Ditari: Lufta, o mësues, lufta!

1
37

Për hirë të lexuesve të kësaj faqe, jam i gatshëm tua dërgoj ditarin “Lufta, o mësues, lufta!”, të shkruar drejtëpërdrejtë, në ditët e luftës në Kosovë, në vitin 1999. Për ta kuptuar përmbajtjen por edhe vlerën e tij, po ua postoj parathënjen e ditarit:

Hajrush IDRIZI (hadiferizaj@hotmail.com)

O njerëz, shpaloseni këtë d i t a r për të mos e harruar Dramën tuaj, e ju, pasardhës, për të mësuar Dramën e të parëve tuaj!

PARATHËNIE

Rrëfime rrënqethëse. Ishte kohë lufte. Kundërmonte erë shkrumbi, erë baroti, erë gjaku. Ankth. Më 15 mars të vitit 1999, një nxënëse ime, e klasës së parë, ma dha një detyrë të pazakonshme: “Merre këtë fletore edhe këtë laps! Shkruaj o mësues, shkruaj! Ti di çdo gjë(!),” – sikur më detyroi, apo mos është më mirë të them më urdhëroi. Po-po, me siguri më urdhëroi! Unë, ndonëse hetova diçka të çuditshme, nuk u hamenda shumë, ia mora fletoren edhe lapsin dhe i premtova se do të përpiqem për të shkrur diçka.

Po detyrë të rëndë kishja pas marrë! Tash, për hir të sinqeritetit të saj e sidomos premtimit që ia dhashë, pikërisht, në mbrëmjen e 15 marsit të vitit 1999, e hapa fletoren e Albanes dhe fillova të shkruaj, fillimisht, në formë ditari, të cilin, pas pak ditësh e titullova: “LUFTA O MËSUES, LUFTA!” Nga vetë titulli po e kuptoni se bëhet fjalë për luftën e Kosovës, ama, lufta është e vështruar nga një kënd krejtësisht tjetër: NGA PËRJETIMI I SAJ (luftës). Stili i rrëfimit është shumë specifik. Jam i bindur se keni për ta lexuar me një frymë, siç thuhet. Përmbajtjen e tij do ta kuptoni fare lehtë. Natyrisht se është shumë tronditës. Në ditar apo edhe roman (dramatik), si të doni quani, janë përfshirë momentet më dramatike që përjetova unë, që përjetove ti, ai, ajo, që përjetuam ne, ju, ata, e sidomos ato.

Ditari ka shtatë kapituj, në të cilët flitet për Marrëveshjen e Rambujesë, masakrën e Prekazit, masakrën e Reçakut, largimin e verifikuesve të OSBE-së nga Kosova, bombardimet e NATO-s, dëbimin tonë nga vatrat tona e shumë e shumë peripeci të tjera . Kapitull i veçantë është B L L A C A.

Për Bllacën është shkruar goxha shumë por tërësisht në mënyrën informuese. Këtu, në këtë kapitull, ka diçka shumë më shumë se sa informim. Porosia është: Lexojeni ! Jam shumë i bindur se nuk do të jeni të zhgënjyer. Përkundrazi, do të hasni në një befasi të pazakonshme, ngase, një numër i madh prej jush do ta gjeni vetën në të, ose, thënë më mirë, jeni personazhe kryesore në këto shënime.

Se, rrëfimet për katrahurën e Bllacës, i kam shkruar aty, në Bllacë, drejtpërdrejt, në fletoren e Albanës. (Për Albanën do të kuptoni gjatë leximit). Do të lexoni edhe: Udhëtimi pa cak, Hyrja në Shqipëri, “Spektakli” në pallatin e sporteve “Skënderbeu” të Korçës, Progëri, Pogradeci dhe së fundit, kthimi ynë në Kosovë më helikopterët transportues të NATO-s mu sikurse në aventurat e Alajdinit, në përrallat e “Një mijë e një net”.

1 COMMENT

  1. GOLGOTA E QUAJTUR BLLACË
    (Vështrim)
    Për ta kuptuar vlerën e një ditari të pabotuar,po citojmë kryemesazhin e autorit në origjinal:

    “O njerëz, shpaloseni këtë ditar,
    për të mos harruar Dramën e juaj,e ju pasardhës,
    për të mësuar Dramën e të parëve tuaj!”

