struktura qe mbronin interesat e shtresës sunduese; aty ku ne shihnim deformime te demokracisë, kundërshtarët tanë shihnin sistemin që do t’ua garantonte sundimin e tyre oligarkik.

Ne qe besonim se e ardhmja mund te ishte me e mire për të gjithë shqiptarët, u anatemuam në emër te interesave te parisë se Tiranës për të ndërtuar një sistem skllavërues, ku ata do te ishin zotër e te gjithë të tjerët skllevër të tyre.

Ne morëm rrugët e mërgimit e ato morën sundimin e shtetit, por ka ardhur koha të themi se ne kemi pasur të drejtë, dhe kjo ka ma shume vlere se gjithçka tjetër.

Mendësia sunduese e parisë se atëhershme te Tiranës ishte thuajse uniforme dhe monolitike. Si atëherë edhe sot, ajo mendësi i binte dhe i bie ndesh realiteteve politike duke ushqyer shpresa te paqena e ëndrra te pambërritshme.

Marrëzia e kësaj sjelljeje bëhet edhe më e qartë kur shihet se nuk ka lidhje midis gjendjes ku ishin shqiptarët, interpretimeve të parisë dhe perceptimeve të të huajve. Ëndrra e rradhës është integrimi evropian dhe lëvizja pa viza ne janar të vitit 2010.

Bota e huaj i shihte shqiptarët si një problem të pazgjidhshëm politik. Ata e shihnin veten si viktima të gjithkujt dhe e urrenin shtetin e tyre. Paria që e kishte sunduar, nuk kishte pasur as pikë dashurie e asnjë grimë respekti për atë popull e prandaj e braktisi në rastin më të parë.

Mbi të gjitha, edhe interesat e të gjithë shteteve fqinje kërkonin që shqiptarët kurrë të mos e gjenin veten, dashurinë për kombin e tyre e rrugën qe iu duhej për të dalë nga kriza. Nuk ka pasur popull që ka qenë i etur për të gjetur rrugën e duhur si shqiptarët, ashtu si nuk ka popull qe është zhgënjyer e qe do te vazhdoje te zhgënjehet si shqiptarët.

Edhe sot, 20 vjet mbas rënies së Murit të Berlinit, i vetmi popull i ish-kampit socialist që ende nuk e ka gjetur rrugën e vet janë shqiptarët.

Në shtetin shqiptar ka miliarderë e lypsarë, ka luks e para, por nuk ka shpresë për të ardhmen, nuk ka besim në jetë e nuk ka qëllime fisnike për të cilat ia vlen të jetosh e të punosh dite e natë, të jetosh e të vdesësh me stoicizëm.

Me një shoqëri të mbërthyer për fyti prej krimit të organizuar, me një shtresë tregtarësh e prodhuesish krejtësisht të kontrolluar prej politikës, me një pari politike oligarkike e kriminale, me një prani të fuqishme e vendimtare të interesave joshqiptarë, shqiptarët kanë arsye të jenë pesimiste për të ardhmen e tyre.

Shteti shqiptar, në vend që të jetë një parajsë mbi dhe’, sepse i ka të gjitha ato që duhen, është kthyer në një ferr për të gjithë shqiptarët që duan te ikin një orë e më parë prej andej, është kthyer ne një gangrenë politike për të huajt, dhe në një laborator eksperimentesh të dështuara të parisë alkimiste të Tiranës.

Natyrisht, ka shumë shkaqe pse gjendja është e tille. Mirëpo, ndër të gjitha shkaqet, ai më kryesori, shkaku parësor i këtij dështimi ka qenë se ajo pjesë e intelektualëve të tyre që u përfshi në politikë e në biznes e lanë popullin shqiptar në baltë. Edhe nëse ato nuk ishin fajtoret për këtë gjendje ku jemi, ato ishin bashkëfajtorë.

