Kompleksi i çuditshëm i renegatit

0
45

Zëra të ndryshëm, kryesisht nga bota e media-s, i kanë mëshuar këto ditë idesë se “qeveria është tërhequr nga deklarimi i kombësisë në regjistrimin e popullsisë”. Çfarë ka ndodhur praktikisht? Në faqen e fundit, me numër 32, të “pyetësorit/censusit të popullsisë dhe banesave të vitit 2011”, pyetja e vjetër: cili është grupi etnik, të cilit ju i përkisni?, është zëvendësuar me pyetjen e re: cili është grupi etno-kulturor, të cilit ju i përkisni? (marrë nga Shqipi i djeshëm).

Ka ndonjë diferencë në këtë mes? Jo, nuk duket se ka ndonjë diferencë. “Jo hoxhë Aliu, po Ali hoxha”, do thoshin andej nga anët e mija. E në këtë kuptim, duket si një karagjozllëk. Me sa duket, të ndodhur nën presionin e një lloj sendërgjie që po zë vend në trutë e njerëzve, e cila thotë se autoritetet shqiptare janë duke bërë një lojë greke me këtë punën e census-it, vetë autoritetet po kërkojnë të gjejnë dalje me artifice të ngritura mbi nonsense.

Është një kompleks i çuditshëm i renegatit, që i bën të sillen kështu. Por e vërteta është se shqetësimi që ka lindur prej këtij censusi nuk merr përgjigje. Prandaj, qeveria shqiptare duhet të na thotë troç e me kurajo, se “do ta bëjë regjistrimin etnik të popullsisë, se nuk ka asgjë të keqe në këtë regjistrim, dhe se ata marrin përsipër të gjitha rreziqet e grackat e një nisme të tillë”. Ndryshe, nuk bën gjë tjetër, veçse ushqen paranojat patriotike këtejpari, dhe u kall njerëzve në kokë idenë, se ka një hile të ndyrë në këtë histori.

Me anë të shpikjeve të tilla, Pollo na thotë se “nuk po bëjnë regjistrimin etnik të popullsisë”. Po cilin regjistrim po bëjnë? Atë etno-kulturor. Bingo! Deri këtu shkon inteligjenca e Pollos, nga i cili presim, megjithatë, të na thotë se pse regjistrimi etno-kulturor i popullsisë i jep përgjigje shqetësimit mbi regjistrimin etnik.

*respublica.al.
Marrë nga rubrika NANONEWS