    Ky është kryemesazhi i autorit në këtë kronikë ngjarjesh rrënqethëse, e që tingëllon sa njerëzisht aq edhe kuptueshëm, për ata, kujtesën e të cilëve e bren dhëmbi i kohës dhe e kaplon amnesia, që për popujt e shtypur, siç ishim ne, është gjithmonë fatale.
    Është normë e çmuar didaktiko-pedagogjike që, mësuesi saherë e vlerëson të nevojshme, nxënësve u jep detyra, qoftë për shtëpi apo në klasë. Por, që nxënësi t’i jep detyrë mësuesit, kjo është tepër e pazakunshme madje edhe “thyerje” e normave në mësimdhënie.
    Ditari i mësuesit Hajrush Idrizi, të cilin po ua prezanton lexuesve titullohet “Lufta, o mësues, lufta!” Ky ditar ka një zanafillë terësisht “akcidentale”. Autori me mjeshtri të paparë zbaton “urdhërin” që kishte marrë prej një nxënëseje të tij të klasës së parë: një obligim njerëzor për të përshkruar tërë dramaticitetin apokaliptik 96 ditësh të ankthit të luftës; dhe së fundi përmbushje e një detyre intelektuale, për të lënë gjurmë të pashlyeshme për tmerret dhe traumat shpirtërore të atyre që përjetuan anët më çnjerëzore të barbarisë mbi këto troje,dhe këto ngjarje i përcjell besnikërisht tek brezat që do të vijnë.
    Ditarët, si gjini të prozës së shkruar, janë sa të rralë, aq edhe të vështirë për t’u mbajtur. Për më tepër, ky i mësuesit Hajrush Idrizi ( me sa duket për herë të parë merret me këtë punë,saktësisht me ndihmën e Zotit,ia doli ) është tepër i veçantë dhe origjinal për gjenezën si ka lindur, mënyrën e rrëfimeve,për kohën dhe vendin ku dhe kur është mbajtur si dhe për përceprimet e ngjarjeve që përshkruhen në kohë e hapësirë.
    Mënyra si ka zën fill ky ditar, është shumë e pazakonshme bile edhe ,madje edhe “akcidentale”.
    Është ditë e hënë, 15 mars, 1999. Kundërmimi i tymit të luftës dhe barotit,era e gjakut trondiste çdo qenie të gjallë. Ajo kishte depërtuar edhe ne shpirtërat e nxënësve të klasës së parë që ende nuk e kishin mësuar alfabetin e gjuhës shqipe. Këtë ditë kur e përfundon mësimin me nxënësit e tij, para se të përshëndetej me ta, nxënësja Albanë Dushku, një qupëz shumë simpatike që akoma nuk i ka mbushur 7 vjet, ia dhuron mësuesit një fletore me një laps duke e porositur: “Shkruaj o mësues, shkruaj! Lufta nuk ka të ndalur. Ti di gjithçka. Shkruaj!”.
    Si duket kjo ishte porosia Zotit përmes engjëllueshës Albanë, të cilën(porosi) mësuesi e pranoi pa hezitim por edhe pa e ditur peshën e obligimit që mori.Në mbrëmjen e asaj nate, mësakt më 15 mars,mësuesi qiti shkrunjat e para në fletorën e Albanës.Këtë veprim e nisi sepse ,Albana e urdhëroi,i dha detyrë,madje duke ia dhënë edhe fletoren me laps.Mësuesi nuk pati alternativë tjetër përpos t’ia nis shkrimit të ditarit sipas premtimit që ia dha voglushes.
    Tashti, tek autori i ditarit zbulohet sinqeriteti i tij,dashuria ndaj nxënësve,respektimi i fjalës së dhënë e në veçanti,dashuria ndaj profesionit.Mësuesi Hajrush do ta mund vehten e vet.Ai, shkoi pertej mundësive të tija për ta kryer obligim për përshkrimin e ngjarjeve që i rrokullisi koha në një kohë të pa kohë.
    Autori siç mund shihet, në këtë kohë merr mision të trefishtë jetësor: mësues në shkollë, prindër në familje dhe aktivist i angazhuar në një kuart të qytetit të Ferizajt, e më gjerë, në kohën kur çdo kush duhej dhënë maksimumin për qështjen tonë kombëtare.

