Katedralja – Xhami e Shën Shtjefnit?!

0
29

Sot, 26 dhjetor, Kisha katolike përkujton martirin e parë të krishterimit: Shën Shtjefnin.

Emri i Shenjtit nderohet në të gjitha viset e krishtera të Shqipërisë, ku që në shekujt e parë qenë ngritur katedrale e kisha në nderim të tij. Shën Shtjefni lidhet sidomos me Shkodrën. Shkodranët e patën zgjedhur që heret pajtor e i patën ngritur kisha, duke nisur nga Katedralja në Kështjellën Rozafa.

Ky kult fetar pretendohet vetëm nga Sytari që të kthehet në xhami,
përsëri, sikur pushtimi turk vazhdon përmes islamit…

Duke gërmuar në mjetet e komunikimit, për të gjetur sa më shumë të dhëna për Katedralen e Shën Shtjefnit në Kështjellën Rozafa, gjetëm edhe emërtimin e çuditshëm, që e vumë në krye të këtij shkrimi, përbërë nga dy fjalë, që e përjashtojnë menjëherë njëra-tjetrën. E pikërisht pas këtij binomi, gjetëm edhe pretendimet e pafundme e të pavend lidhur me zanafillën e vijimin e historisë së kësaj ngrehine kishtare, me rëndësi të madhe për historinë e krishterimit ndër shqiptarë. E historia flet në mënyrë të pakundërshtueshme. Jo vetëm për kultin e Shën Shtjefnit, por edhe për atë të shumë martirëve të kohëve të para të krishterimit, ndërmjet të cilëve, Shenjtorët Sergji e Bahu.

E pikërisht në ato kohë e ka zanafillën edhe Katedralja e Kështjellës ilire. Duke qenë e mbrojtur nga muret e Rozafës, kjo Kishë u lartua në rang katedraleje, ndërmjet kishave e abacive të tjera të shumta, që ngriheshin rreth e rreth saj, në Shkodër e në male. Ka shumë mundësi që u pagëzua qysh në lindje me emrin e Martirit të parë të krishterimit. Gjithsesi, për këtë nuk ka të dhëna të sigurta.

Çka dihet me siguri, është se kulti i Martirit të parë u përhap gjerësisht në këtë zonë në shekullin XIII, në kohën e sundimit të princeshës katolike Helena. Vërtetohet historikisht se asokohe katedralja njihej me emrin e Shtjefnit. E po aso kohe, Shën Shtjefni u shpall Pajtor i qytetit e nisi edhe kremtimi i festës së tij me një panair të madh në sheshin para Kishës, ku mblidheshin tregtarët e gjithë zonës e, madje, edhe ata që vinin nga Venediku e nga Republika e Raguzës. Në një nen të veçantë të Statuteve të Shkodrës, hartuar në shekullin XIV, shkruhet se në Kishën e Shën Shtjefnit, nën tingujt e këmbanave, çdo fundviti mblidheshin këshilltarët e qytetit dhe gjykatësit, për të zgjedhur organet bashkijake.

Kisha? Apo xhamia e Shën Shtjefnit, si po e quaka ndokush në kohët tona moderne? Mjafton pakëz njohuri historie, për të arritur në përfundimin se është kishë, madje katedrale e lashtë katolike e shndërruar në xhami, si vend faljeje për garnizonin ushtarak turk, e pastaj edhe në xhebehane, apo depo baruti. Për të arrirë në kohët tona si rrënojë e lumnueshme feje e atdhetarie, ku mund të hyjë e të lutet çdo njeri, në mënyrën e vet, pa u trazuar nga askush. Kjo asht Katedralja historike e shën Shtjefnit, ku ka shumë mundësi të jetë lutur edhe vetë Skënderbeu.

Gërmadhat e saj të lumnueshme, në të cilat u ruajtën deri vonë copëza afreskesh e, madje, deri një organo e vjetër, flasin vetë…

Kisha? Apo xhamia e Shën Shtjefnit!? [ Kliko këtu ]