TemA Online, 6 Tetor 2011
Damir Fazlliç, individi që përmendet herë si biznesmen e herë si sekser, të cilin kryetari i qeverisë së Shqipërisë e ka quajtur mik shtëpie, është rishfaqur dje në Tiranë. Ai është fotografuar nga reporterët e Shekullit pak metra pranë vilës qeveritare në Bllok. Një nga shoqëruesit e tij, ka ndjekur deri në redaksi reporterët duke u përpjekur t’u marrë atyre aparatin fotografik. Ky person ka hyrë në redaksinë e Shekullit dhe ka patur një shkëmbim verbal me një nga redaktorët. Në momentin që i është kërkuar të dalë nga redaksia, ai ka thënë që “është punonjës i Gardës”. Kur është pyetur pse “shoqëron një punonjës i Gardës Damir Fazllicin”, ai ka pyetur “kush je ti që pyet” dhe pasi i është thënë që ndodhej në redaksinë e gazetës Shekulli, është larguar.
Makinat që shoqëronin Damir Fazllic janë TR 2199 T tip Benz dhe TR 6646 T tip fuoristradë. Garda e Republikës është e lirë të japë shpjegime për pohimin e personit shoqërues të Fazllic. Nëse ky shoqërohet nga Garda e Republikës, do të ishte hera e dytë që forca shtetërore shoqërojnë një person, statusi i të cilit është i pakuptueshëm.




