TemA, 27 Tetor 2011
Ish- deputeti i Partisë Demokratike, Gilman Bakalli, në një intervistë për ‘GSH’ ka thënë se ardhja e një partie të re në Shqipëri nuk është ndonjë lajm i mirë, për shkak se në këtë vend nuk ka zgjedhje.
“Në kushtet kur diferencat ideologjike në Shqipëri janë sheshuar thuajse tërësisht, në kushtet kur partitë nuk i fitojnë zgjedhjet mbi bazën e programeve ideologjike, por kryesisht përmes makinacioneve dhe shtrembërimeve procedurale, cilin shqiptar mund ta ngrohë ideja e krijimit të një partie të spektrit të djathtë? Ndoshta mund të konsiderohej një lajm i mirë në kushtet e një sistemi tjetër zgjedhor që lejon lojë të ndershme midis partive politike,” tha Bakalli.
Megjithatë ai shtoi se mund të jenë të shumtë ata që do bashkohen me Topin. “Të shumtë mund të jenë ata që për arsye të shumta mund të vendosin t’i bashkohen një partie të re. Disa për ideale, disa sepse janë të papunë, disa sepse kanë rrezik të mbesin të papunë, disa sepse janë të pakënaqur me partinë e vjetër dhe me radhë,” tha Bakalli.
Ish- deputeti deklaroi se nëse ka një konflikt mes Topallit e Topit, ai është për dekretet presidenciale që flenë në Kuvend.