Humbje e madhe për familjen dhe kombin

0
20

Lidhja Shqiptare e Prizrenit
Albanian League of Prizren
Kryesia me Qendër
New York, U.S.A.

Telegram ngushëllimi familjes
së të ndjerit studiuesit Mr. Jetish Kadishani

Ne Lidhja Shqiptare e Prizrenit me Qendër në New York, jemi prekur thellë nga lajmi i hidhur, se në moshën 62-vjeçare papritmas ndërroi jetë në Spitalin e Tiranës, Përfaqsuesi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me seli në Prishtinë, hulumtuesi i palodhur i historisë së lavdishme të popullit të Kosovës Mr. Jetish Cufë Kadishani.

Tek bashkëadhetari ynë i palodhur për çështjen kombëtare Mr. Jetish Kadishani, ne gjithnjë kemi parë njeriun e vendosur, për t’i shërbyer atdheut të vet në fushën e studimeve dhe hulumtimeve shkencore historike të traditës dhe deri në ditët tona.

Si një nacionalist i vendosur, ai gjithnjë ndriçoi pa u lodhur jetën dhe veprën patriotike të qindra nacionalistëve, që ishin lënë në harresë nga pluhuri i kohës dhe rregjimi komunist në Shqipëri dhe ish Jugosllavi.

Kësisoj i ndjeri Mr. Kadishani, ka qenë pjesëmarrës aktiv në nëntë simpoziume historike kushtuar ndriçimit të figurave të së Djathtës Shqiptare në Mbrojtje të Shqipoërisë Etnike, mbajtur në disa qytete dhe shtete të Europës, si: Hamburg, Shkodër, Prizren, Klinë, Burim (Istog), Shkup, Rrëshen, Ferizaj, Kukës, punime të cilat janë botuar në 9 volume.

Paralelisht me këto aktivitete shkencore historike, ai ka qenë bashkëpunëtor dhe referues serioz në shumë takime në përkujtim të shumë figurave të shquara kombëtare të mbajtura në trojet etnike shqiptare dhe diasporë.

I ndjeri ishte drejtor e punonjës shkencorë shumëvjeçarë si bibliotekarë në Bibliotekën “Jehona e Dukagjinit”, ku gjatë kësaj periudhe si hulumtues i palodhur në terren mbodhi, përpunoi dhe botoi me dhjetra profile, artikuj historik për Lugun e Drinit dhe banorët e saj.

Mr. Kadishani më pas në një mandat ishte kryetar i Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës, bashkëpunëtor i jashtëm shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shoqatës së Folkloristëve të Kosovës dhe diasporë, njëherazi punoi si gazetar në mjete të informimit në Kosovë për mbi 35 vjet.

Gjithashtu i ndjeri Mr. Kadishani ishte punonjës në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Është autor i mëse 20 veprave nga fusha të ndryshme dhe të tjera që la në dorëshkrim dhe nën kujdesin e familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë, ato mund të shohin dritën e botimit të plotë në të ardhmen e afërt.

Pasioni i tij ishin dhe mbetën gjithnjë librat. Dhe për këtë ai ishte emeruar drejtor i Shtëpisë Botuese “Drenusha”.

Është një humbje e madhe për familjen, për ne shokët e idealeve të pastra atdhetare, për miqtë dhe dashamirësit e shumtë, për bashkëpunëtorët dhe për gjithë kulturën kombëtare.
Ne bashkohemi dhe marrim pjesë në hidhërimin, që ka përfshirë zemrat e lënduar nga humbja e njeriut tonë më të dashur.

Pushoftë në paqe!

Kryetari i Lidhjes së Prizrenit
Ismet Berisha

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizenit
Tomë Mrija

New York, 22 Nëntor 2010