Kroqi: Munda Ramiz Alinë në 1991, PD s’donte humbjen e tij

0
47

TemA, 3 Prill 2012

Inxhinieri që konkurroi përballë Ramiz Alisë më 31 mars 1991, duke e mundur atë në zemër të zonës ku u themelua PKSH, Franko Kroqi, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja. com” ka risjellë në kujtesë atë kohë të vështirë kur gjendej në garë përballë ish-udhëheqësit të fundit komunist.

Ai thotë se PD deri në rrëzimin e bustit të Hoxhës, nuk kishte vendosur ende të vendoste kandidaturë përballë Ramiz Alisë, duke e pranuar thuajse në heshtje që ai do të bëhej presidenti i vendit. Në momentin e fundit kandidojnë Kroqin, ndoshta për të humbur përballë Ramiz Alisë, ndërkohë që nuk munguan presionet ndaj tij për të dhënë dorëheqjen nga kandidimi dhe për më tepër pas fitores, nuk solli asnjë entuziazëm në radhët e PD.

“Ramizi s’ishte burrë për t’u përballur vetëm për vetëm. Zona ku fitova unë ishte zona elektorale 218, ku ndodhej e ashtuquajtura “Shtëpia e Partisë” dhe ku historikisht vendosin kandidaturën Enver Hoxha e më pas Ramiz Alia,” kujton Franko Kroqi.

Ish-deputeti demokrat kujton se “Kur u dha rezultati për fitoren time të thellë, nuk kishte shumë entuziazëm në radhët e PD, ndoshta sepse humbi Ramiz Alia. Por me sa duket fitoi kurajoja ime”, thotë Zoti Kroqi në intervistën e tij të cilën të plotë mund ta lexoni sot në “Shqiptarja.com”.