TemA, 27 Tetor 2011
Kriza greke ka bërë që të paktën 3500 persona në Shqipëri të mos përfitojnë pensionin prej 360 eurosh që merrnin nga shteti grek. Lajmin e kanë bërë të ditura mediat greke, që edhe më parë kishin lajmëruar se do kishte ndërprerje të pensioneve, për të rishikuar dokumentacionin. Por jo të gjithë ata persona që kishin aplikuar për pension arritën të dorëzojnë dokumentet në kohë. Përfituesit akuzojnë postën shqiptare dhe autoritetet në vendin tonë për zvarritje pasi mijëra njerëz u sulën për të bërë dokumente rishtas.
Gazeta Shqip thotë se janë të paktën 20 përqind e përfituesve që nuk do marrin tani e tutje pensione. Megjithatë jo zyrtarisht mësohet se kriza ka bërë që të bjerë kjo gërshërë. Fillimisht u deklarua se nuk do kishte dy të moshuar për familje që marrin pension. Çifte të moshuarish në Shqipëri nisën të shpallnin divorcet për të përfituar nga pensionet. Por edhe kjo hile tani duket se nuk do pijë më ujë.