Nga Korresp. 24-ore.com
Përfaqësimi diplomatik i Kosovës nga Shqipëria, në vendet e treta, siç ka propozuar Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme nuk ka gjetur mbështetjen e Ministrisë së Jashtme.
Para një muaji, Komisioni që udhëhiqet nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dërguar një propozim te MPJ’ja që kishte të bënte me përfaqësimin reciprok ose të përbashkët mes Kosovës e Shqipërisë në vendet e treta.
Propozimi i legjislativit kosovar mbështetet në nevojën që në vendet, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe në vendet, në të cilat përkundër njohjes, ende nuk është shtrirë përfaqësimi diplomatik i Kosovës, të ketë përfaqësim nga ana e Shqipërisë.
Në propozim është pohuar gjithashtu që përfaqësimi reciprok ose i përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ka për qëllim përmbushjen e nevojave dhe realizimin e interesave të shumta të qytetarëve të Kosovës jashtë vendit, zvogëlimin e shpenzimeve buxhetore të Kosovës, si dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik e të këmbimeve kulturore.
Burime të Expressit brenda Qeverisë kanë bërë të ditur se Ministria e Jashtme nuk do të bëjë kurrfarë marrëveshjeje me Shqipërinë për t’ia deleguar përfaqësimin diplomatik në ndonjë vend, siç ka kërkuar Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme.




