Gjermania pa dorashka: U injoruam për KQZ-në

0
56

Dita, 16 Prill 2013

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Muller Holtkemper, në një intervistë për “Top Channel” thotë se kërkesat dhe insistimi i komunitetit ndërkombëtar për mos të prekur KQZ-në, u injoruan.

“Një proces elektoral i besueshëm merr një rëndësi të veçantë, jo për ne, por për elektoratin shqiptar në veçanti. Në këtë këndvështrim, ne presim që KQZ-ja të jetë asnjanëse, të punojë me profesionalizëm dhe jo politikisht. Nuk pati mungesë komunikimi prej ambasadorëve europianë dhe vendeve mike me disa politikanë shqiptarë. Është për të ardhur keq që këto qëndrime se si zgjedhjet demokratike duhet të menaxhohen u injoruan.

Me të vërtetë dua të shpreh shumë keqardhje. Ne po monitorojmë dhe do të nxjerrim konkluzionet tona. Nuk presim që vetëm KQZ-ja të punojë në baza profesionale dhe apolitike, por bazuar në kriteret e Kopenhagenit. Ne presim që administrata shtetërore të funksionojë në po të njëjtën mënyrë në të mirë të qytetarëve”, tha Holtkemper.

Por, a do të ketë pasoja për Shqipërinë tashmë që këshillat e ndërkombëtarëve nuk u dëgjuan për KQZ-në?

“Çdo gjë në jetë ka pasoja. Do të vijojmë të kemi bashkëbisedime mes ambasadave tona me delegacionin e BE-s dhe zgjedhjet do të vëzhgohen nga disa qindra vëzhgues. Të gjitha observimet do të mblidhen dhe mozaiku zgjedhor do të plotësohet për të pasur një fotografi zgjedhore të plotë”, shtoi ambasadorja.

Ambasadorja Holtkemper paralajmëron se zhvillimi i së hënës në Parlament nuk është një ogur i mirë për zgjedhjet.“Natyrisht që zhvillimet e djeshme do të kenë influencë në procesin zgjedhor. Siç edhe e thashë nuk mungonte informacioni apo të kishte vend për keqkuptime”.