Entuziazmohet me Berlinalen

0
85


Nga Korresp. 24-ore.com, 22.02.2011

Kur kishte filluar të merrej me aktrim, Çun Lajçit nuk i kishte shkuar mendja se do të merrte pjesë në ndonjë festival të madh europian. Kur kolegu i tij tashmë i ndjerë Bekim Fehmiu i tregonte për ecjet e tij nëpër tapet të kuq, Çunit kjo i dukej si ëndërr.

Por, kjo ëndërr iu realizua para disa ditësh. Ai sapo është kthyer nga Berlini, ku së bashku me aktoren tjetër nga Kosova Ilire Vinca Çelaj, ka marrë pjesë në Festivalin e Filmit Berlinale me filmin “Falja e gjakut”, me regji të Joshua Martson dhe skenar të Andamion Murataj. Ky film u shpërblye me Ariun e argjendtë për skenarin më të mirë dhe kjo e kishte ngazëllyer tej mase aktorin kosovar.

“Kur kam zbritur nga vetura më është ndërruar mendja dhe ndjenja një milion përqind. Je aq i hutuar sa që janë disa njerëz aty, sigurisht duke e ditur këtë, që të udhëzojnë ‘kthehu, qeshu, buzëqeshu, spostohu’, të orientojnë si marionetën. Sepse sigurisht ata e dinë se para gjithë atyre njerëzve ndërrohet ndjenja. Ke një ndjenjë të kënaqësisë ndoshta të tepruar. Megjithatë, pak a shumë, e kam humbur kontrollin”, tregon Lajçi për përjetimin e tij në momentin kur ka shkelur në tapetin e kuq të Berlinales.

Por, para se të nisej për në Berlin atij i duhej ta tejkalonte një problem jo edhe aq të vogël. Në ftesën që ia kishin dërguar nga organizatorët shkruante se çka duhej të vishte kur të ecte në tapetin e kuq, çka në konferencë për shtyp e çka në natën finale.

“Unë nuk i kisha asnjë. Por, të them të drejtën, duhet t’i falënderohem jashtë mase Behgjet Pacollit pasi iu drejtova atij ai më tha se më dërgon në Milano për të më blerë rroba dhe se ma prenë biletën. I thash se biletën ma ka pre ministria e kulturës dhe në Milano nuk mund të vij, por vetëm po t’i jap numrat. Dhe unë e falënderoj sepse në Milano m’i ka blerë dy palë rroba, sigurisht të kategorisë më të lartë”, u shpreh ai, derisa tregonte se nga ministria e kulturës u janë dhënë të hollat për një biletë aeroplani dhe pesë mëditje.

Lajçi thotë se për pjesëmarrjen në këtë festival duhet t’i falënderohen regjisorit amerikan Joshua Martson, i cili ka marrë guximin të trajtojë një temë që është shumë e ndjeshme, atë të gjakmarrjes, pra të merret me një temë mbi të cilën shumë filma shqiptarë janë punuar dhe e kanë shfrytëzuar aq sa ndoshta ka kaluar në banalitet sepse nuk është shfrytëzuar ashtu qysh duhet.

“Ky regjisor merret me temën tonë dhe në mënyrën më të pastër, do të thosha jo klishe, e paraqet mënyrën se si njerëzit në një Ballkan, në një Shqipëri, në një Kosovë, për një cikërrimë, janë në gjendje ta likuidojnë njëri tjetrin edhe t’i durojnë pasojat, pra të ngujohen me vite e vite. Pra është një guxim i madh i një njeriu që vjen duke mos e njohur realitetin dhe ballafaqohet rreth gjashtë muaj ditë duke e studiuar kanunin dhe e punon filmin në mes të asaj që është dokumentare dhe asaj artistike, duke i përzier gjithsesi dhe duke i baraspeshuar”, u shpreh Lajçi.

Ai shtoi se Berlinale bashkë me Kanën janë ndër festivalet më prestigjioze të filmit dhe mënyra se si kanë shkuar deri atje është punë e merituar e një njeriu që ka lenë gjurmë, para shtatë vitesh, me filmin ‘Maria full of grace’ në këtë festival dhe derisa e punonte në Shkodër, ky e kishte synimin e qartë: ‘E dua Berlinalen’.

