TemA, 6 Korrik 2012
Gazeta “Zëri” dhe autori i shkrimit me titull “Sali Berisha me mafinë serbe kundër Kosovës”, Enis Veliu, vazhdojnë të qëndrojnë prapa lajmit, i cili akuzonte familjen e kryeministrit Sali Berisha se po favorizon biznesmenët serb duke i dhëne atyre tenderin për linjën e interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë, raporton Vizion Plus.
Gazetari Enis Veliu deklaron nëpërmjet telefonit se këtë çështje ia ka lënë gjykatës, dhe disponojnë fakte të mjaftueshme për të vërtetuar gjithçka, që është shkruar në gazetë.
Nga ana tjetër avokatët e studios ligjore “Sejdiu e Qerkini” deklarojnë për Vizion Plus se ngritja e padisë civile është një e drejtë që i takon djalit të kryeministrit Sali Berisha, i cili kërkon nga gazeta “Zëri” të dëmshpërblehet për dëmin moral dhe të tërheqë nga ueb-i i saj lajmin. Sipas avokatit, shuma e kërkuar nga Shkëlzen Berisha prej 100 mijë eurosh është minimumi për të kompensuar dëmin moral. Ndërkohë Asosacioni i Gazetarëve Profesioniste të Kosovës nuk kanë preferuar të prononcohen duke ia lënë këtë çështje drejtësisë.