ResPublica.al, 29 shkurt 2012
Ka ditë të tëra që flet veç për kundërshtarin, dhe nuk kuptohet mirë se nga e ka këtë eksitim (duket sikur është i terrorizuar nga opozita e tweet-ave?). Rama është kryemotivi i çdo daljeje të tij në publik, e sikur të mos ketë vende ku të zbrazet kundër tij, përdor dhe grupin e vet parlamentar dhe mbledhjet e qeverisë. Ja se ç’tha në mbledhjen e sotme të qeverisë, në mes e përballë ministrave të tij tuafë (po e citoj siç gjendet në sitet online):
“Rama zgjodhi momentin për t’u vërsulur edhe njëherë duke përdorur traditën e tij primitive, javën që shqyrtohej ecuria e reformave për të shpallur bllokimin. Shpalli bllokimin e reformës zgjedhore në një kohë që nuk kishte vendosur në tavolinë asnjë amendament, kur paraqiti për reformën parlamentare ato kërkesa që kishte hedhur poshtë në marrëveshjen e nëntorit, pasi vendosi dënimin kolektiv që nuk është në asnjë kod tjetër. Këto janë sinjalet, nuk janë ata që partneërt tanë presin nga Shqipëria; por cili është qëndrimi ynë? Ne do vazhdojmë pa ndërprerje me reformat në të gjitha fushat ku Edi Rama nuk mund të bllokojë dot. Ai nuk mund të bllokojë procesin e transparencës; [por] mund të bllokojë heqjen e imuinitetit. Mëkatarët kanë frikë të heqin imunitetin.
Vetëm ai që ka frikë ngë vetja e tij ka frikë nga heqja e imunitetit dhe këtë betejë ne do ta vazhdojmë. Këtë çështje [Ramën pra] do t’ua lëmë shqiptarëve, siç i dhanë një zgjidhje më 8 maj do i japin edhe në qershorin e vitit të ardhshëm. Do ndahemi njëherë e përgjithmonë nga kultura e bllokimit të bllokmenëve të rinj. Ai mendon se mund t’u thotë shqiptarëve ç’të dojë. Ai mund t’u thotë se dita është natë dhe nata është ditë.
Pse dalin dy tre elementë që s’janë në parlament dhe sjellin amendamentet e turpit të dënimit kolektiv, ai kujton se ky është realiteti shqiptar. Çdo ditë që kalon, koha e tij në politikë shkurtohet. Po përgatit disfatën më të thellë që ka njohur një njeri në 22 vitet e fundit. E paimagjinueshme të ngrihet njeriu në prag të javës së vendimit dhe të bllokojë me radhë ato që në njëfarë mënyre po ecnin. Doli ashtu siç është.”
Të gjitha këto pra i ka thënë në një mbledhje të qeverisë. Kjo është e turpshme, pasi aty është për të qeverisur shqiptarët e jo për t’u marrë me makthet e veta. Por ai e ka bërë udhë këtë punë. Është i vetmi kreministër që merret me kundërshtarin e vet në mbledhje të qeverisë.
M.N.