Ato heshtën kur duhej të flisnin, menduan për vete kur duhej të shërbenin, kur duhej të ruanin u turrën për të prishur e për të vjedhur, dhe tamam atëherë kur duhej me qenë ma te mëdhenj se jeta, intelektualet qe hynë ne politike menduan vetëm e vetëm për veten e për kuletën e vet.

Intelektualet ishin fija e kashtës për të cilën instinktivisht u kapen te gjithë shqiptarët kudo qe gjendeshin ne shtetin shqiptar. Inteligjencia e tyre, shkrimtaret, mjeket, profesorët, doktorët, ekonomistet, inxhinierët ishin shpresa e tyre e vetme për të dale nga gjendja e pashprese.

Paria e Tiranës nuk ka pasur e nuk ka dashuri per shqiptarët se ndryshe nuk do t’i linte te shkonin ne atë gjendje ku i gjeti shembja e Murit te Berlinit. Shqiptarët nuk kishin ku me u kape, ato u mbështetën tek intelektualet e tyre si mbështetet fëmija te prindi ose me mire ato qe s’kane sy mbështeten tek ai qe ka nje sy qoftë edhe te shtrembër.

Besimi i njerëzve ishte se intelektualet do t’i shpëtonin, ato qe dinin do te sillnin zgjidhjen dhe shpresën, do te tregonin rrugën dhe do te mund te shpëtonin nje popull qe nuk e dinte se cka ishte e mira e vet, e shpesh nuk e dinte as çfarë donte. Askush me mire se paria e Tiranës nuk e dinte këtë gjë.

Askush më me kujdes nuk u mundua që të nxjerrë në krye të formacioneve politike pikërisht veglat e thyera të transformuar në intelektualë. Askush më mirë se intelektualët e stërpërdorur që u vunë ne krye te tranzicionit nuk e dinin gjendjen e mjere te shqiptarëve.

Mirëpo, zhgënjimi qe sprovuan shqiptarët ishte i thelle dhe i jashtezakonshem sepse, siç u demonstrua gjatë këtij trancizioni, e siç dëshmohet e shihet përditë, zvetënimi i pashembullt i parive te tyre intelektuale, tashme te transformuara ne udhëheqje politike ia hoqi shpresën e fundit një populli te mjeruar. Ne veçanti, ne shtetin shqiptar, intelektualet qe hynë ne politike u sprovuan te ishin me keq se sa lumpeni i vetë shoqërisë prej kah vinin.

Synimi i tyre kryesor ishte t’i ikin objektivit e interesit kombëtar shqiptar, bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një shtet; lufta e tyre ishte t’i kthenin shqiptarët në skllevër, për të ndërtuar kapitalizmin e vete për t’u bërë borgjezia, me çdo kusht e me çdo çmim.

Dhe kjo sjellje e intelektualëve e ka një shpjegim. Shumica dërrmuese e tyre ishin e mbeten me mendësinë e konviktoreve te uritur qe kurrë nuk u ngritën mbi mentalitetin katundar prej kah edhe vinin. Intelektualet qe hynë ne politike, me pak përjashtime ne trojet shqiptarë jashtë shtetit shqiptar, ishin e mbeten vegla te sistemeve e te klaneve sunduese qe i kishin formuar për interesat e tyre.

Kur ato sisteme u shemben, dhe kur nuk mbeten shërbyes te klaneve sunduese, ato u kthyen ne imitues te praktikave te cilave iu kishin shërbyer dhe e kthyen ne objektivin e tyre kryesor thyerjen shpirtërore e sundimin e popullit te tyre.

Kur iu dha mundësia, në veçanti këtyre te parisë se tashmë të Tiranës, ato treguan se etja e tyre për pushtet dhe mosbesimi e urrejtja e tyre për popullin shqiptar e për gjithçka që e përcaktonte atë popull si komb ishte e pakufishme.

Në mos shumica dërrmuese, pa dyshim shumica e tyre u turrën për t’u pasuruar e për të shfrytëzuar ç’të mundnin nga shteti shqiptar e nga shoqëria shqiptare me një etje të pakufishme.