    Në gjysmën e dyë të muajit mars 1999, kudo në Kosovë vinte erë lufte,gjaku e kufomash.
    Lufta zhvillohej në shumë fronte.Në Paris Delegacioni i Kosovës kishte shkuar për të finalizuar dhe nënshkruar Marrëveshtjën e Rambujesë.Në anën tjetër, Luftëtarët e Lirisë (nuk pata guximin ta korrigjoj autorin)përballeshin në fronte të shumta me armikun anë e kënd Kosovës.
    Mësuesi përballet me shumë sfida: E para, ishte praën nxënësve në frontin e dijes,e dyta-ngritjen e moralit për të jetuar(!),e treta kishte marrë detyrë nga Albana për ta mbushur fletorën e saj me shënime .
    Ishte 19 prilli i vitit 1999.Lufta kishte marrë përmasa dramatike. Mësuesi duheshte vazhduar luftën e tij. Ai i raskapitur tejmase futet në klasë për ta zhvilluar shkronjën e fundit të alfabetit të gjuhës shqipe-shkronjën ZH. E kur kishte mbaruar së shpjeguari tingullin në fjalë, nxënësve u kishte thënë se tash e tutje, djemtë por edhe vajzat, nuk do ta harrojnë këtë shkronjë gjersa të bëhen pleq e plaka.Çuditërisht, Albana që ia kishte dhuruar mësuesit fletoren, në të cilën tashmë mësuesi kishte filluar të shkruajë, ngritet në këmbë dhe i kondërvihet mësuesit me një bindje kategorike: “Jo o mësues,jo! Ne nuk do të bëhemi as pleq e as plaka! Shkiet do të na masahkrojnë sikurse ata ne Prekaz e Reçak! E si mund të bëhemi pleq e plaka kur ne do të jemi te mbytur!? Në këtë çast mësuesi depërton thellë në shpirtin e fëmijëve dhe dhe nga brendia e shpirtit të tyre,vëren se ata e paskan humbur shpresën për jetë.Jeta per ta qenka finito. Mësuesi trembet,humb te pamurit,nuk i shhe as nxënësit,dridhet por nuk nuk dorëzohet,nuk e humb vetëdijen. Në këto çaste dramatike i drejtohet të Plotfuqishmit që t’i ndihmojë, të mos plandoset për dysheme par këtyre engjujve.
    Po. Zoti e pa dhe e kuptoi autorin.Se, me të shpejtë merr situatën nën kontroll. Menjëherë me metodën e rastit, tek nxënësit ,tek shpirtrat e tyre të rezignuar mbjellë ndjenjën e optimizmit e të shpresës,duke u betuar para tyre se me ndihmën e Zotit të gjithë do të rriten dhe do të bëhen pleq e plaka.”Patjetër”-thërret autori. Klasa gumëzhin si zgjua bletësh:-” Të gjithë do të rritemi,tëgjithë do të bëhemi pleq e plaka,të gjithë!”Kështu mësuesi Hajrush përmbush misionin e shenjtë të pedagogut para historisë, sepse tek engjujt riktheu shpresën për jetë. Këtë ka mundur ta bëj vetëm ky njeri e askush tjete.
    Autori me plasticitet të mbrujtur emocionalisht përshkruan atmosferën e luftës gjatë bombardimeve të NATO-s në kuartin e tij , që ishte e njejtë më pjesët tjera të qytetit e të Kosovës. Tek njerëzit kudo vërehej ndjenja e ankthit, e solidaritetit dhe shpresës. Kurse tek ushtarët e paramilitarët serbë dominonte arroganca, barbaria dhe sadizmi; kurse ne, popullata shqiptare, në çdo bombë të alenacës së NATO-s që binte në Kosovë, shihnim shpresën për lirinë e Kosovës.
    Popullata në ankth grumbullohej: hanin së bashku, rrinin së bashku dhe flinin së bashku, sepses ashtu të bashkuar ndiheshin më të sigurt, që vërteton maksimën sociologjike e antropologjike, se njeriu, në çfarëdo situatash, sidomos në këso kohe qfarë i imponoheshin Kosovës, ishte dhe mbetej “qenie shoqërore”.
    Në këso rrethanash, në marsin e vitit ’99 në Kosovë, lufta më e madhe ishte ajo psikologjike,përmes dezinformatave dhe gjysëm të vërtetavve që i plasonte armiku, apo që i thurnin njerëzit nga frika e thashëthemet. Në këso situatash apokaliptike bëhej një bellum omnium contra omnes me ndjenjat e njerzve dhe pasigurinë e tyre. Por, solidariteti midis njerzëve,siç vëren autori në këtë kronikë ngjarjesh, ishte në nivelin më të lartë: askush s’kishte me bollëk, por që të gjithë kishin. Njerëzit në këso situatash të mirën e të keqën e ndanin bashkarisht. E keqja i mobilizon ndjenjat pozitive njerëzore, të atyre që jetojnë bashkë për të refuzuar atë.
    Personazhe të ditarit të Hajrush Idrizit janë të gjithë: unë, ti, ai,ne, ju, ata, e sidomos ato,pra, janë të gjithë shqiptarët e Kosovës, pavarësisht se përshkrimi bëhet për atmosferën në një kuart ferizajas, në Bllacë,Progër, Korçë apo Pogradec ose edhe diku tjetër.

