Jep dorëheqjen një nga kryeredaktorët më jetëgjatë të Shekullit

0
45

TemA Online, 13 Mars 2012

Ka vite të tëra që e përditshmja Shekulli është identifikuar më së shumti me vetëm një emër gazetari, me Adrian Thanon, i cili qysh nga dita e sotme nuk do të jetë më kryeredaktor i saj. Ka dhënë dorëheqjen. Nuk dihen arsyet e kësaj dorëheqjeje, por dihet që Shekulli ka ndjerë vitet e fundit vështirësitë e sipërmarrjeve të Koço Kokëdhimës, të cilat kanë njohur lulëzimin në kohët e qeverisjes së socialistëve e kanë qenë nga më të penalizuarat pas vitit 2005.

Shumëkush e ka braktisur anijen ‘Kokëdhima’ në këto kohë të vështira, por ish menduar se Adrian Thano do të ish i fundit që do largohej nga gazeta Shekulli. Marrëdhënia Kokëdhima-Thano ka qenë një nga më të jetëgjatat e më të qëndrueshmet ndër marrëdhëniet e shumta botues-gazetar në Shqipëri. Thano ka qysh në vitin 1999 që punon për Shekullin, e qysh nga viti 2006, duke marrë stafetën nga Robert Rakipllari, ka mbuluar detyrën e kryeredaktorit; dorëheqjen, i kapur në telefon nga respublica.al, nuk ka dashur ta komentojë.

Shekulli, ndonëse ka një rënie të lehtë të ndikimit të saj, vijon të mbetet një nga gazetat më të mëdha të vendit. Mos vallë ikja e Thanos ka lidhje me ndonjë ndryshim të politikave editoriale? Mbetet për t’u parë.

respublica.al

http://respublica.al/artikuj/2012/3/13/jep-doreheqjen-nje-nga-kryeredaktoret-me-jetegjate-te-shekullit