Edhe Eduardi ia ka parë hajrin politikës

0
56

ResPublica.al, 14 korrik 2012

Një apartament 65 m2 i ndërtuar përpara vitit 1990, një autoveturë dhe 33 përqind e një toke bujqësore në një fshat të Korçës e përfituar me 7501. Kjo ka qenë pasuria e qytetarit Eduard Halimi përpara se të bëhej politikani Eduard Halimi.

Gazeta “Shqip” në numrin e sotëm ka analizuar deklaratat e pasurisë së ministrit aktual të drejtësisë dhe aty del se pas 6 vitesh në politikë, Halimi mund të konsiderohet tashmë një shqiptar i pasur.

Ish-gjyqtari i Gramshit, i kandiduar nga PD në Durrës në 2009, sipas raportimit të Shqip, tashmë disponon një mori pasurish të paluajtshme që nisin nga zyra me sipërfaqe 118 m2 në Bulevardin kryesor të Tiranës deri te apartamenti i banimit po në Tiranë prej 140 m2, një apartament në Durrës 68 m2, truall në Mullet 1100 m2, garazh 15 mijë euro, e po kështu ai deklaron se në vitin 2011, kohë në të cilën është emëruar si Ministër i Drejtësisë, ai ka blerë një automjet Benz me vlerë 42 mijë euro. Pastaj renditen një seri transaksionesh dhe lëvizje pasurish të patundshme, të gjitha në shifra me shumë zero nga pas. Ka ruajtur të pashitur edhe tokën bujqësore në Korçë.

Do ishte mirë që ILDKP përveç njoftimeve për gjobitjet me 25 mijë lekësha të atyre që harrojnë të dorëzojnë në kohë deklarimet e pasurive, të sqaronte publikun hollësisht për raportime të tilla dhe nga vijnë këto burime financiare të ministrave, përderisa rrogën dihet se sa e kanë?! (A.N.)

Në foto: Topalli dhe Halimi, duke hyrë në premierën e dokumentarit, “2 Korrik 1990” të gazetarit Blendi Fevziu, në kinema Millenium