Në emër të atdheut e te popullit shqiptar ato jetuan e jetojnë jetë përrallore, gjithnjë duke e urryer e përbuzur popullin e vet pa asnjëfarë mëdyshjeje.

Ka nga te gjitha llojet. Por e përbashkëta e te gjithë këtyre ishte se kur ato nuk e urrenin deri ne fund te shpirtit popullin prej te cilit vinin, ato kishin thuajse nje ndjenje neverie ndaj e frike prej popullit te tyre.

Aq e dukshme është kjo sjellje sa, edhe sot, asnjeri prej tyre nuk guxon me e përmendë diçka qe e ka bërë ne te mire te shqiptarëve sepse ne fund te shpirtit e din se po ta përmendë, do të dalin shumë e shumë argumente që e provojnë se ato individë janë sjellë si vegla te dikujt, janë sjellë ashtu pse të motivuar nga interesa të ngushta, e që në rrugën e tyre kanë bërë shumë gjëra që kanë rënë ndesh me popullin e vet e interesave të tij.

Ky është edhe shkaku pse 20 vjet mbas rënies së Murit te Berlinit, shqiptarët janë në një qorrsokak. Ne shtetin shqiptar jetohet, por kur shihet e ardhmja, ne jemi aty ku kemi qene pse nuk kemi shpresën për të ardhmen, vizionin se si me e ndërtuar jetën si duhet e si vepron çdo komb tjetër i qytetëruar.

Mjerisht, lukunia e intelektualeve mjerane e gjysmake ia mbërriti të dalë fitimtare dhe po ecën në rrugën e krimit të vet. Pa hezitim, kjo ka qenë dhe mbetet tradhtia me e madhe me te cilën është përballur kombi shqiptar gjatë këtij tranzicioni që as ka e as do të këtë fund edhe për do kohë të këqija.

Prandaj çdo shqiptar ka të drejtë të ndjehet i tradhtuar prej intelektualeve qe u kthyen ne politikane sepse kur populli i tyre priste qe ata individë te bënin gjithçka mundnin për të mirën e popullit të tyre ato u treguan të ishin njerëz të vegjël.

Zgjidhjet e tyre do te ishin te ndryshme po qe se këta individë do të mendonin se për çfarë jeton një intelektual e për çfarë jeton nje politikan. Pasuria e vetme qe len dikush është kujtimi qe len ne zemrën e njerëzve. Ma i miri nder ne, nuk merr ma shume se dy metra dheu, dhe ka pasur raste kur njerëz të adhuruar si zotër sa ishin gjalle, prej frikës e urrejtjes se njerëzve, sot nuk i kane as eshtrat ne varr.

Njeriu duhet të jetojë e të vdesë me shpresën se e ka fituar respektin e njerëzve te vet, me shpresën se dikur dikush ka për të ardhur e ka për t’ia pastruar varrin, ka për t’i vënë lule të vërteta e ka për ta kujtuar për një gjë të mire.

Gjithkush e ka një ferr brenda vetes, por lufta e intelektualeve te vërtetë është qe të ngrihen mbi vogëlsirat, gabimet e jetës së tyre, e të mendohen se nuk ka gjë ma te bukur e më të mirë se të jetosh e të vdesësh për popullin e tyre. E po e them edhe unë një shprehje latine, se kështu është moda në Tiranë, “dulce et decorum est pro patria mori.”

Çdo komb arrin që në momentet e duhura të gjejë fuqinë e të nxjerrë bij të tillë që të mendojnë për të e të sakrifikohen për të, e mbas të cilëve të mblidhen të gjithë, sepse ato ia tregojnë rrugën popullit të tyre e prandaj jetojnë përjetë në kujtesën e atij populli.

20 vjet mbas rënies së Murit të Berlinit dështimi i gjithanshëm i tranzicionit shqiptar ka treguar se, edhe pse e kane bërë gjoksin gropë, intelektualet e paria e Tiranës nuk kanë nxjerrë individë të tillë që t’iu vijë historia mbrapa.