    Me gjithë mallëngjimin për të mos i braktisur shtëpitë dhe atdheun, autori në ditar flet për ditën kur e tërë lagja nën kërcënimin e paramilitarëve serb, u dasht që me lot në sy t’i braktisin shtëpitë e tyre dhe pa e ditur se ku do t’i çonte rruga pa cak. Tepër emocionuse janë momentet e ndarjes së banorëve nga shtëpitë, ku kishin derdhur djersën brez pas brezi për atë kapital. Shtëpitë dhe orenditë brenda tyre sikur marrin shpirt, e autori gjësendeve u vë gojë,sikur flasin. Ato rënkojnë dhe u luten njerzve që të mos i lënë në vetmi, sepse edhe ato i urrejnë barbarët, se edhe ato do të masakrohen nga pushtuesit serbë .
    Janë rrënqethëse çastet kur njerëzit presin trenin e shpresës e të ankthit, pa e ditur se ku do t’i shpinte ai. Janë të papërshkrueshme e të pakonceptueshme në këtë ikje biblike ndjenjat e nerëzve që duken si milingona: të pleqve e plakave të bartur në shpinë apo në karroca, të të sëmurëve në batanije, apo të fëmijëve që qanin në gjiun e nënave, apo të gjysheve që i nanurisnin me ninulla duke u munduar për t’i vënë në gjumë. Duke pritur trenin e dëbimit këto skena të kujtojnë holokaustin hebrejë në epokën e nazizmit.
    Ferrin dantesk, personazhet e këtij ditari e gjejnë pasi me autobus arrijnë në Bllacë, kursë lexuesi përshkrimet më artistike, më emocionuese e më të dhimbshme për fatin dhe fundin e njerëzores i gjen në faqet që përshkruajnë jetën në këtë vend për disa ditë, ku siç thotë autori njerëzit ishin shndërruar në “kufoma të gjalla, me të vetmin dallim se këto këtu lëvizin”. Më së vështiri ishte për të mbajtur ditar në këso kushtesh, pohon Idrizi, edhe pse fletoren dhe lapsin e Albanës i ka me vehte,por si duket edhe autorit i bëhet sikur ka humbur në kohë,pra, këtu shkruan një kapitull te titulluar “Paditar”. E pabesueshme, por e vërtetë, autori që të jetë sa më besnik, shkroi drejtpërdrejtë-aty peraty për këto ngjarje ditën por edhe natën nën dritën e zjarreve apo hënës mbi gurët e varreve!!! Padyshim se këtu i ndihmoi vetëm i Madhi Zot.
    Nuk besoj se për këtë vend ( që ishte shndërruar në kamp përqëndrimi) dhe këta njerëz ( që u lakmonin të vdekurve mbi varret e të cilëve shkelnin madje edhe flinin) është shkruar ndonjëherë dhe dikund më bukur, më bindshëm, më dhimbshëm, në mënyrë më tronditëse, por besnike dhe syrit shpëtitës të autorit të mos i ketë shpëtuar asgjë pa shënuar për ato ditë e netë, të cilat nuk duam asnjëherë t’i kujtojmë, por megjithatë nuk guxojmë t’i harrojmë kurrën e kurrës as ne por as gjeneratat që do lindin..
    Njerëzit për të cilët flet autori në këtë ferr, vetëm në lëvizje dhe kur flisnin dëshmonin se ishin “njerëz”. Ata ishin të humbur në kohë dhe hapësirë. Kështu përshkruhet “mjekroshi” që i humbur kërkonte duhan dhe habitej që njerëzit i jepnin e ai mbante paratë në dorë; Bashkimi, të cilin e njihte autori, e që i përqafonte njerëzit për dajat e vdekur ose gratë për nënën që e kishte në Belgjikë ishte totalisht i humbur në hapsirë por edhe në kohë;Nazimi që kërkonte ambasadën maqedone në baltën e Bllacës për ta gjetur nënën e humbur dhe qupëzën Egzonen ishte një tjeter njeri që kishte tretur ne ate rremuje’ dhe rastin e katërt, një veteran arsimi ferizajas, që kërkonte një pasqyrë për t’u rruar, sepse “ishte i ftuar për në në Gjilan” dhe se ptjetër duhej të ishte më pedant meqë ishte Kryetar i Këshillit të Pajtimit,dëshmon se një numër i madh njerëzish janë aty, janë në Bllacë por ama aty ndodhin vetëm fizikisht.
