Edi Rama: Borxhi ka arritur në 100% e GDP-së

0
51

ResPublica.al, 16 prill 2012

Edi Rama ka deklaruar se “borxhi i sotëm i Shqipërisë është më i madh se 60% e GDP-së; është së paku 100%”. Ai nuk e mbështeti këtë shifër me shifra e statistika, por nënvizoi se “për [shlyerjen e] borxhit ne shpenzojmë [në vit] më shumë se fondet për arsimin dhe shëndetësinë dhe dyfish më shumë se sa fondi për bujqësinë”, dhe se “as privatizimet nuk e pakësuan borxhin publik”.

Dhe në këtë pikë gjeti rast për të dhënë optikën e vet mbi privatizimet e bëra e mbi privatizimin në përgjithësi: “E vetmja konseguencë e privatizimeve është rrënimi i sektorëve të energjisë dhe naftës. Ne nuk jemi kundër privatizimeve në vetvete, por mënyra sesi privatizimet janë bërë deri këtu është mënyra më shembullore për të privatizuar në funksion të interesave të sotme të pushtetit dhe blerjes së ardhmes për pushtetin”.

Të gjitha këto ai i tha në një tryezë të organizuar mbi politikat fiskale. “Një nga gënjeshtrat është se janë ulur taksat, se kemi një qeveri të vogël e në dietë”, u shpreh ai, ndërsa lidhur me argumentin e tryezës bëri vëzhgimin se “vetë qeveria e pranon sot se në Shqipëri konsumi taksohet 3 herë më shumë se fitimi dhe pasuria. Një familje shqiptare e zakonshme është 3 herë më shumë e taksuar se një kompani që fiton apo një i pasur”. Si pasojë “rezulton se 10 kompani në Shqipëri edhe pse kanë 12% të xhiros së tyre në Shqipëri kanë 37% të fitimit që realizohet”.

Re.Pu.