Ai tregon se regjisori ka punuar një muaj në përzgjedhjen e aktorëve dhe është ndarë i kënaqur me aktorët nga Kosova.

“Për një muaj është endur në mes Shqipërisë, Shkupit dhe Prishtinës. Tri herë ka bërë audicion këtu në teatër dhe mbas tre herësh ka shkuar në Shkup dhe në Tiranë përsëri dhe është kthyer përsëri në Prishtinë dhe prej 3500 nxënësve të Shkodrës i ka zgjedhë Tristan Halilaj dhe Sindi Laçaj dhe ka zgjedhë prej neve Ilirën, mua, Selman Lokaj, Veton Osmanin dhe Luan Jahën. Të tretë kanë nga një rol të vogël në film dhe si personazhe kanë qenë shumë të limituar.

Kërkesa e regjisorit ka qenë e jashtëzakonshme dhe ai nuk është pajtuar kurrsesi as me aktorët që i ka sprovuar në Shkodër dhe Tiranë, por as në Shkup dhe këtu si duket ka nuhatë, siç thoshte ai, aktorë që janë shumë më të lirë para kamerës, që janë shumë më filmikë sesa aktorët që i ka parë në Shkodër dhe Tiranë, janë më pak teatral dhe shumë më shumë për film dhe ka qenë, në një mënyrë, shumë i kënaqur me neve”, u shpreh Lajçi, duke theksuar se Martson është një prej atyre njerëzve i cili punon me ty dhe ti nuk e heton se është duke e krijuar personazhin brenda teje.

Duke folur për Berlinin, Lajçi tregon se kanë qenë në mesin e konkurrentëve më seriozë.
“Që në fillim na është kumtuar se ne jemi një prej konkurrentëve më serioz të festivalit.
Mbasi janë ndarë çmimet shkuam në darkë ceremoniale vetëm ne laureatët dhe juria. Kur hyni ekipi ynë juria u ngrit në këmbë dhe na aplauduan. Kryetarja e jurisë, Isabela Roselini na u afrua dhe na uroi çmimin dhe na tha: ‘Më besoni se keni qenë në teh thike si ju si iranianët, por kemi anuar Iranin sepse ne si Evropë po duam në një mënyrë ta sensibilizojmë edhe Evropën edhe popullin iranian se çka iu bën regjimi iranian regjisorëve dhe njerëzve që krijojnë art’”, tregon Lajçi.

Ai po ashtu tregoi se kanë biseduar me regjisorin Martson dhe producentët e tij që ta bëjnë një film në Kosovë.

“Ata janë shumë të gatshëm që të vijnë dhe të bëjnë film këtu, por e kishin një lutje të jashtëzakonshme që në një mënyrë këta si producentë nga Amerika të gjejnë përkrahje prej ministrisë me aq pak para, pasi që me një shumë prej dhjetë përqind duhet të kontribuojë shteti që të mund të konkurrojë dhe të kandidojë si film i jashtëm në Oscar. Këtë që nuk kanë mundur ta arrijnë me Shqipërinë me ‘Faljen e gjakut’.

E kanë lutur Shqipërinë që të kontribuojë me dhjetë përqind, që i binte 160 mijë dollarë, pasi që buxhetin e kanë pasur një milion e 600 mijë dollarë, në mënyrë që të jetë Shqipëria mbrapa filmit por kjo nuk ndodhi. Joshua më ka thënë se ka dëshirë që më mjetet e tyre të vijnë këtu, por t’i ndihmojë edhe ministria e kulturës. Këtë porosi do t’ia qoj në vend sepse do të bëjmë çmos që ta sjellim në festivalin PriFilmFest dhe pastaj të bisedojmë që çka mund të bëjmë që ta krijojmë një film me temë kosovare. Ata janë shumë të gatshëm që të vijnë ta bëjnë një film”, tha Lajçi.

Por, sidoqoftë, edhe çmimi me të cilin u shpërblye ky film iu dedikua Shqipërisë. Lajçi tregon se kur regjisori Martson, bashkë me skenaristin Andamion Murataj, doli për ta marrë çmimin, e ngriti ariun dhe tha: “Këtë ari ia dedikoj Shqipërisë”.