    I përmenduri nga përgjumja i pohon autorit se ” ekam ditur se pas vdekjes do të ballafaqohemi në Ditën e Gjykimit, por se njerëzit do ta përjetojnë ate për së gjalli, sikurse ne këtu, kjo nuk mund të mbërthehej as nga imagjinata e njerëzve meintelegjencë më të zhvilluar”.
    Autori me plot emocione dhe shumë bindës përshkruan “okipimin” e varreve nga të gjallët:
    “Varret janë shndërruar në banesa. Nga një dru mbi gurët e varreve, qofshin të reja apo të vjetra, një copë najloni mbi dru, brenda najlonit, mbi varre familjet. Po pasha Perëndinë! (betohet autori). Aty hanë, aty pinë, aty luajnë, aty bisedojnë, aty qeshin, aty qajnë, aty flejnë dhe aty pshurrin fëmijët. Dhe thonë: Axha Hajrë, u knaqëm!!!. E mua nuk më mbetet tjetër veçse në emër të këtyre “zullumqarëve” t’u kërkoj falje të vdekurve: O jut ë vdekur, keni mëshirë e mos i mallkoni këta hallexhinjë që po u trembin. Ta dini mirë se nuk kemi ardhur për vikend. Serbët na kanë dëbuar nga vatat tona. Këtu është hapësirë e ngushtë për të gjallë e të vdekur, prandaj po ju bezdisim. O Zot, na i falë mëkatet të të dy palëve! Amin!”
    Ajo që e karakterizon këtë ditar është ndjenja e optimizmit, e shpresës për të renë dhe ditën ngadhënjyese, të njerëzores mbi antihumanen e barbarinë, ëndrrën për liri të Kosovës asnjëherë pa u shuar. Dhe kjo ndjenjë e optimizmit për ardhmërinë e shoqëron autorin dhe personazhet e tij kudo: edhe në shqetësimet në vendlindje, edhe në baltën e Bllacës, edhe në udhëtimin e pacak të 112 autobusëve për Shqipëri, edhe gjatë vendosjes e mikëpritjes në komunën Progër, për të përfunduar e kulmuar me kthimin me helikopterët e NATO-s deri në Kukës, fitoren e UÇK-së e të Aleancës Veriatlantike mbi ushtrinë serbe, kthimin bashkë me lirinë në vatrat e boshatisura, duke ngrohur kështu me rreze optimizmi edhe shpirtin e lexuesit, të Albanës, që i pati dhënë detyrë të vështirë mësuesit, të të gjithë shokëve e shoqeve të klasës së saj, të cilëve që në klasë mësuesi u kishte premtuar se do të rriten dhe vërtetë u rritën e tash janë 18 vjeçarë, nxënës të shkollave të mesme.
    Optmizmi i pafund si flakadan ngrohë dhe ndriqon edhe skutat më të fshehta të shpirtit njerëzor, edhe atëherë kur njerëzit i kaplon ndjenja e ankthit dhe shpresa duket e humbur përgjithmonë, sikur që mund të lexohet në faqet e këtij ditari.

    P.S: Ky ditar akoma nuk është botuar si libër e që është mekat i madhe që i mungon historisë dhe letërsisë sonë.Ditari është tepër identik me ditarin e ANNA FRANKUT.

    FERIZAJ, 5 shkurt 2010
    Enver ZHINIPOTOKU, Sociolog

Comments are closed.